Ndryshon politika në Itali. Qeveria e re: Të hiqen sanksionet ndaj Rusisë
Koalicioni i ri qeverisë në Itali mes lëvizjes Pesë Yjet dhe Lega e Matteo Salvinit kanë publikuar atë që quhet “Kontrata për Qeverinë e Ndryshimit”. Në dokumentin në fjalë përfshihen të gjitha drejtimet e qeverisjes dhe programit që do të zbatohet pas zgjedhjeve të fundit që sollën në pushtet dy parti antiestablishment.
Sa i përket politikës së Jashtme, qeveria e re premton ndryshime, por jo lëvizje nga drejtimet strategjike të orientimit. Në krye të saj qëndron interesi kombëtar i Italisë dhe promovimi i tij në raportet dypalëshe apo shumëplanëshe.
Konfirmohet përkatësia në Aleancën Atlantike me SHBA-të si aleat i privilegjuar, me një hapje ndaj Rusisë, që nuk duhet perceptuar si kërcënim por si partner ekonomik dhe tregëtar, potencialisht përherë e më i rëndësishëm
thuhet në dokument.
Koalicioni propozon heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe njohja e saj si partner strategjik deri në përfundim të krizave rajonale në Siri, Libi dhe Jemen. Vizioni i dy partive për rolin e Rusisë shkon edhe më larg dhe me gjasë do të provokojë jo pak probleme, edhe pse së fundmi, për fuqitë europiane, problemet po vijnë nga SHBA me tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe sanksionet ndaj këtij të fundit.
Duke mos e konsideruar Rusinë një kërcënim por një partner potencial për NATO-n dhe BE-në, është në Mesdhe ku hasen faktorët më të mëdhenj të destabilizimit: ekstremizmi islamik, flukse të pakontrolluara migratore, tensione mes fuqive rajonale
nënvizohet në dokument.
Aty nuk flitet për Ballkanin, konsideruar si zonë influence e Italisë dhe ku ky vend ka investime jo të vogla.
Nëse e shohim nisur nga ajo që shkruhet, duhet thënë se Shqipëria ka humbur de facto një aleat të fortë për integrimin në BE, pasi qeveria e re italiane orientohet më shumë nga çështjet e brendshme që synon t’i zgjidhë duke i aktualizuar ato si axhendë e politikës së jashtme. Janë ato tema për të cilat Salvini dhe di Maio fituan zgjedhjet.
Add new comment