Taksë e sheshtë apo progresive?

Postuar në 10 Prill, 2018 10:23

Partia Demokratike i është rikthyer edhe njëherë idesë për rikthimin e taksës së sheshtë. Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, duke iu referuar tatimit mbi të Ardhurat personale tha se do të shfuqizojë normën progresive, për të miratuar tatimin 9 për qind për pagat. Të ardhurat që vijnë nga paga zënë rreth 60 % të strukturës së tatimit mbi të ardhurat personale dhe për opozitën kjo tregon se politika e qeverisë për taksën progressive rëndon më shumë tek shtresa e mesme dhe rrogëtarët, barra e të cilëve është rritur, duke reduktuar të ardhurat.

Prandaj, edhe në planin ekonomik të qeversjes, PD ka propozuar përjashtimin nga ky sistem taksimi për të gjitha pagat nën 35.000 lekë dhe uljen e normës së tatimit në 9 për qind për të gjithë pagat mbi 35.000 lekë. Që nga viti 2014, në fuqi është taksimi progresiv, ku për pagën deri në 30 mijë lekë, të ardhurat nuk tatohen, më tej nga 30.000 deri në 130.000 lekë tatohet 13 për qind e shumës dhe për pagat mbi 130 mijë lekë tatimi është 23 për qind. Por, kjo skemë ka lënë vend edhe për evazion, i shfrytëzuar ky brenda hapësirave ligjore, ku individë me paga të larta, për t’ju shmangur 23 përqindshit, kanë pranuar të mbajnë pagë të deklaruar më të ulët se 130 000 lekë. 

Edhe pse është një nga burimet kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit, e cila zë 8,6% të të ardhurave tatimore, për vitin 2017 ka një mosrealizm me 11 për qind nga plani. Për këtë zë ishte planifikuar të arkëtoheshin 36 miliardë lekë, por në fakt janë realizuar 32 miliardë lekë. E megjithatë, në buxhetin e vitit 2018, qeveria planifikon rritjen e të ardhurave nga zëri i “Tatimit mbi të ardhurat personale” me 3.3 miliardë lekë shtesë në vit, ndërsa ka pasur propozime edhe nga bizneset që të ndërrojë këtë skemë tatimi. 

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.