Një mungesë afati në afatin e arsyeshëm

Postuar në 19 Shkurt, 2018 12:38
Florjan Kalaja - Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

Pas shumë vendimesh të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ngarkesës së buxhetit të  shtetit me dëmshpërblime, edhe me disa herë në vit, Kuvendi më në fund prezantoi në ligj një mjet ligjor procedural në disponibilitetin e palëve që gjykohen në gjykatat civile, penale dhe administrative në Shqipëri. Me ligjin nr. 38/2017 u prezantua në Kodin e Procedurës Civile (në vijim KPC) një gjykim i posaçëm për të mbrojtur palët nga zgjatja e proceseve me afate të paarsyeshme.

Ndryshimet kanë hyrë në fuqi më datë 05.11.2017. Neni 399/2 i KPC ka parashikuar ndër të tjera se:

a) afati i arsyeshëm për përfundimin e gjykimit administrativ në shkallë të parë dhe në apel është 1 vit për secilën shkallë gjykimi;

b) afati për përfundimin e gjykimit civil në shkallë të parë, në apel dhe në Gjykatën e Lartë është dy vjet për secilën shkallë;

c) afati i arsyeshëm për ekzekutimin e vendimit civil apo administrativ është 1 vit;

ç) afati i arsyeshëm për përfundimin e hetimeve është aq sa ligji procedural penal parashikon;

d) afati i arsyeshëm i gjykimit të kundravajtjeve penale në shkallë të parë është 1 vit, në shkallë të dytë 6 muaj dhe në Gjykatën e Lartë 6 muaj; ndërsa afati i arsyeshëm i gjykimit të krimeve në shkallë të parë është 2 vjet, në shkallë të dytë është 1 vit dhe në Gjykatën e Lartë është 1 vit. Në pamje të parë, dispozita duket se nuk lë gjë pa rregulluar mbi afatet e arsyeshme të përmbylljes së proceseve të ndryshme.

Megjithatë, ligji nuk ka përcaktuar afat për gjykimin në afat të arsyeshëm të rekurseve administrative në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, pasi në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 399/2 të KPC rregullohet vetëm afati i arsyeshëm në gjykimin administrativ të shkallës së parë dhe në apel. Përshtypje bën fakti, që për gjykimin penal dhe për gjykimin civil, e njëjta dispozitë e KPC, në shkronjat vijuese, përcakton në mënyrë eksplicite afat të arsyeshëm për gjykimin e rekurseve civile në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë dhe për gjykimin e rekurseve penale në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë.

Por, pavarësisht se ligj nuk ka dhe se rregullimi ligjor është i paplotë, gjykatës i duhet të zgjidhë çështjen që ka për gjykim, sikurse palës i duhet dhënë një përgjigje gjyqësore mbi pretendimin për cenimin e afatit të arsyeshëm nga tejzgjatja e gjykimit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Këtu lind nevoja që ligjin ta bëjë gjykata. Vlerësoj, se ka tri mënyra interpretimi të kësaj boshësie ligjore. Interpretimi i parë është zbatimi komplementar i ligjit për gjykimin administrativ në nenin 399/2 të KPC.

Kjo do të thotë, se referimi për të përcaktuar afatin e arsyeshëm, për sa kohë KPC hesht, duhet të bëhet te ligji për gjykimin administrativ, ku afati i gjykimit të rekursit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë është përcaktuar 90 ditë nga data e regjistrimit të çështjes (neni 60 pika 2).

Por konstatohet se ligji i gjykimit administrativ ka parashikuar afate për përfundimin e gjykimit administrativ, edhe për gjykimin në shkallë të parë dhe për gjykimin në apel (30 ditë nga regjistrimi i çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit, nenin 48 pika 2), që janë neglizhuar ndjeshëm nga neni 399/2, pika 1, shkronja “a” e KPC. Kjo do të thotë se, për efektet e gjykimit të afateve të arsyeshme, ndryshimet në KPC dhe konkretisht neni 399/2 i tij, ka lënë pa veprim dispozitat e afateve të gjykimit të parashikuara në ligjin e gjykimit administrativ.

E nëse kjo ka ndodhur për gjykatën e shkallës së parë dhe për gjykatën e apelit, nuk gjej dot arsye se pse nuk duhet të vlejë i njëjti argument edhe për afatet e arsyeshme të gjykimit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, konstatohet qartë se, e vetmja shkronjë bankete dhe referuese, tek afatet e arsyeshme jashtë KPC, është shkronja “ç”, konkretisht, afatet e arsyeshme për përfundimin e hetimeve paraprake, të cilat KPC i merr dhe referon për t’i individualizuar te Kodi i Procedurës Penale.

Kjo do të thotë se për qëllimet e konstatimit të afatit të arsyeshëm të gjykimit, afati 90-ditor i përfundimit të gjykimit në Gjykatën e Lartë dhe ligji për gjykimin administrativ nuk do të zbatohet dhe se kjo mënyrë e parë e interpretimit të boshësisë ligjore nuk pajtohet me ratio-n dhe teknikën legjislative të ndryshimeve të KPC. Interpretimi i dytë, me analogji, mundet të jetë ai që do të huazonte afatet ligjore të arsyeshme të përfundimit të gjykimit në Kolegjin Civil dhe Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë.

Por kjo linjë interpretimi nuk do të shkonte me ratio-n individualizimit e afateve ligjore të arsyeshme të gjykimit, sipas teknikës ligjore të përdorur nga ligjvënësi në nenin 399/2 të KPC, ku secila çështje – ekzekutimi i vendimit civil apo administrativ, faza e hetimit paraprak në procedimin penal, gjykimi administrativ, civil apo penal – është rregulluar më vete dhe me afate të posaçme që i përgjigjen rëndësisë, karakteristikave dhe natyrës së procesit.

Interpretimi i tretë, me analogji i boshësisë ligjore, të krijuar në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 399/2 të KPC, është ai që shton edhe një afat të arsyeshëm ligjor po në këtë pjesë të dispozitës për gjykimin e rekurseve në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Kjo do të thotë se, sikurse gjykimi i padisë nga gjykata administrative e shkallës së parë është parashikuar të përfundojë brenda 1 viti dhe sikurse gjykimi i apelit në Gjykatën Administrative të Apelit është parashikuar të përfundojë brenda 1 viti, edhe gjykimi i rekursit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë do të duhet të përfundojë brenda 1 viti nga momenti i regjistrimit.

Në këtë mënyrë, ruhet e njëjta logjikë ligjore e afateve të njëjta të arsyeshme të përcaktuara për gjykimin në Kolegjin Civil dhe Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë në raport me afatet e gjykimit të të njëjtave çështje nga gjykata e apelit apo gjykata e shkallës së parë (civile dhe penale, kundravajtje apo krime qofshin). Për rrjedhojë, vlerësoj se mënyra e tretë e bën interpretimin pajtues dhe teleologjik, për sa i përket ometimit të nenit 399/2, pika 1, shkronja “a” i KPC.

Por sapo duket se problemi i boshësisë ligjore u zgjidh, një tjetër boshësi e të njëjtit ligj shfaqet. Dispozitat tranzitore të KPC janë kujdesur për të përcaktuar afate të ndryshme të kohëzgjatjes së arsyeshme të secilit prej proceseve, të cilat janë nisur para datës së hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të KPC, d.m.th. para datës 05.11.2017. Kjo dispozitë parashikon se, për proceset e nisura para datës 05.11.2017 afatet kohore të arsyeshme shtyhen:

a) në gjykimet administrative në shkallë të parë dhe në apel, 6 muaj;

b) në të gjithë shkallët e gjykimit civil, një vit e 6 muaj;

c) në procedurat e përmbarimit të një gjykimi civil ose administrativ, 6 muaj;

ç) në gjykimet penale të shkallës së parë një vit për krime, 6 muaj për kundërvajtje dhe në shkallën e dytë e në Gjykatën e Lartë, 6 muaj për krime dhe 3 muaj për kundërvajtje.

Sikurse duket qashtër, edhe dispozita tranzitore e ndryshimeve të KPC nuk parashikon afat të arsyeshëm tranzitor për shqyrtimin e rekursit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Megjithatë, pavarësisht boshësisë ligjore, sërish gjykata duhet të gjejë zgjidhje gjyqësore dhe sërish palët duhet të garantohen në të drejtën për proces të rregullt ligjor. Vlerësoj se, edhe për plotësimin e kësaj boshësie të përsëritur ligjore në të njëjtin ligj, do të duhet të kryhet i njëjti operacion intelektual interpretativ.

Nga kjo rrjedh konkluzioni se, për rekurset e çështjeve, që janë duke u gjykuar dhe të paraqitura para datës 05.11.2017 në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, afati indikativ ligjor i arsyeshëm i gjykimit do të jetë 6 muaj. Kjo do të thotë se, leximi i nenit 499/2, pika 1, shkronja “a” e KPC duhet të bëhet sikur ajo të jetë shkruar: “1. Afate të arsyeshme të përfundimit të hetimit, gjykimit apo ekzekutimit të një vendimi të formës së prerë, për qëllimet e përcaktuara në nenin 399/1, do të konsiderohen: a) në gjykimin administrativ në shkallën e parë dhe në apel dhe në Gjykatën e Lartë, përfundimi i gjykimit brenda një viti nga fillimi i tij në secilën shkallë;”.

Kjo do të thotë se, neni 109, pika 4, shkronja “a” e Ligjit Nr. 38/2017, që ndryshoi KPC, duhet të lexohet sikur është shkruar se: “4. Për procedurat që janë duke u gjykuar në datën e hyrjes në fuqi të neneve 399/1 – 399/12, afatet kohore sipas nenit 399/2 shtyhen: a) në gjykimet administrative në shkallë të parë dhe në apel dhe në Gjykatë të Lartë, 6 muaj;”.

http://www.panorama.com.al/nje-mungese-afati-ne-afatin-e-arsyeshem/

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Se di se ç'kuptim ka te nxirrni një shkrim të një natyre thellësisht teknike, në një portal si ju! E njejta gjë dhe për një gazetë print dhe online si Panorama. Nuk paska reklamë vetëm për produkte që shiten në supermarket. Dhe njeriu i bëka reklamë vetes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.