Neuroza kufitare

Postuar në 21 Shkurt, 2018 15:32

Marrëveshja e kufirit me Greqinë ka provokuar një neurozë të përgjithshme. Pasi ngriti tymin dhe ia ngeci me detyrim Ilir Metës si çështje, kryehallexhiu Sali Berisha nuk po ndihet më. I mjafton që të ketë dy institucione kundër njëri-tjetrit për kërkuar mandej protagonizmin bajat të atij që kujdeset për legjitimitetin dhe sovranitetin.

I keqpërdoruri Ilir Meta, president i Republikës po shijon surprizën e një avokatie mediatike - sipas disa koordinatava perceptuese mund të quhet edhe analizë objektive - që i mbulon rolin prej bufoni që luajti së fundmi, me publikimin e korrespondencës me Ministrinë e Jashtme.

Por teksa avokatia mediatike, edhe pse një zanat për karaktere të caktuara, është e pranueshme, përmbajtja dhe tezat e saj kanë detyrimisht një kufi. Një kufi që kërkon edhe ai një barazlargësi nga irracionalja.

Frrok Çupi publikon një opinion përmes të cilit na njofton se Ilir Meta ka në dorë fatet e luftës eventuale ballkanike. Ja se çfarë paska ndodhur në padijeninë tonë dhe ku roli i Metës paska qenë vendimtar:

Ku do të mbërrinte konflikti pas dhënies ‘qorrazi’ të plotfuqisë për Detin?

Fillimisht,  pas kësaj do të kishte marrë të drejtë precedenciale ndarja e Kosovë dhe shkëmbimi i territoreve… Thaçi dhe Rama ndodhen në të njëjtat skenarë ‘hermafroditë’: Në gjysmën e trupit shfaqen qengja, në gjysmën tjetër djaj. Kosova do të kishte nisur copëtimin menjëherë pas ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Mes konfliktit të tmerrshëm që do të ndodhte mes Preshevasve, Mitrovicarëve dhe Shkupjanëve, do të ishte ndezur konflikti Turqi- Greqi. Greqia me 1400 ishuj- diku prek, diku lëpin, diku sfidon  territoret e Turqisë- të paktën sipas pretendimeve të Ankarasë. A mund të përballohet sot një konflikt në Egje mes dy shteteve anëtare të NATO-s?  Rreziku i përhapjes mes aleatëve të secilës palë në bllokun e Euroatlantikut Verior do të rrezikonte paqen botërore…

Por ndërsa po gjeneronte konflikti i supozuar në Egje, ballkanikët  e veriut do të kishin ‘kryer punë’. Do të kishin shpërthyer serbët e Serbska Republika dhe do të kishin vënë kufi me Sarajevën. Kroatët e Bosnjës- etniteti i tretë në shtet,- do të kishin kërkuar shkëputjen. Pse jo edhe hungarezët e Serbisë që tani përbëjnë grupin e dytë etnik në shtet…

… Fija e zjarrit erdhi në pikën ku nisi: Nisi me ndryshimin e kufijve shtetërorë mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe këtu erdhi. Fati  i mirë që Kushtetuta e Republikës nuk ishte rrënuar edhe në këtë pikë; në paragrafin që Marrëveshja e shteteve kërkon Plotfuqishmërinë e Presidentit. Të tjerat janë rrënuar dhe Republika nuk ka më sovranitet pas ndryshimeve kushtetuese të kryera me qëllim…

Tani fija dhe dilema ndodhen në dorë të Ilir Metës: “Luftë apo Paqe?

Është me të vërtetë ndriçues ky sqarim dhe që këtej gjithkush mund t’i japë të drejtë edhe thirrjes së Metës për të armatosur popullin gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit. Lufta e madhe e ka bërë Shqipërinë qendër të botës edhe njëherë dhe Ilir Metën, me ndihmën e Frrok Çupit qendër të qendrës.

Por nuk mbaron këtu kjo strategji e padepërtueshme konflikti. Ajo është vetëm një pjesë. Një rol këtu ka edhe kryeministri Edi Rama, i cili lë veten të udhëtojë me imagjinatë për të rikonfirmuar për të gjithë se lajmet me atlete nuk kanë të sosur në këtë gjerësi unike gjeografike të zoologjisë politike që quhet Shqipëri. Z. Rama doli dje në tre televizione për të sqaruar imagjinatën e tij për bashkim, që është asgjë më shumë sipas tij se një shaka çamarroke e dikujt që po na thotë vetë: Ma varni një çikë, por mos më merrni seriozisht se e dini kush jam.

Neuroza e kësaj dalldie të kurdisur nuk mund të përligjë veten pa miliardat që nuk i gëzuam kurrë, miliarda që janë nafta dhe gazi. Në një shkim të një portali me lartësi 0 metra mbi nivelin e detit, udhëhequr me gjasë nga fryma kadareane e “Emblemës së dikurshme”, çështjet e kufirit lidhen pikërisht me hidrokarburet dhe këtu Shqipëria mban çelësat e pasurive të mëdha ku lojën e grekëve e lidhi Edi Rama dora vetë që vendos këtu pikat mbi “I”. Kakarisja mediatike pro Ramës dhe Metës arrin absurdin e madh kur e vendos edhe luftën italo-greke në kontekstin e një përballjeje për naftën e Shqipërisë që gjendet aty ku…z. Rama firmosi me Shell-in.

Një lojë që duket se përballë Turqisë ka Greqinë, e cila me lidhjet e saj në Shqipëri kërkon të dobësojë rivalin e tij që duket se ka “shpatullat e ngrohta”. Ky rival është Edi Rama, i cili tashmë po e zbaton planin e tij për t’i dhënë shumëkombëshes SHELL “carta biancha”-n e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe gazit në tokë dhe në det.

Deri tani SHELL është instaluar në zonën e Shpiragut, ku ka arritur të gjejë një “damar” të rëndësishëm nafte. Në janar shumëkombëshja holandeze njoftoi nisjen e operacionit për pusin Shpiragu 4. Pusi Shpiragu-4 klasifikohet si një pus i thellë dhe është pusi i katërt që shpohet nga kompania Shell Upstream Albania, pas atyre Shpiragu-2, Molishti-1 dhe Shpiragu-3.

Sot po bëhen edhe më të qarta zhvillimet e mëdha që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kjo zonë është shumë e rëndësishme dhe nuk është rastësi që Benito Musolini, ardhjet më të shpeshta në Shqipëri i ka pasur në zonën e Shpiragut.

Duket se edhe shpërthimi i Luftës Italo-Greke në 1941-shin, që është zhvilluar kryesisht në vendet ku sot po shpon SHELL, nuk kanë pasur fare shkaqet e stërthëna, por thjesht “arin e zi”, që italianët e zbuluan të parët…

shkruhet në një shkrim të “tesheshi.com”.

Fjalë pa fund për dy strategët e skenës politike shqiptare, dy pesë me hiç të kësaj dynjaje që duket se i ka bërë një bythë vend edhe teatrit politik në Tiranë. Një teatër që stukohet me pallavra që nuk ka kandar t’i peshojë, por që mund të kompensojnë budallallëkun politik kronik të dy njerëzve që sot për fat të keq parazitojnë mbi të ardhmen e një vendi që po stërlodhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.