Shtyhen me 3 muaj hetimet për Tahirin
Gjykata e Krimeve të Rënda vendos të zgjasë me 3 muaj hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ky vendim pas kërkesës së Prokurorisë për të vijuar më tej hetimet, pasi afati 3-mujor i vendosur më herët ka përfunduar.
Saimir Tahiri po hetohet si i dyshuar për lidhjet me vëllezërit Habilaj për trafik droge, ku prova më e fortë është shitja e makinës Audi në pronësi të ish-ministrit dhe udhëtimet e tij jashtë vendit.
Së fundmi, ish-ministrit iu rikthye pasaporta nga Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda. Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, duke i lejuar Saimir Tahirit të drejtën për të udhëtuar jashtë shtetit.
Në po të njëjtën ditë prokurori i çështjes Besim Hajdarmataj mori mbështetjen e kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se "Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku kërkon që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara. Prokuroria e Përgjithshme rithekson mbështetjen e nevojshme për çdo çështje, me çdo mjet dhe në çdo kohë, për të çuar përpara hetimet. Prokuroria e Përgjithshme vë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha burimet njerëzore dhe infrastrukturore për kryerjen me sukses të detyrave përputhshmërisht me ligjin".
Në detyrën e saj kryeprokurorja Marku ka marrë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe në veçanti ambasadorit amerikan që ka theksuar se reforma në drejtësi do të ecë përpara, pavarësisht se nga të dyja krahët ka politikanë që nuk e duan.
Add new comment