Të falemnderit or burazer!*
I nderuar
Sot është dita jonë e përbashkët. 1 maji. Dita e të papunëve. Po. Sepse siç e dimë, ndonëse njihet si dita e punëtorëve, në këtë vendin tonë që po ja sheh hajrin, ajo është Dita e ksehasjes, e festës dhe e ahengut.
E sigurisht protokollin e këtyre daveteve popullore nuk mund ta kryesojë kush tjetër veç teje. Personalisht kam menduar se do të kishim shumë ditë që do të na bashkonin, qëkurse për ne të shkretët u mundësua Bashkëqeverisja.
Për një çast mendja rrëshkiti dhe iu dorëzua fjalëve që hynë në veshin e drobitur nga gjithfarë vokalistësh të tranzicionit për të besuar se edhe për ne anonimët fati ka lënë ndonjë thërrime nga hija e vet në formën e një dhurate që është begenisja për të ndarë përgjegjësi për këtë vend.
Xhanëm dikur nga fillimi i shtatorit 2017 mund të ketë patur shumë si unë që janë ndjerë shqiptarë të lidhur me Shqipërinë më shumë sesa numri i kafeve që kemi pirë e që nuk numërohen.
Ju lutem shkëlqesë, këtë të kafeve mos e merr si ironi. Unë do të guxoja ta sugjeroja si këshillë. Ne jemi armata e të punësuarve të vërtetë, sepse kafeja është institucioni aty ku kultivohen të gjitha perspektivat. Unë madje mendoj se njësoj si ai marifeti që bëre dy vjet më parë kur 83 mijë të punësuar që u futën në skemën e sigurimeve i quajte si vende të reja pune, edhe këta që rrinë kafeneve t’i përfshish në projeksionet e punësimit. Të paktën për punësimin në administratën tënde kafeneja është shumë më efikase se zyra e punës.
Por kjo letër ka një tjetër arsye. Ka arsye ndjesën që nuk u gjenda dot prezent në minifestën e bukur që kishte organizuar me çirakun tënd të Bashkisë. Në atë panairin e kotësive që kaq shumë po ta forcon imazhin në vite të tëra. Aq sa aty askush nuk shkëlqen me mungesën e tij.
Është keqardhje për humbjen e një dite argëtimi or byrazer që si rrallëkund e bëre protestën festë, e festën një lloj kllounade shifrash dhe maksimash që harrohen kaq shpejt pse qëndrojnë poshtë, shumë poshtë lajmit të vërtetë që të solli aty, pra lajmit të çorapeve të kuqe e pantallonave treçerekëshe. Në ato çapa të pakët anës tendës së ngritur nga Çiraku i Bashkisë, mu duk se u rithemelua një copëz nga Shqipëria e gjeneratës tjetër, asaj që nuk ka më probleme, që ndrin e feks nga njerëz të nginjur e që do kenë mësuar të qeshin sa herë duhet. Njësoj siç bën qeveria Juaj.
Por ti mund të mendosh se “kjo është puna ime”. Hollë hollë ke të drejtë. Kjo është edhe bashkëqeverisja ku njëra palë qesh, përqesh, e ngjesh, kurse tjetra qameti ngërdheshet se aq mundet.
Mund të të them falemnderit për këtë rekord të ri që i ngjite Shqipërisë pas evidentimit se nuk ka sindikata ndërkohë që vendet e punës sa vijnë e shtohen. Këtë sallatë e tresim mirë vetëm falë teje. Është një telenovelë abstrakte që sapo dalim nga kufiri nuk arrijmë ta kuptojmë më edhe vetë. Ndaj edhe nuk na bën zemra të ikim. Por rrimë e rrimë, dëgjojmë, shohim e dëshmojmë këtë art të veçantë perfomartiv, vizual e diskursiv që nuk ka të sharë. Sepse është shumë i suksesshëm. Dhe suksesi është ai që i intereson një populli praktik, ndërkohë që një popull praktik i intereson një manieristi si Ju.
Njësoj si ajo fjala e pas ’90-ës, “po të kesh lekë Vit i Ri është përditë”, edhe kjo e 1 majit: po të ketë punë aheng dhe festë ka ngahera.
*Letër e një të papuni entuziast dërguar për Kryeministrin në adresën e redaksisë e "Të Kripura"
Editoi: Shaptilografisti
Add new comment