Pse zhvlerësimi i euros nuk lidhet me turizmin? (Video)
Afrimi i sezonit turistik veror ka identifikuar një numër të lartë prenotimesh për hotelet, të cilin Banka e Shqipërisë e ka shtuar te faktorët për zhvlerësimin e euros. Por, për kreun e shoqatës së Tur-Operatorëve, Kliton Gërxhani ky argument i Bankës nuk qendron, pasi përpos faktit që ka një rritje progresive të pretonotimeve, numri dhe vlera e parapagimeve është e papërfillshme. Ai tha për Tema Tv se asesi Banka nuk mund të dalë me një arsyetim të tillë për zhvlerësimin e euros në këto nivele.
“Është e vërtetë që ka një rritje të prenotimeve, krahasuar me fillim-vitin e kaluar, por një numër shumë i vogël zgjedhin të parapaguajnë. Banka nuk ka të dhëna për prenotimet, e për rrjedhojë, as mjete matëse për të hyrat në euro nga ky sektor”.
Euro sot qëndron në nivelin më të ulët historik, ndërsa që nga janari është zhvlerësuar kundrejt lekut me 5 për qind. Për sektorin e turizmit, i cili përbën 40 për qind të totalit të eksporteve, me këtë kurs, humbjet vjetore llogariten të arrijnë deri në 150 milionë euro, nga 1.5 miliardë që xhiron ky sektor.
Në këto kushte, edhe operatorët, sikundër eksportuesit dhe prodhuesit bëjnë thirrje që Banka e Qeveria të ndërhyjnë për stabilizim, në të kundërt për të evituar humbjet ata do të detyrohen të rrisin çmimet. Në vendin tonë, sipas INSTAT numri i vizitorëve të huaj ishte 3 milionë dhe me trendin rritës që është shfaqur mendohet të arrijë në 5 milionë gjatë 2018-s.
Add new comment