Dilemat e para politike të Erjon Veliajt
Erjon Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës ka hedhur një hap të parë drejt asaj që mund të rezultojë një përballje e fortë poltike brenda Partisë Socialiste. Duke folur në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, z. Veliaj ka deklaruar se ai është i gatshëm të rikandidojë por kjo sipas tij nëse Partia Socialiste e vendo kështu.
“Unë nuk jam këtu për të vetëkandiduar”, tha ai.
Është pak e çuditshme që një çështje e tillë të hapet tani. Po dje, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se ajo dhe forca e saj dëshiron që z. Veliaj të kandidojë sërish.
Ka shumë pak të dhëna zyrtare dhe publike për atë që fshihet pas kësaj që po ndodh. “Rekomandimi” i zonjës Kryemadhi ka brenda disa hile: së pari ai është një mënyrë për të kujtuar vlerën e votës së LSI-së që kësaj radhe z. Veliaj nuk e ka. Nëse është kështu rikandidimi i Veliajt me garancitë e PS-së edhe në rast humbjeje do të përgjysmonte faturën e saj.
Së dyti ka një diskutim informal mbi një ftohje dhe prishje marrëdhëniesh mes z. Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama. Kjo nuk është më as sekret. Deri në fushatën e fundit për zgjedhjet lokale ne shikonim kryeministrin që takohej shpesh me kryebashkiakun, nuk i kursente lëvdatat, madje edhe lojën e basketbollit. Z. Rama madje bëri fushatë në vetë të parë për Veliaj në vitin 2015. Por ka shumë kohë që këta të dy nuk shihen më bashkë.
Z. Veliaj mburret me mbjelljen e 100 mijë pemëve në Tiranë, ai ironizon PD-në që “nuk iu bashkua nismës së tij për pemët”, por ai nuk është në gjendje një herë të vetme të tregojë se cila është pema apo shkurrja që ka mbjellë kryeministri Rama.
Kjo situatë e një humori të prishur, por edhe e një lojë interesash ku z. Veliaj të kujton rolin e Ilir Beqajt në detyrën e ministrit të Shëndetësisë, që vetëm firmoste koncesione dhe merrte gjithë sulmet, është shumë e rënduar. Askush nuk di të thotë nëse z. Veliaj është një i pacipë dhe beson vërtet te strategjia e 7000 apartamenteve në vit, apo ai duhet të gëlltisë këtu një kërkesë të z. Rama i cili nuk del vetë në rreshtin e parë. Një gjë është e qartë: kryebashkiaku i Tiranës është një maniak i imazhit. Ai e di shumë mirë se kullat dhe çështja e teatrit kombëtar kanë prodhuar kostot e veta. Taksat e shtuara për të cilat iu tërhoq veshi me djallëzi edhe nga kryeministri, apo edhe mënyra sesi kërkon të mbajë hapur punë që nuk janë punë, kanë po ashtu kosto jo të vogla.
Ai ndjen me siguri braktisjen e llogaritur tanimë nga kryeredaktori i lajmeve të mira dhe të këqija në PS.
Sigurisht është ende herët për të sqaruar dhe kuptuar se çfarë po ndodh. Ata që e njohin PS-në e Edi Ramës që në kohën e opozitës së saj e mbajnë mend fare mirë sesi deputetë të saj, pyensin gazetarët e mediave të majta se çfarë po ndodhte pse ishin tërësisht të painformuar. Z. Rama mesa duket e njeh mirë teknikën e bukosjes së asaj pak logjike që ka në politikë me lloj- lloj hamendësimesh që ushqejnë fantazi dhe të ëvrteta që mund të konfirmohen vetëm nga kryeministri. Sot mesa duket në këtë qerthull është futur edhe z. Veliaj i cili ka në lojë karrierën e vet politike. Bilanci i tij siç po shihet nuk matet dhe as varet nga ditët e punëve, as nga kronikat e përgatitura në Bashki, por nga humori i kryeministrit që e sundon atë parti ca për aftësi të veta, ca për faktin se asnjë aty nuk di të profilizohet si lojtar për vendin e parë.
Add new comment