Ambasadori i Rusisë: "Ka ardhur koha që Ballkani të mos përdoret për lojëra gjeopolitike"
Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin ka folur sot gjatë një aktiviteti me temë: “Politika e jashtme e Rusisë: Shqipëria dhe çështje strategjike”, organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, për marrëdhëniet dyplaëshe. Ai i është referuar raporteve njerëzore të trashëguara nga koha e pas luftës së Dytë Botërore, për të nënvizuar një shembull të mirë që sot sipas tij pengohet të zhvillohet më tej.
“Lidhjet tona dypalëshe janë dëmtuar seriozisht nga shkëputja gati 30-vjeçare në marrëdhëniet diplomatike. Ndërsa në 28 vite të fundit marrëdhëniet tona, nëse i shikojmë në tërësi, kanë qenë mjaft normale dhe miqësore. Nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur bilateral, të mos flasim për konflikte. Megjithatë, dialogu ynë është karakterizuar nga politizimi i tepërt i lidhjeve bilaterale dhe shpërfillja e potencialit tonë të përbashkët. Po ashtu, vazhdojnë edhe disa mosmarrëveshje në adresimin e çështjeve të caktuara ndërkombëtare, si për shembull çështja e sanksioneve antiruse. Dhe e gjitha kjo natyrisht që nuk është në funksion të dialogut dypalësh”, ka thënë Karpushin ndër të tjera.
Ai ka folur për temën e shumë diskutuar të ndikimit rus në Ballkan dhe politikës së Kremlinit në rajon.
Të nderuar kolegë, këtu në Shqipëri më pyesin shpeshherë: a e do me të vërtetë Rusia forcimin e ndikimit të saj në Ballkan? Dhe a është ajo kundër integrimit të rajonit në BE? Unë do t’ju përgjigjem me fjalët e Ministrit Lavrov, i cili u shpreh se Ballkani është “një rajon, të cilin Perëndimi për arsye të panjohura e konsideron si një fushë veprimesh provokuese të Rusisë... Dhe këtu Perëndimi prapë po i trajton këto çështje me një logjikë të papërshtatshme, të cilën e përdor dhe në trajtimin e hapësirës postsovjetike: "ose me ne, ose kundër nesh"”. Dhe kjo është e vërtetë! Çdo përpjekje e Rusisë për të ndërtuar marrëdhënie normale me vendet ballkanike bëhet menjëherë objekt i një shqetësimi të politikanëve perëndimorë, të cilët dalin pastaj me deklarata të tipit: “Rusia kërkon rritjen e influencës së saj në Ballkan”.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për një rëndësi të veçantë gjeopolitike si të Shqipërisë, ashtu edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Dhe natyrisht që ne synojmë forcimin e ndikimit tonë në këtë pjesë të Evropës. Por këtu duhet të specifikojmë se çfarë pikërisht nënkuptojmë me fjalën “ndikim”. Partnerët tanë perëndimorë s’e di pse shohin te kjo fjalë njëfarë konotacioni negativ dhe pastaj e frikësojnë veten dhe njëri-tjetrin me “planet agresive” të Rusisë në Ballkan, me “orekset ekspansioniste” të Moskës, me “propagandën armiqësore të Kremlinit” dhe kështu me radhë. Por të gjitha këto akuza nuk kanë lidhje me Rusinë, veçanërisht me Rusinë postsovjetike ose me Rusinë e re, e cila i ka ndryshuar rrënjësisht edhe prioritetet e saj të brendshme, edhe linjat e politikës së saj të jashtme
shtoi ai.
Si shembull të ndryshimeve thelbësore politike nga ana e Rusisë, Karpushin ka sjellë çmontimin e Traktatit të Vrashavës, aprovimi i bashkimit të Gjermanisë, tërheqja e trupave nga Gjermania, ndërkohë që NATO mbeti në këmbë, madhe përkundër premtimeve u zgjerua në Lindje. Karpushin ka shtuar se Perëndimi humbi një shans për përmirësimin e marrëdhnëieve me Rusinë kur presidenti aktual, Putin propozoi anëtarësimin e Rusisë në aleancë, ndërkohë që stigmatizimi i saj është i padrejtë dhe mbi premisa të pavërteta.
Unë dua t’ju them me përgjegjësi të plotë se as nuk bëhet fjalë për kurrëfarë ndikimi negativ të Rusisë në Ballkan. Interesat e Rusisë në shtetet ballkanike janë krejtësisht të njëjtë me interesat e saj në rajone të tjera të botës dhe synojnë ndërtimin bashkë me partnerët të një dialogu të barabartë në bazë të respektit reciprok, një bashkëpunim pragmatik ekonomiko-tregtar, si edhe një ndërveprim energjik në fushën e kulturës dhe atë të arsimit. Dhe meqë ra fjala, Rusia kurrë nuk ka dalë kundër perspektivës evropiane qoftë të Shqipërisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit. I vetmi interes i Rusisë është që Ballkani Perëndimor të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të kapërcejë të gjitha kontradiktat e brendshme që ende ekzistojnë në rajon. Siç theksoi Ministri Lavrov, ka ardhur koha që Ballkani të mos përdoret më në lojërat gjeopolitike. Në vend të kësaj duhet të punohet për krijimin e sigurisë së përbashkët evropiane, në kuadër të së cilës edhe anëtarët e NATO-s, edhe anëtarët e CSTO-s, edhe vendet që nuk bëjnë pjesë në aleanca ushtarako-politike të ndiheshin të mbrojtura në masë të barabartë me siguri të pandashme. Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Në të kundërt, për shkak të dëshirës së Perëndimit për të ruajtur natocentrizmin dhe mosdashjes së tij për të diskutuar mbi garancitë ligjore të sigurisë jashtë kufijve të aleancës, ne do të vazhdojmë të biem gjithmonë në të njëjtin kurth. Dhe pa dyshim ne do të ishim të lumtur nëse Shqipëria do të ndiqte pikërisht një politikë të tillë, pra një politikë shumëdimensionale
tha Karpushin.
Add new comment