"The Economist": Pa rolin e Amerikës, bota shkon në luftë
Revista e njohur “The Economist” ia kushtonte edicionin print të datës 25 janar kursit konfliktual ku kanë hyrë fuqitë e mëdha të botës. Revista sjell në vëmendje konfliktet e kufizuara të 25 viteve të fundit dhe ato që ende vazhdojnë, si në Siri, Afganistan, Afrikën Qendrore dhe Irak, për të konkluduar se në botë ka zhvendosje thelbësore gjeopolitike të cilat e sfidojnë rrënjësht rolin e deritanishëm të SHBA. Si pikë kthese në zyrtarizimin e këtij raporti forcash është dokumenti i fundit i SHBA për mbrojtjen sipas të cilit, Kina dhe Rusia janë kërcënime më serioze për sigurinë e saj sesa xhijadizmi islamik.
“Ndryshimet afatgjata gjeopolitike dhe përhapja e teknologjive të reja po e gërryejnë dominimin e jashtëzakonshëm të deritanishëm të Amerikës dhe aleatëve të saj. Konflikti i një shkalle dhe inensiteti që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore është sërish i mundshëm. Bota nuk është e përgatitur”, shkruan ndër të tjera revista.
Për SHBA pika kritike e momentit është Korea e Veriut dhe në Perëndim e marrin shumë serozisht mundësinë e një goditjeje ushtarake parandaluese ndaj Phenianit që do të provokonte githësesi një luftë të përgjithshme. Skenari është shumë i ndërlikuar nga rritja e aftësive të Kinës dhe Rusisë për të konkuruar në çdo fushë me Perëndimin.
Ndonëse të dyja fuqitë në fjalë kanë përfituar nga rendi ndërkombëtar që u themelua nga SHBA pas LIIB, premisat dhe shtyllat e tij kryesore shikohen prej tyre si pengesë dhe si sebep për intervencionizmin amerikan.
“Kina dhe Rusia janë në këtë moment shtete revizioniste që duan të sfidojnë staus quonë dhe i shikojnë rajonet e tyre si sfera influence që duhen dominuar. Për Kinën kjo nënkupton Azinë Lindore; për Rusinë Europën Lindore dhe Azinë Qendrore”, vijon revista.
Shkrimi presupozon se as Kina dhe as Rusia nuk dëshirojnë përplasje ushtarake direkte me Perëndimin, pasi do të humbisnin, por ato po shfrytëzojnë teknologjitë e reja për të ushtruar politika zgjerimi dhe ndikimi.
Kjo tendosje, nëse nuk do të ketë përgjigjen e duhur do të çojë në skenarët e ngjashëm të LIB e cila shpërtheu pikërisht nga mungesa e reagimit ndaj ambicieve të njërës palë. Një tjetër problem është edhe arsenali bërthamor, që ka humbur cilësinë e të qenit faktor stabiliteti. Komanda e tyre dhe sistemet e kontrollit janë aktualisht të ekspozuara ndaj hakerimit dhe ndaj neutralizimit të satelitëve prej nga varen.
Në shrkim sugjerohet që SHBA të mbrojë dhe çojë përpara këtë rend ndërkombëtar që është ndërtuar prej saj, diçka që është kritikë direkte ndaj politikës aktuale të Donald Trump.
“Fuqia e butë e durimit dhe diplomacisë këmbëngulëse është jetike, por ajo duhet mbështetur me fuqinë ushtarake që respektohet nga Kina dhe Rusia. Amerika ruan kapacitete të mëdha ushtarake, por po e humbet avantazhin në teknologjinë ushtarake që frymëzonte besim tek aleatët dhe frikë te armiqtë”, nënvizohet në shkrim.
Me një mbyllje që kërkon të riafirmojë epërsinë morale të Perëndimit, shkrimi thekson se “garantuesi më i mirë i paqes në botë është një Amerikë e fortë” dhe çdo çmobilizim i saj do të sillte luftën shumë afër.
Add new comment