Zaev i mbijeton mocionit të mosbesimit
Parlamenti i Maqedonisë hodhi poshtë mocionin e mosbesimit të kërkuar nga opozita për qeverinë e Zoran Zaev. Në votimin e kryer pas mesnate, pro kërkesës të paraqitur nga ana e VMRO-DPMNE votuan 40 deputetë (që u përkasin partive të opozitës), ndërsa 62 deputetë nga partitë e koalicionit qeverisës votuan kundër. Votat që garantuan mbijetesën e qeverisë ishin ajo e deputetit Blagoja Despotoski nga VMRO-DPMNE dhe Vesel Mehmedit nga Aleanca për Shqiptarët, partia e të cilit u largua pak kohë më parë nga koalicioni qeverisës.
VMRO-DPMNE argumentonte në mocionin e mosbesimit se të gjitha politikat e ndërmarra në dhjetë muajt e parë të qeverisë Zaev kanë dështuar. Kthimi i VMRO-DPMNE-së në parlament i kombinuar me paraqitjen e një mocioni mosbesimi kundër qeverisë së Zoran Zaev, sipas analistëve politikë në Shkup ishte një lëvizje taktike për të justifikuar ndërprerjen e bojkotit.
VMRO-DPMNE bojkotoi për tre muaj punimet e Parlamentit në shenjë proteste për burgosjen e deputetëve në incidentet e dhunshme të seancës së 27 prillit 2017, kur mbështetësit e Nikola Gruevskit sulmuan parlamentin dhe deputetët e partive shqiptare.
Kristian Mitskoski, i cili dhjetorin e kaluar mori udhëheqjen e partisë nga Nikolla Gruevski është duke u përpjekur për të ndryshuar imazhin e partisë për ta kthyer atë në një forcë politike të qendrës së djathtë, pro-europiane dhe pro-perëndimore, larg linjës nacionaliste të viteve të fundit.
Add new comment