Stoku i kredisë arrin në 1.3 mld euro, Tirana në krye të borxheve

Postuar në 08 Maj, 2018 09:41

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për stokun e kredisë për individë sipas rretheve, për numër banorësh, tregojnë se huaja për banor në kryeqytet është 884 euro, gati tre herë më e lartë sesa qyteti i dytë që vjen më pas në listë, Durrësi.

Në total, në Tiranë individët kanë për të kthyer në banka 101 miliardë lekë hua, ose rreth 780 milionë euro, sipas të dhënave që i referohen tremujorit të parë të vitit 2018. Rreth 70% të kësaj shume e zë huaja për blerje banesash (624 euro për frymë), që shënon një rritje të qëndrueshme vit pas viti.

Kryeqyteti shqiptar po zhvillohet me shpejtësi dhe tregu i banesave është gjallëruar vitet e fundit, duke u reflektuar dhe në shtimin e borxheve që qytetarët kanë marrë për të pasur një shtëpi të vetën. Ai mirëpret dhe një numër të lartë banorësh që vijnë nga rrethet e tjera.

Kredia konsumatore në Tiranë, është sa dyfishi i qytetit të dytë që vjen pas në renditje, që është sërish Durrësi. Ndërsa qyteti, banorët e të cilët marrin më shumë kredi konsumatore është Elbasani, me 42% të totalit të huasë që shkon për blerje makinash, apo qëllime të tjera përveç shtëpië.

Sipas Monitor në total, në fund të tremujorit të parë 2018, stoku i kredive që individët kishin marrë në banka ishte 170 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Me baza vjetore, stoku i huasë për individë është rritur me 5.2%, ku efektin më të madh e ka dhënë Tirana.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.