Teza e rrezikut rus funksionon vetëm me Serbinë
Shqiptarët kontrollojnë stabilitetin e tre apo katër shteteve në Ballkan dhe mund të afektojnë klimën e sigurisë më gjerë, por sërish ata po humbasin terren në planin gjeopolitik. Kjo mund të shihet fare qartë në raportet bilaterale me vende të Perëndimit dhe sidomos në mënyrën sesi loja diplomatike kurdiset në shetetet në fjalë jo duke kërkuar bisedimin e drejtpërdrejtë, por duke përdorur të ashtuquajturit liderë shqiptarë si postierë të Brukselit apo Uashingtonit për Rusinë dhe për bashkëqytetarët sllavë.
Shqiptarët kontrollojnë stabilitetin e pjesës jugore të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së, por ky stabilitet është strategjik në kuptimin e disponimit të shprehur botërisht të popullsisë shqiptare për Perëndimin. Por kjo nuk mjafton. Për situatën në Maqedoni, perëndimi përdori Shqipërinë dhe partitë shqiptare pa dalë asnjëherë në dritë se qëndronte pas tyre. Mali i Zi përfitoi anëtarësim të shpejtë në NATO dhe është ndoshta vendi me të cilin Shqipëria ka marrëdhëniet më të mira të mundshme jashtë çdo konteskti ndikimi të huaj. Por qëndrimet shqiptare aty pak janë marrë në konsideratë, ndoshta pse rreshtimi ynë presupozohet se është alternativë pa alternativë. Ne nuk e dimë ende sot se çfarë vlere ka cedimi diplomatik i Kosovës për demarkacionin, që u vendos si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.
Kosova po ashtu është nën presion permanent nga Perëndimi për të lëshuar shumëçka për asosacionin e kërkuar nga serbët, ajo është e detyruar të gëlltisë pilulat e hidhura të të ashtuquajturës politikë të matur të Europës që po deklaron hapur se ajo në Ballkanin Perëndimor i ka sytë nga Serbia.
Serbia është një vend kyç në Ballkan. Kjo shprehje i atribuohet sot edhe kancelares gjermane Angela Merkel e cila ka takuar e më pas drekuar me presidentin serb Aleksander Vuçiç. I pyetur nga gazetarët, ky i fundit ka pranuar se për Asosacionin është folur dhe se nuk do të ketë zgjidhje të lehtë. Sipas tij, çdo gjë për integrimin e Serbisë po shkon mirë përveç çështjes së Kosovës.
Nëse shohim zhvillimet e fundit dhe përmendjen e Serbisë edhe në dokumentet e sigurisë kombëtare të SHBA-së, është e qartë se kemi të bëjmë me riafirmimin e rolit të saj në rajon. Ajo po konsiderohet sot si aktori kryesor dhe më i besueshëm mes vendeve që aspirojnë familjen europiane.
Çfarë na jep të kuptojmë se luhatjet në peshoren e vendeve dhe shoqërive lidhen me shkathtësinë diplomatike, por sidomos me seriozitetin. Shqipëria dhe shqiptarët sot vuajnë paradoksin e të qenit një popull properëndimor, por të përfaqësuar nga politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Si të tillë ata e kanë të pamundur të shkëputen nga varësia prej kukulle nga Perëndimi. Në këtë kontekst duhet ta lexojmë edhe faktin se përse tezat e rrezikut rus nuk ecin në rastin e Shqipërisë, sado bukur t’i artikulojë ato kryeministri aktual.
Askush nuk flet për një rrezik të tillë mes shqiptarëve, ndaj askush nuk e beson këtë përrallë. Në rastin e Serbisë po, sepse elita serbe ka bërë edhe akte që flasin për një mundësi prapakthimi drejt Rusisë. Ajo ka blerë armë masivisht, ajo mirëpret drejtuesit rusë, Beogradi zyrtar nuk i është bashkuar sanksioneve dhe as tensioneve diplomatike për çështjen “Skripal”. Ai ka adoptuar doktrinën e neutralitetit ushtarak dhe nuk heziton të lobojë kundër Kosovës që është investim perëndimor.
Me një diplomaci të qartë me natyrë tregëtare, Serbia po synon të fitojë maksimalisht duke pranur lëshimin e Kosovës që në fakt nuk e ka dhe në këtë lojë ka fituar dakordësinë e Perëndimit që rakordon si të dojë Prishtinën zyrtare. Ky është shembulli më i qartë se politika me një drejtim nuk është më fitimprurësja, por edhe i faktit se gënjeshtra siç thotë kryeministri, I ka këmbët e shkurtra.
Teza e një rreziku të huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët në fakt më shumë vjen nga Turqia, e cila po ecën përherë e më shumë larg Perëndimit. Arrestimi i gulenistëve në Kosovë dhe autoritarizmi në rritje i saj, bashkë me politikat fetare përbëjnë një mishellë shpërthyese. Turqia do të ishte mjeti analog i shqiptarëve kundrejt BE-së që vlerëson gjuhën e forcës. Por raportet me këtë vend nuk janë asgjë më shumë sesa raporte preferenciale mes Edi Ramës dhe presidentit Erdogan. Aty nuk ka ndonjë gjë reale mes popujve. As edhe interesa reciproke, pasi përveç ndihmave bujare, në realitet nuk ka ndonjë marrëdhënie strategjike dhe investime që të flasin për ndonjë qasje të re. Njësoj si nga Perëndimi, Shqipëria dhe shqiptarët po mbahen edhe nga Turqia si partnerë të komandueshëm nga interesa të personalizuara dhe jo nga vlerësimet reale gjeopolitike. Kjo vetëm për shkak të këtij përfaqësimi politik të deformuar dhe të inkriminuar tonin në të trija shtetet ku kemi prezencë.
Add new comment