Sulmi i PD-së për inceneratorët, luftë e brendshme ndaj ish-ministrit Ridvan Bode?
Sot gazeta “Panorama” ka zbardhur një debat të zhvilluar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike mes deputetëve Sali Berisha dhe Myslim Murrizi. Berisha ka kërkuar që deputetët të denoncojnë koncesionet korruptive të qeverisë duke u përqendruar tek ai për monitorimin online të lojërave të fatit që sipas tij kontrollohet nga vëllai i kryeministrit aktual, Olsi Rama dhe djali i ish-kryeministrit, Aleksandër Meksi, Endri Meksi.
Por kundrejt kësaj direktive të Berishës për ndërhyrje politike në një treg që kërkon tansparencë sidomos për operatorët e tij të vërtetë, transaprencë të cilën Berisha nuk e bën kurrë, deputeti Myslim Murrizi ka kaluar në një tjetër drejtim. Sipas tij është e udhës që PD-ja të informojë publikun edhe për koncesionet e përfituara nga deputetë të saj, apo njerëz të saj gjatë qeverisjes socialiste. Sipas Murrizit ka madje të paktën dy të tillë që janë shumë problematikë në raport me interesin publik dhe mjedisin.
Duhet të themi dhe të mos fshihemi se administrator e kësaj kompanie(që trajton mbetejet spitalore dhe u investigua nga një televizion) është nëna e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Fabian Topollaj, ortak i kësaj firme është vëllai i deputetit Keltis Kruja dhe vëllai i deputetes Reme Lala. Deputetët duhet ta dinë se kjo firmë është krijuar në 3 mars 2017 kur ne ishim në çadër…ndërkohë që tenderi është marrë në dhjetor 2017.
Gjithashtu edhe një i afërm dhe shofer i Ridvan Bodes është administrator kryesor në inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit. Atëherë për çfarë standardesh flasim?
ka thënë ndër të tjera Murrizi, citon “Panorama”.
Çështja e hapur nga deputeti demokrat është shumë e rëndësishme pasi ajo nxjerr në pah se kush është sot PD-ja. Një grupim interesash dhe asgjë më shumë e cila nuk është privuar nga torta e pushtetit teksa pas Çadrës ka rrëmbyer tendera miliona eurosh.
Ky moment ka rëndësi për të kuptuar edhe diçka tjetër. Nëse sjellim në vëmendje, PD-ja e Lulzim Bashës nuk e ka prekur në asnjë moment çështjen e mbetjeve spitalore dhe me zbulimin e emrave të pronarëve të kompanisë kuptohet pse: ata janë të gjithë partnerë të Lulzim Bashës. E pse jo edhe financues të tij.
Ndërkohë që për inceneratorët PD-ja ka bërë një betejë deri diku serioze në krye të së cilës u vu Jamarbër Malltezi, dhëndërr i Sali Berishës dhe drejtues i departamentit për Mjedisin. Në këtë kuptim, tani që pas inceneratorëve del emri i ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, lufta e PD-së kundër inceneratorëve është mes të tjerash edhe luftë kundër ish-ministrit të vet të Financave që përfaqësonte dikur një klan të fuqishëm brenda partisë. Në mënyrë djallëzore, ngjan se Lulzim Basha ka urdhëruar goditje ndaj inceneratorëve duke përmendur vetëm emrin e Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës që kanë firmosur tenderin, por emri i Bodes ka qenë aty i nënkuptuar. Z. Bode është zhdukur prej kohësh nga skena politike aktive, ai ka kundërshtuar shumë pak mënjanimin e tij dhe sipas burimeve të ndryshme çështja penale e hapur ndaj tij ka lënë pasoja që ende nuk janë mbyllur. Ajo çfarë ka rëndësi është se deputeti Murrizi ka bërë transparencë për atë që është sot opozita dhe për të kuptuar se pas të ashtuquajturës betejë opozitare, qëndron në fakt një interes konkret i dy apo tre njerëzve.
Add new comment