Një shëtitje në Bulevard
Lajmi i vetëm që prodhoi në pamje të parë protesta e opozitës ishte pjesëmarrja disi më e tkurrur se masa e njerëzve që dolën në rrugë në 27 Janar.
U bënë forografime nga kënde të ndryshme të protestës, u ofruan pamje në miniaturë të filmuara nga lart si provë për mbështetjen që gëzon sot opozita dhe kauzat e saj.
Bazuar mbi këto përshtypje Edi Rama foli për bojkot të demokratëve ndaj “babale-protestës” siç e quajti ai.
Një prirje e njohur kjo e kryeministrit për të deligjitimuar kauzën e kundërshtarit, përmes etiketimeve që lidhen me personazhin e një denoncimi konkret, për të cilin gjithsesi nuk ka ende një akt ekspertimi.
Pavarësisht kësaj qesëndisjeje, kërkesa për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm është legjitime në kushtet kur vëllai i tij është në burg për trafik droge dhe kur ka një hetim për implikimin ose jo të tij. Masa e njerëzve ishte e mjaftueshme për të legjitimuar një protestë të tillë me besimin se Lulzim Basha po i paraprin një kauze të drejtë.
Por ndërhyrja e këtij të fundit për të frenuar një lloj agravimi të situatës dhe mbyllja e papritur e protestës, lanë një shije të hidhur tek njerëzit që ishin lajmëruar për një tubim pa afat, e konfirmuar kjo nga vetë deputetë të opozitës që u ndeshën me pakënaqësinë e protestuesve.
Për aq sa pamë, protesta mund të quhet “Shëtitje e opozitës në Bulevard”. Këtë bëri Lulzim Basha me njerëzit që thirri në protestë. Objektivi ishte largimi i ministrit të Brendshëm, por në planin faktik kjo gjë deri tani nuk ka ndodhur. Nuk dimë nëse kreu i PD ka të dhëna të tjera që legjitimojnë lëvizjet e tij taktike.
Nëse ka një fitore dhe zoti Basha e mban në xhep për llogaritë e veta politike, kjo përforcon dyshimet se edhe këtë protestë ai mund ta ketë përdorur për pazare të vogla politike të ngjashme me ato të çadrës. Lulzim Basha nuk i falenderoi njerëzit që i besuan edhe kësaj radhe, por u mjaftua me një postim me titullin “Dielli për shqiptarët lind nga Perëndimi”, ku shkruan se ai dhe opozita nuk përulen para krimit dhe drogës. Thjesht fjalë.
Add new comment