Botohet “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”

Postuar në 26 Mars, 2018 16:12
Intervistoi: Blerina Goce

 “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” është vepra më e re studimore e akademikut Kolec Topallit. Ky botim është kurorëzim i punës 45 vjeçare të tij në fushën e albanologjisë dhe vjen natyrshëm pas botimit të 14 monografive për historinë e gjuhës shqipe, për fonetikën dhe gramatikën historike, në të cilat Topalli ka trajtuar edhe etimologjinë e shumë fjalëve, duke dhënë mendime të reja për shumë prej tyre.

Për hapësirën studimore gjuhësore shqiptare botimi i këtij fjalori ka një kuptim të veçantë, sepse gjuhës shqipe i ka munguar një fjalor i tillë, ashtu siç e kanë të gjitha gjuhët indoeuropiane, të reja e të vjetra. Në një intervistë për TemA TV, Kolec Topalli shpjegon pse janë të paktë fjalorët e tillë të botuar për gjuhën shqipe dhe pse deri më sot janë hartuar nga të huajt, si dhe punën e tij me këtë fjalor, në raport edhe me punët paraardhëse që kanë të njëjtin objekt studimi.

Keni vetëm pak kohë që keni publikuar “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe”. Ç’do të thotë botimi i këtij fjalori për ju dhe për krejt hapësirën studimore gjuhësore shqiptare?

Botimi i “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe” është  kurorëzim i punës sime 45 vjeçare në fushën e albanologjisë. Kjo vepër me afro 2000 faqe, në fushën më të vështirë të gjuhësisë, vjen natyrshëm pas botimit të 14 monografive për historinë e gjuhës shqipe, për fonetikën dhe gramatikën historike, në të cilat kam trajtuar edhe etimologjinë e shumë fjalëve, duke dhënë mendime të reja për shumë prej tyre.

Për hapësirën studimore gjuhësore shqiptare botimi i këtij fjalori ka një kuptim të veçantë, sepse gjuhës shqipe i ka munguar një fjalor i tillë, ashtu siç e kanë të gjitha gjuhët indoeuropiane, të reja e të vjetra. Kjo lidhet kryesisht me vështirësitë e kësaj pune, me çka shpjegohet që ata të paktë fjalorë të tillë që janë botuar për gjuhën shqipe deri më sot janë hartuar nga të huajt. Të tillë janë: fjalori i Gustav Majerit, i botuar gjermanisht para më shumë se një shekulli dhe fjalori i Vladimir Orelit, i botuar anglisht në fund të shekullit të kaluar. Por këta dy fjalorë për shumë arsye nuk mund ta plotësojnë nevojën e sotme për një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe, i pari i botuar para më shumë se një shekulli, i mangët në materiale dhe i vjetruar nga shumë anë; i dyti, i hartuar përsëri nga një i huaj, që nuk e njihte tërë pasurinë leksikore të gjuhës shqipe dhe kishte prirje të theksuara sllavistike. Kjo është arsyeja që gjuhës shqipe i mungonte një fjalor i tillë, që të pasqyronte rezultatet më të reja të kësaj disipline gjuhësore, të mbështetura në të dhënat më të fundit shkencore.

Pse vendosët t’i përkushtoheshit punës për këtë fjalor? Sa kohë ju është dashur të punoni me të?

Vendosa t’i përkushtohem hartimit të këtij fjalori duke menduar se ai plotëson një zbrazëti në studimet tona etimologjike dhe do t’u shërbejë një mase të madhe lexuesish, jo vetëm gjuhëtarëve e pedagogëve, por edhe shkrimtarëve e poetëve, historianëve e gjeografëve, botanistëve e zoologëve, mjekëve e inxhinierëve, studentëve e nxënësve e deri njerëzve pa ndonjë arsim të veçantë, që duan të dinë burimin e fjalëve të gjuhës që flasin.

Për kohën e hartimit të këtij fjalori, duhen pasur parasysh dy aspekte. Vetëm për ta hartuar e për ta hedhur në kompjuter më janë dashur 6 vjet punë, duke punuar pa orar, ditën e natën. Por në të është përfshirë puna ime e 45 vjetëve në fushat e ndryshme të historisë së gjuhës. Për kohën e hartimit të tij, po sjell për krahasim “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, botim i vitit 1980, për të cilin ka punuar për rreth 10 vjet një institut i tërë, me 14 bashkëpunëtorë shkencorë dhe me personel ndihmës (daktilografiste, karteliste, arshiviste etj.).

 Mund të bëni një lloj pasqyre krahasimi mes fjalorit tuaj dhe fjalorit të Majerit? Sa ju ka ndihmuar puna e paraardhësve tuaj, si Majer apo Çabej, në këtë studim?

Fjalori etimologjik i Majerit (i përkthyer kohët e fundit nga Anila Omari) do të jetë gjithnjë si pikënisje në studimet e kësaj natyre. Ai ka qenë një gjuhëtar shumë i përgatitur dhe me një nuhatje të mprehtë për të tilla hulumtime. Kjo është edhe arsyeja që fjalorin e tij e merr si pikënisje Çabej në studimet e tij etimologjike. Por fjalori i Meyerit u botua më 1891, kur nuk njihej mirë pasuria leksikore e shqipes. Madje, as Buzuku nuk ishte zbuluar dhe Majeri u mbështet kryesisht në të folmet e arbëreshëve, si rrjedhim fjalori i tij ka shumë fjalë të huaja. Veç kësaj, që nga ajo kohë e deri më sot gjuha shqipe dhe etimologjia kanë bërë shumë hapa përpara, që janë pasqyruar në studimet e nëvonshme dhe në fjalorin tim.

Me studimet e Çabejt lidhja e fjalorit tim është më e ngushtë dhe më e drejtpërdrejtë. Studimet e tij etimologjike janë më të plotat dhe më të saktat, sepse literaturën e mbledhur nëpër libra e revista, biblioteka e arkiva të vendeve të shumta të Europës, Çabej diti dhe mundi ta bashkonte me materialet e gjuhës shqipe, që e njihte aq mirë, me rrënjë e me degë. Ai e solli etimologjinë në Shqipëri dhe e ngriti atë në një stad kaq të lartë, sa i kaloi studimet e të huajve në këtë fushë. Për këtë arsye studimet e tij më kanë shërbyer si një pikëmbështetjeje dhe bazë e shëndoshë për fjalorin e posabotuar. Veç kësaj, me studimet e tij, Çabej u mësoi pasardhësve parimet dhe metodën e kësaj pune kaq të vështirë, që kërkon përgatitje të veçantë, mendje të mprehtë, vullnet e këmbëngulje, veti që nuk i mungonin dijetarit të madh. Është fatkeqësi që vdekja ia ndërpreu punën që kishte nisur për zgjerimin dhe plotësimin e studimeve etimologjike, të botuara në revistat “Buletin i Universitetit Shtetëror” dhe “Studime Filologjike” (kishte arritur deri tek shkronja F, te fjala flu  

A keni dijeni për Fjalorin Etimologjik të Shqipes me autor Vladimir Orelin?!

Këtë fjalor e kam mbi tryezën time të punës dhe e kam konsultuar e cituar gjithnjë në fjalor. Por, siç e thashë më sipër, fjalori i Orelit, megjithëse i botuar në fund të shekullit të kaluar, nuk mund ta kryejë funksionin e një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, jo vetëm se është i papërkthyer, por më tepër për mangësitë që vura në dukje më sipër.

Mund të flisni shkurtimisht për etimologjinë e shqipes, lidhjen e saj (dhe tuajën si studiues) me gjuhët e reja dhe të vjetra? 

Studimet për etimologjinë e shqipes kanë nisur mjaft herët, që me hulumtimet e para në fushë të indoeuropianistikës, duke vijuar deri në ditët tona. Të bindur në vlerat e mëdha që ka etimologjia për krahasime të jashtme gjuhësore për të përcaktuar karakterin e një gjuhe, shkencëtarët indoeuropianistë e drejtuan vëmendjen e tyre që herët në këtë degë gjuhësie për të përcaktuar përkatësinë indoeuropiane të shqipes dhe lidhjet e saj me gjuhët e tjera të kësaj familjeje. Prandaj kontributet e para në këtë fushë i kanë dhënë gjuhëtarët e huaj, që janë marrë me studimin e historisë së shqipes për më shumë se një shekull e gjysmë, në mënyrë të veçantë Bopi, Majeri, Mikloshiqi, Pederseni, Jokli e shumë të tjerë, kohët e fundit Hampi, Oreli. Krahas këtyre, kontribute me vlerë kanë dhënë edhe gjuhëtarët shqiptarë e arbëreshë, në mënyrë të veçantë Dhimitër Kamarda e Marco La Piana prej arbëreshëve të Sicilisë dhe Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Martin Camaj, Selman Riza, Kolë Ashta etj. prej shqiptarëve.

Ç’vend zë e folmja e Kosovës në fjalorin tuaj? Si qëndron ajo në raport me dialektet gjuhësore të shqipes?

Fjalori etimologjik i posabotuar nuk është vetëm për shqipen e Shqipërisë dhe as për gjuhën standarde. Përkundrazi, ai ka material nga të gjitha trevat shqiptare duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Greqinë, si edhe diasporën shqiptare në Itali, Greqi, Bullgari, Ukrainë, Dalmaci. Prandaj edhe e folmja e Kosovës është trajtuar si një nëndialekt i shqipes, i gegërishtes verilindore, me një pasuri të madhe gjuhësore. Nëse shqiptarët u shpërndanë në gjashtë shtete në Gadishullin Ballkanik, gjuha shqipe është një dhe e pandarë, ashtu siç është i pandarë edhe kombi ynë. Prandaj edhe vepra është quajtur Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe.

Si erdhi ky botim? Kush ju mbështeti financiarisht?

Fjalorin e kam botuar me kursimet e mia. Për vepra të tilla me vlerë mbarëkombëtare duhet të ndërhyjë shteti, pasi shpenzimet janë të konsiderueshme. Por shteti ndërhyn atëherë kur institucionet shkencore paraqesin vlerat e mëdha të një vepre dhe nevojën e shpenzimeve suplementare. Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë mora përgjigjen “S’kemi fonde”; kurse Qendra (Akademia) e Studimeve Albanologjike, pas një pritjeje të gjatë, më premtoi ta botonte me një tirazh minimal prej 500 kopje, edhe këtë pa caktuar afat. Kjo është arsyeja që vendosa ta botoj me shpenzimet e mia.

Si dëshmohet karakteri i veçantë i shqipes si një gjuhë indoeuropiane dhe rruga vetjake e zhvillimit?

Karakteri i veçantë i shqipes dhe përkatësia e saj në familjen indoeuropiane të gjuhëve është përcaktuar nga dijetarët indoeuropianistë që para dy shekujsh, duke krahasuar elementet thelbësore të shqipes me ato të gjuhëve të tjera të kësaj familjeje, siç janë në fushën e leksikut fjalët e fondit themelor (atë, ëmë, motërkrye, sy, ballë etj.), sidomos përemrat (unë, ti, ai, ajo etj.) e numërorët (një, dy, tre etj.). Kjo është edhe arsyeja për të cilën etimologjia qe dega e parë që u zhvillua nga albanologët e huaj.

Elementi tjetër thelbësor i shqipes, që ka shërbyer për të përcaktuar karakterin e saj indoeuropian, është gramatika. Gjuha shqipe ka karakter analitiko-sintetik, ashtu si shumica e gjuhëve të tjera të kësaj familjeje dhe ka trashëguar prej indoeuropianishtes sistemin e saj grmatikor, që e ka zhvilluar më tej me disa veçori që nuk i kanë gjuhët e kësaj familjeje. Kjo dëshmon se shqipja ka ndjekur një rrugë vetjake ndryshimesh, gjë që duket sidomos në mënyrën e veçantë të krijimit të nyjave dhe të sistemit rasor të emrave, në formimin e përemrave pronorë etj.

Mund të bëni një përshkrim të zhvillimit dhe ndryshimit të shqipes në etapa të ndryshme historike?

Për shkak të dokumentimit të vonë të shqipes, vetëm në mesjetën e vonë, përshkrimi i zhvillimit dhe i  ndryshimeve të shqipes në etapa të ndryshme historike është i vështirë, në mos i pamundur të bëhet. Prandaj edhe gjuhëtarët që janë marrë me periodizimin dhe ndryshimet e shqipes përgjatë shekujve kanë marrë për bazë dukuritë gjuhësore të shqipes për të përcaktuar etapat e ndryshme të zhvillimit të saj. Një përshkrim i ndryshimeve të shqipes mund të bëhet vetëm për periudhën letrare duke filluar me shekullin XVI (Buzuku) e deri më sot, ku shihet se shqipja, sidomos gegërishtja, ka bërë ndryshime të mëdha. 

Nëse ka diçka për të cilën duhet të flitet sot për gjuhën shqipe, cila është? A ka ndonjë ‘alarm’ për të cilin duhet të vetëdijësohemi në drejtim të gjuhës?

Alarmi për të cilin duhet të bëhemi të vetëdijshëm në drejtim të gjuhës është trysnia e gjuhëve të huaja, sidomos anglishtes dhe gjuhëve neolatine (italishtes e frëngjishtes). Mungesa e kujdesit për gjuhën po e mbush shqipen me fjalë të huaja të panevojshme, duke mënjanuar shpesh fjalët shqipe. Kujdes duhet të bëjnë sidomos shkrimtarët, përkthyesit, gazetarët e çdo intelektual tjetër që lëvron gjuhën shqipe, me qëllim që ta ruajmë atë sa më të pastër e larg ndikimeve të huaja të panevojshme.

TemaTv 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.