Një debat i munguar për raportet Shqipëri-Rusi

Postuar në 19 Shkurt, 2018 13:20

Shaban Murati, publicist dhe ish-diplomat shkruan sot në “Gazeta Shqiptare”për qëndrimin e Rusisë ndaj faktorit shqiptar në Ballkan. Dke referuar ndonjë shkrim të zyrtarëve rusë dhe mandej një seri shkrimesh të mediave ruse për Kosovën, Murati nënvizon se nga Moska buron një propagandë antishqiptare disproporicionale. 
Murati është konsistent në qëndimin e vet dhe po të përdorim metrin e tij të gjykimit, do të mund të cilësohej antisllav dhe posaçërisht antirus. Më tej akoma, ish-diplomati e lidh domosdoshmërisht çdo qëndrim moderues në raport me Rusinë, me ndikime politike, okulte dhe të pjesëmarrjes në një lob filorus në Tiranë, duke injoruar çdo mundësi për një analizë alternative të realitetit në marrëdhëniet me stë dyja vendeve. 

Natyrisht, kombi shqiptar ka një përvojë të hidhur historike me Rusinë në të gjitha kohërat, në kohërat cariste, komuniste dhe postkomuniste. Është mungesë realizmi që diplomacia ruse dhe lobi rus në Shqipëri pompojnë periudhën e “vëllazërimit sovjetik” midis dy shteteve në vitet 1948-1961, kur Shqipëri ishte një nga satelitët më të nënshtruar të Moskës. Është mungesë realizmi që Moska mbështetet aq shumë tek ish- nomeklatura komuniste dhe bijtë e saj në Shqipëri. Shqipëria e shekullit 21 është tjetër. Lobi rus në Tiranë i transmeton Moskës tablo të deformuar të realitetit të shoqërisë shqiptare dhe ky lob interesohet për paratë ruse dhe jo për dashurinë ndaj Rusisë, gjë që e dëshmoi duke iu bashkuar fushatës antishqiptare me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

shkruan ndër të tjera Murati.

I cili duhet thënë se nuk dihet kë dhe çfarë përfaqëson në bindjen e vet kur flet me terma përgjithësues si Shqipëria dhe shqiptarët. Teza se marrëdhëniet Rusi- Shqipëri kushtëzohen me Kosovën është jorealiste në vetvete dhe voluntariste. Jo madje anashkalon një tjetër realitet që z. Murati e di shumë mirë, por zgjedh të mos e pohojë. Tezën se në fakt raportet mes dy vendeve kushtëzohen vetëm nga një faktor: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Është shteti në fjalë, me dominimin, fuqinë dhe interesat e veta që bllokon thellimin e marrëdhënieve dhe për këtë ka të dhëna mjaftueshëm. Ka një fakt zyrtar që e konfirmon këtë. Qoftë qeveria e Sali Berishës, qoftë ajo e tanishme, kanë deklaruar publikisht se marrëdhëniet me Serbinë nuk kushtëzohen nga Kosova, rreth së cilës të dyja shtetet kanë qëndrime të ndryshme. Ndaj është e papranueshme që raportet e Shqipërisë me Rusinë të kushtëzohen me Kosovën, ndonëse ato duhet të marrin në llogari këtë realitet. Kjo për arsyen e thjeshtë se interesat dypalëshe janë shumë më komplekse sesa ngurtësimi në një tezë që ngjan si strategjike. 

Si diplomacia ruse, ashtu dhe lobi rus në Shqipëri, bëjnë gabimin e madh diplomatik dhe strategjik, duke i konceptuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rusisë të ndara nga qëndrimet dhe politika e Rusisë kundër Kosovës dhe kundër popullit shqiptar në Kosovë. Edhe diplomacia ruse, edhe lobi rus në Shqipëri, po punojnë fort për të futur në institucionet shtetërore të Shqipërisë konceptin e ndarjes e midis Kosovës nga një anë dhe marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shqipërisë nga ana tjetër. Është një qëndrim infantil, i cili ndonëse mbulohet me frazat e bukura të “urtësisë” apo të “marrëdhënieve me të gjithë” etj., duhet konsideruar po aq armiqësor ndaj kombit shqiptar, si dhe politika zyrtare armiqësore e Moskës ndaj Kosovës

vijon Murati. 
Nuk është e qartë se për cilën arsye edhe marëdhëniet e Shqipërisë me Kinën, një tjetër vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë, nuk duhen kushtëzuar me Kosovën. Dhe për cilën arsye Tirana zyrtare duhet të tregohet mirëkuptuese me Kinën që ka problemin e Tajvanit, apo me Spanjën që ka Katalonjën, kurse në raport me Rusinë duhet të këmbëngulet në një armiqësi që buron si argument nga disa bindje akademike të shekullit të 20-të që e ndanin botën në pro dhe antishqiptarë. 

Shqipëria është shumë e vogël që të ketë luksin e ngjizjes së një bindjeje se ka armiq kaq të fuqishëm dhe permanentë. Kjo është e dëmshme, jorealiste dhe në fund fare as edhe objektive. Kur flitet për marrëdhëniet shqiptaro-ruse, nuk ka nevojë as për nostalgji, as për reaksionin. Por për realizëm. Dhe nëse duhet të tregohemi realistë atëherë duhet të theksojmë përherë se kjo armiqësi mediatiko-politike kultivohet si refleks i raporteve me ShBA-në dhe bindje ndaj kësaj gjeopolitike që duket se mbahet si doktrinë e pandryshueshme. 

Është e vërtetë se interesi strategji i Shqipërisë, për nga struktura dhe përcaktimi historik, kërkon një raport konstant dhe të pazgjidhshëm me Perëndimin, por në një botë që sa vjen e mplekset dhe ndryshon, ta konvertosh këtë zgjedhje të logjikshme në bindje të verbër dhe autosugjestionuese është shumë e padobishme. E mira e qëndrimeve të z. Murati është se ato tematizojnë një çështje për të cilën duhet debatuar dhe publikisht mes njerëzve që janë të kësaj fushe: si duhet të jenë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë? Cila është perspektiva e tyre dhe pse një normalizim i tyre perceptohet si ndryshim gjeopolitik? 
Ky debat do të eliminonte një dikotomi pseudomoraliste që kërkon patjetër armiq dhe të shitur, apo neokomunistë, edhe aty ku logjika apo edhe simpatia janë faktorë po aq veprues dhe pozitivë sa edhe në raportet me vende të tjera. 

 

Comments

Submitted by A (not verified) on

Ssaban Murati ka shumë shumë të drejtë. Çdokush që njeh minimalisht historinë e Shqipërisë e di se copëtimi i Shqipërisë kështu siç është, është bërë me insistimin e Rusisë në Konferencën e Ambasadorëve në 1913.
Të ndash interesat e kosovës me ato të Shqipërisë është tradhëti kombëtare, dhe është më se normale që marrëdhëniet me të gjitha shtetet do të varen nga qëndrimi që ata kanë për Kosovën.

Submitted by redaksia on

Ndarja e Shqiperise eshte bere me dakordesine e te gjitheve jo vetem ne 1913, por edhe ne 1915, u tentua ne 1920 dhe serish ne 1946. Ti themi gjerat sic jane. Dhe Shaban Murati nuk ka te drejte sa kohe absolutizon argimentin e vet qe eshte i njejti prej kohesh. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.