Qeveria kapet gafil me emërimin e drejtorit të shkarkuar të PDIU
Qeveria është detyrruar të shkarkojë nga detyra, Erion Manohasën, Drejtor i Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Institutin e Statistikave. Manohasa ka qenë deri para pak kohësh, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, por u shkarkua me vendim të Gjykatës Administrative për shpërdorim detyre.
Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa tha në një konferencë për shtyp se “Emërimet e dyshimta të Edi Ramës në pika kyçe të administratës janë treguesi më i qartë se prapa fasadës dhe propagandës për “bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm” qëndron tepsia e pushtetit të korruptuar. Përfaqësues i PDIU-së, u shkarkua nga detyra me vendim gjykate “për shpërdorim detyre”, sepse dyshohej se firmosi një kontratë korruptive për nje laborator hemodialize ne Durrës, që nuk plotësonte asnjë kusht për këtë shërbim jetësor për të sëmurët”.
Pas këtij denoncimi INSTAT reagoi me një njoftim ku mbrojti emërimin e Manohasës, por njëkohësisht njoftoi dhe lirimin e tij nga detyra.
"Emërimi është bërë konform Ligjit për Nënpunësin Civil, Nr.152/2013 (ndryshuar me ligjin nr. 178/2014 dhe ligjin 41/2017). Është e vërtetë se Z.Erion Manohasa ka pasur një çështje gjyqësore, por çështja është pushuar dhe ai është punësuar sipas ligjit nga lista e pritjes së nëpunësve civilë. Duke u nisur, sidoqoftë nga domosdoshmëria për të mos lënë asnjë hije në integritetin absolut të INSTAT, si një institucion i një rëndësie të veçantë, Z. Erion Manohasa i është kërkuar menjëherë dorëheqja, dhe ai e ka dhënë atë"- thuhet në njoftimin e INSTAT.
Add new comment