Bumi në ndërtim, Ahmetaj nxjerr "lepurin" e radhës: Janë rritur huatë
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmetaj e justifikon rritjes së sektorit të ndërtimit me huatë e dhëna për ndërtim, duke hedhur poshtë dyshimet se "lepuri fle" diku tjetër dhe se volumi i lejeve të ndërtimit mund të ketë lidhje me pastrimin e parave nga trafiku i kanabisit në këtë sektor. Në një konferencë me gazetarët ai tha se huaja për pasuritë e paluajtshme është rritur me 6 %.
“Ekonomia është në një trajektore rritëse të qëndrueshme. Janë rritur huatë për ndërtim, si përgjigje e pyetjes se ku dalin paratë për ndërtim. Kjo rrëzon qëndrimet politike apo emocionale të çdo kujt. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme për të kuptuar se nga vjen rritja e sektorit të ndërtimit, t’ju lutesha të shihnit lejet e Bashkisë së Tiranës në vite. 24.9 mld në 2014 dhe 24.79 mld në 2017. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm”- theksoi Ahmetaj.
Instituti i Statistikave raportoi pak ditë më parë se 2017-a u mbyll si një nga periudhat ku ndërtimi ka patur bumin më të madh të 5 viteve të fundit, pas rënies që pësoi në 2008-ën.
Sipas të dhënave, autoritetet kanë miratuar 819 leje ndërtimi vetëm gjatë vitit që shkoi, një shtim me 88%, ose 384 leje më shumë se në 2016-ën. Edhe vlera e projekteve të ndërtimit është dyfishuar, duke kapur një shifër prej 500 milion dollarësh. Numri më i madh i projekteve të reja janë për kryeqytetin, ku sipas INSTAT në total në Tiranë janë miratuar 231 leje, nga 106 në 2016-ën. Këtë fakt e denoncoi edhe Lulzim Basha, sipas të cilit Bashkia e Tiranës është kthyer në lavatriçe pastrimi parash, por pa dhënë fakte konkrete.
Add new comment