Të kishim dëgjuar Hrushovin nuk do ishim bërë kaq qesharakë
Sot shqiptarët konsistuan në dy akte të njëkohëshme që edhe sikur të mos jenë të koordinuara, përcjellin një mesazh të qartë: Perëndimi nuk do të tolerojë më vakuumin e krijuar në Ballkanin Perëndimor dhe në zona ku eksperimentohet me durimin e aktorëve krysorë si Kosova.
Largimi në mënyrë poshtëruese i zyrtarit serb Marko Gjuriç dhe vendimi i qeverisë shqiptare për të dëbuar dy diplomatë rusë në Tiranë, bashkë me zhvillimet në Maqedoni, flasin se loja e tensionit pasiv po shkon drejt fundit dhe diçka do të rikalibrohet.
Në të dyja rastet, është e vështirë të mendohet se vendimet kanë qenë sovrane, pra të politikës shqiptare. Pasi as në Kosovë dhe as në Shqipëri nuk duket se fitohet gjë realisht nga kjo sjellje.
Ndërhyrja e policisë kosovare është me të vërtetë një shprehje për të vënë kufirin te thana për zyrtarët serbë që pëlqejnë ta trajtojnë Kosovën si bahçen e tyre, por ajo është joproporcionale. Ne e dimë se Kosova si shtet nuk ka fuqi të luajë me aksione të tilla pa një prapavijë të fortë të atyre që janë tutorët dhe garantët e pavarësisë së saj. Në këtë kuadër, Beogradi zyrtar mund të largohet më tej drejt Rusisë përkundrejt kërbaçit që po vjen nga Perëndimi e që për sytë e sllavëve aplikohet me duart e shqiptarëve.
Por nëse në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me një zhvillim dramatik, pasojat e të cilit vështirë se mund të llogariten qysh tani, në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me një komedi, madje një karneval politik e diplomatik.
Një shtet që ka një minimum tradite duhet që vendimet e vështira t’i argumentojë së paku formalisht. Ne sot u njohëm me një deklaratë të Ministrisë së Jashtme sipas të cilës largimi i dy diplomatëve rusë nga Shqipëria bëhej pasi “veprimtaria e tyre nuk ishte në përputhje me statusin e tyre diplomatik”.
Siç mund të merret me mend, qeveria shqiptare po na thotë se dy përfaqësuesit kryenin aktivitet spiunazhi.
Mirëpo në një lidhje telefonike me Top-Channel në mbrëmje, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndryshoi versioni plotësisht duke kaluar madje në një pozicion qesharak të atij që justifikohet.
Kemi kaluar në një fazë tjetër, atë të koordinimit të veprimeve me partnerët tanë në NATO, dhe ky është një veprim i koordinuar me to, në përgjigje të zhvillimeve të fundit, sidomos pas rastit që u bë publik në Mbretërinë e Bashkuar
tha ministri.
I pyetur për aktivitetin e dy diplomatëve në fjalë, ministri nuk diti të thoshte më shumë sesa këngën e NATO-s.
Natyrisht, Shqipëria është një vend që ka qartësi strategjike për sa i përket sidomos vlerave dhe parimeve kryesore Euro-Atlantike. Ka pasur në të shkuarën qëndrime që janë shprehur në rrugë zyrtare, si nga Ministria e Mbrojtjes ashtu edhe nga struktura të tjera shtetërore. Por mund t’ju them se 48 orët e fundit ka pasur një koordinim brenda NATO-s, edhe me partnerë të rëndësishëm, anëtarë të BE, mbi format dhe mënyrat se si mund t’i përgjigjeshim asaj çka u bë publike në Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas provave paraprake flitet qartë për implikime nga ana e palës ruse
Pra zyrtarisht shteti shqiptar njofton për dy agjentë të sapozbuluar, kurse ministri i Jashtëm flet për një vendim të marrë në koordinim me aleatët. Z. Bushati madje ka thënë se “nuk është se është një nga ato takime që dikush do të dëshironte që të përballej”, duke na lënë të kuptohet se vendimi në fjalë është në kundërshtim me çdo mirëkuptim edhe njerëzor.
Në reagimin e vet më të fundit, Ministria e Jashtme ruse e quan këtë valë reagimesh si një “akt jomiqësor i cili nuk përputhet me objektivat dhe interesat për të zbardhur arsyet dhe për të identifikuar përgjegjësit e incidentit të ndodhur më 4 mars 2018 në Salisbury”.
Një “gjest provokues i solidaritetit famëkeq me Londrën”... të vendeve që “po e zbatojnë verbërisht parimin e unitetit euroatlantik në dëm të gjykimit të shëndoshë, rregullave të dialogut të qytetëruar ndërshtetëror dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.
Pak a shumë këtë ka dashur të na thotë edhe ministri Bushati, pozicioni i të cilit është i mirëkuptueshëm. Në ndryshim nga pozat, pasi për pozicione është e tepërt të flitet për ata që shkruajnë vetëm pro-partisë, apo të ndonjë analisti që u thotë lexuesve se “Rusia e ka ngritur dorën në tryezat ndërkombëtare vetëm kundër shqiptarëve”, apo se “Rusia e kushtëzon qasjen ndaj shqiptarëve me marrëdhëniet me serbët”.
Kjo është e pavërtetë, sepse ne e dimë që në shekullin e 20-të Rusia ka patur një periudhë qëndrimesh pro-Shqipërisë, për anëtarësimin në OKB, për shmangien e copëtimit në vitin 1946 nga ajo Britani që sot po kërkon të tundë botën për helmimin e një njeriu që kishte shtetësi ruse pa u mbyllur hetimet e që e cila vuri bllok ndaj Shqipërisë në çdo drejtim për dekada të tëra.
Këto “lajthitje” që tradhëtojnë kthjellësinë e argumentit nuk i shërbejnë asgjëje. Sidomos kur vetë qeveria shqiptare po pranon se vendimi i është imponuar.
E gjitha kjo tallava e turpshme në politikën e Jashtme të Shqipërisë, kërkon patjetër rishqyrtim dhe analizë. Kërkon një qasje të re për çështje ku nuk mund të ecet pandalim verbërisht. Sigurisht, rusët mundet edhe të ndjekin shembullin e Iranit, që thjesht e ka injoruar gurgulenë diplomatike të Tiranës zyrtare duke e quajtur në mënyrë të panevojshme ish-presidentin Ahmedinaxhad si një Hitler të Lindjes së Mesme.
Kjo situatë ku Shqipëria dhe qeveria e saj në krye të të cilit qëndron një kryeministër që ndoshta tani e merr ndonjë foto me Donald Trump, kërkon një protagonizëm që nuk ja ka takatin të kujton atë këshillën e Nikita Hrushovit që i sugjeroi Enver Hoxhës të mbillte portokalle dhe mandarina. Këshillë që sigurisht u analizua në prizmin e një dredhie sllave për ta lënë Shqipërinë tonë të dashur pa bukë. Por e cila edhe pse e kapi hilenë qysh në mëngjes, mbeti që mbeti pa bukë dhe më e varfra. Njësoj si sot që është më e rraskapitura dhe më e korruptuara. Dhe ç’është më e keqja: më Qesharakja në rendin e shteteve të Europës. Edhe pse vazhdon ta kapë hilenë dhe dredhinë e botës në kohë reale.
Comments
Ajo qeveri qe na ka ndihmuar
Ajo qeveri qe na ka ndihmuar atehere ka qene komuniste dhe nuk ka lidhje fare me kete sistem qeverisje qe eshte tani ne Rusi ,dhe biles nuk quhej Rusi, por Bashkimi Sovjetik
Nuk ka lidhje sepse ajo qeveri e komunisteve kishte parime te tjera qeverisese --ndaj dhe na ndihmoi
Ndersa kjo qeveri Ruse qe esht sot , eshte njelloj si sistemi i qeverisjes ruse qe ishte para Bashkimit Sovjetik, pra ne kohen e Carit --Dhe ne e dime se qeverite ruse gjate kohes se Carit ishin te betuara anti-shqiptare, Biles ajo qeverisje ruse na katandisi Shqiperine kaq te vogel, duke na u marre tokat ne favor te fqinjeve serbe e malazeze dhe greke
Pra kjo lloj qeverie qe esht sot ne Rusi eshte nacionaliste , sic ishin qeverite cariste, dhe eshte nje qeveri anti-shqitpare me trashegimi historike dhe me trashegimine e tanishme
Ndaj , ne si vend i vogel, esht normale te veprojme ne sitnoni me aleatet tane
Rusia , NATO dhe PS
Rusia e sotme nuk eshte me komuniste si dikur, eshte antishqiptare, prandaj rrjedhimisht edhe PD eshte antishqiptare pasi financohet nga fondet e kesaj Rusie! Kurse PS sot prape po vepron ne favor te interesave te Shqiperise sic vepronte dikur PPSH duke pranuar ndihmen e Rusise se dikurshme komuniste dhe pozitive! PPSH u transformua ne PS dhe Rusia komuniste u nderrua ne NATO, si miq te Shqiperise! Sidoqofte e njejta parti PPSH apo PS mbron interesat kombetare, kurse te tjeret jo! Shume e mire PS, ne te gjitha koherat! Hahahahahahah
Add new comment