Bërryla korrupsioni

Postuar në 13 Prill, 2018 11:48

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje gjatë një interviste në ABC News se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, i ka kërkuar ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla arrestimin e tij. Berisha ka shtuar se Llalla i ka referuar këtë kërkesë ish-presidentit Bujar Nishani që mesa duket është burimi i informacionit. Ky deklarim pason provokimin ndaj Presidentit të Republikës, i cili përfshihej si figurë e korruptuar në një përmbledhje të raportit të Freedom House publikuar nga Zëri i Amerikës.

Nuk është rastësi, që nga raporti në fjalë që fliste për korruptimin e qeverisjes, prirjet autokratike të kryeministrit dhe faktin se zgjedhja në mënyrë të njëanshme të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, Arta Marku, u përzgjodh pikërisht pasazhi që fliste për “Ilir Metën simbol të korrupsionit”. Bashkë me lajmin e qarkulluar po atë ditë se Adriatik Llalla përmes një letre drejtuar Departamentit të Shtetit njoftonte ndër të tjera se ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës, të dyja plotësojnë kuadrin politik të sulmit që po zhvillohet.

Ka patur disa interpretime për këtë që ndodhi e që është në fakt episodi i radhës në lojën e nervave mes palëve të përfshira në konflikt. Mazhorancës i duhet një simbol korrupsioni, bashkë me një kërkesë për arrestime të nivelit të lartë, qoftë për të arsyetuar çdo veprim që mund të ndërmarrë një prokurori e frakturuar nga mënyra si u zgjodh Arta Marku, qoftë edhe për justifikuar një dështim eventual të hapjes së negociatave me BE-në. Nuk është hera e parë që Ilir Meta bëhet kokë turku, për shkak të perceptimit se ai përfaqëson model korrupsioni në Shqipëri.

Nga ana tjetër, dalja e djeshme e Berishës, një politikan ndaj të cilit një pjesë e medias pranë PS-së kërkon me ngulm arrestimin e tij apo të familjarëve të tij, shkon në drejtim dyfishtë të kompromentimit të Prokurorisë. Duke iu bashkuar presidentit në “fatin” e arrestimit të kërkuar jo mbi bazë provash, por rekomandimesh diplomatësh të akredituar në Tiranë, e për të cilët opozita ka akuza të hershme, mes të cilave ajo e lidhjeve më George Soros, Berisha në fakt po nxit idenë se kemi të bëjmë me përpjekje për bllokimin dhe burgosjen e opozitës. Ambasadori Donald Lu reagoi menjehërë duke i dhënë garanci presidentit Meta se ndaj tij SHBA apo selia diplomatike në Tiranë nuk ka ndonjë pretendim, e aq më shumë ndonjë përpjekje për ta arrestuar.

Në këto kushte është e llogjikshme të pritet që Romana Vlahutin të kërkojë takim me Sali Berishën, çka nëse ndodh do të ketë si rezultat imediat një tjetër paradoks: Adriatik Llallën do ta ekspozojë si gënjeshtar në detyrë, çka përbën shkelje të rëndë. Zotëria është me vizë të kuqe nga SHBA dhe ndoshta ka interes që të luftojë duke tërhequr edhe të fuqishmit që dikur i ofronin mbrojtje, ndërkohë që këta të fundit, pra Berisha dhe Meta po kërkojnë që të heqin nga vetja idenë e ngulitur se për ta SHBA dhe BE kërkon arrestimin. Suksesi i reformës në drejtësi qeverisë aktuale i intereson nëse orkestrohen disa goditje spektakolare sa për të bërë show. Për këtë mbështetja e huaj është e nevojshme, ndaj mohimi i saj, si në rastin e takimit Meta-Lu është jo pa rëndësi.

Teksa këto përpëlitje evidentojnë ankthin e Berishës, që me gjasë është shitur edhe nga të vetët, është me vend të vihet në dukje një përpjekje e ethshme e analistëve të ndryshëm pranë kryeministrit për të qetësuar Ilir Metën. Ky i fundit shantazhoi hapur kur në përgjigje të raportit të Freedom House, nënkuptoi se ka diçka në sirtar për ata që i quan “simbole të korrupsionit në Shqipëri” dhe ndoshta këto fjalë i kanë rënë një zileje në qeveri duke prishur gjumin. Lojë e vockë nervash, lojë e Adriatik Llallës, apo edhe vetë kryeministrit, kjo ka pak rëndësi. Vështirësia për të deshifruar këto lëvizje provon në fund fare se e gjithë klasa politike, e bashkë me të edhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë janë pjesë e të njëjtave interesa që pak gjasa ka të jenë diçka më shumë se interesa ekonomike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.