Shënjestra të censorëve të rinj
Një valë neo-obskurantiste rrezikon të mbysë gjykimin e shëndoshë dhe kulturën, në emër të flamurit të së Mirës dhe të Drejtës. Përballemi me hipotezën e mospublikimit të “Një ditë shiu në New York” nga Woody Allen, për shkak të akuzave ndaj regjizorit të cilat një gjykatë amerikane i ka gjykuar si të pabazuara, për përdhunimin e vajzës minorene të Dylan Farrow. Aspekti më i shëmtuar i kësaj hipoteze është që ajo të konsiderohet e vërtetë: pra bota po diskuton me të vërtetë nëse është apo jo momenti për të publikuar një film të Woody Allen; nuk është një lajm i rremë, është në fakt sinjalizues i një klime të frikshme censure dhe intimidimi.
Duhet të ishte normale dallimi se veprat e artit, të letërsisë dhe të kinemasë janë një gjë dhe një gjë tjetër keqbërjet eventuale(ta përsërisim eventuale) të kryera nga ai që është autori. Në të vërtetë ky dallim nuk ekziston më dhe po flitet qetësisht për fshirjen e artit për të goditur artistin për të shkuarën e tij. Nuk është një shaka: në muajt e shkuar një grup demonstruesish të nxitur, protestuan zhurmshëm në inaugurimin e retrospektivës së organizuar nga Cinémathèque Française dedikuar Roman Polanskit. Apo më mirë: sipas protestuesve askush nuk mund të shohë më kryevepra si “Cul de saco”, apo “Pianisti”, sepse regjizori është fajtor për një përdhunim. Nuk kërkohet që të dënohet një fajtor, por të asgjësohen filmat e tij. Dhe kjo kërkesë konsiderohet legjitime dhe e arsyeshme: ja pra efektet e valës neo-obskurantiste.
Sa kohë ka nga rivlerësimi asgjësues që censorët e kohës donin t’i bënin filmit “Tango e fundit në Paris” të Bernardo Bertoluçi-t? Motivet ndryshojnë, do të kishin qenë më “progresiste” po jo finalja: censura.
Më tej akoma, në universitetet amerikane po rritet prirja, disa herë e mbështetur nga komitete të përdorur për djegien simbolike të veprave të inkriminuara, për të ndaluar “Tit Androniku” tw William Shakespeare dhe “Metamorfozat” e Ovidit sepse na përmbakan situata dhune seksuale që mund të “fyejnë” ndjeshmërinë e studentëve dhe studenteve që kanë pësuar ngacmime seksuale. Zelltarët më të mëdhenj nuk kanë kursyer as linçimin postum të “Getsbi i Madh” të Francis Scott Fitzgerald sepse na qenkësh një roman i mbushur me veprime të këqija. Në Karolinën e Veriut ka nisur thirrja për heqjen nga libraritë të çdo gjurme të “Lolita” të Vladimir Nabokov, sigurisht për mbrojtjen e minorenëve. Dhe shtëpitë botuese kanë nxituar të pastrojnë tekstet e Mark Twain sepse përmbanin fjalën “zezak”.
Ndalimi i modifikimit tw teksteve, imazheve të veprave sipas qejfit, vepra që duhen mbrojtur në tërësinë dhe integritetin e tyre, duhet të ishte neni 1 i një vizioni liberal që e konsideron atë si liri të shprehjes së kulturës.
Një tjetër shembull vjen nga Italia. Në vend se të konsiderohet si simptomë e një mentaliteti të zymtë, obskurantist dhe censurues, vendimi i Maggio Musicale Fiorentino, mbështetur edhe nga kryebashkiaku Dario Nardella, për të ndryshuar finalen e “Carmen” të Georges Bizet, po kalon si teprim ekstravagant, që synoka shkurajimin e impulseve antifeministe të publikut. Dhe kanë nisur të dëgjohen mërmërimat e para censuruese për serinë televizive “Gomorra”, sepse do na përcjellka mesazhe të këqija.
Diksush ka ecur më para. Në Londër censuruan disa nudo femërore të Egon Schiele, artisti që u dënua njëherë një shekull më parë në Vjenë, për padenjshmëri.
Edhe në këtë rast ka ndryshuar motivacioni(tani flitet për mbrojtjen e dinjitetit të grave) por nuk ndryshon persekutimi ndaj një vepre arti që do të donin ta zhduknin. Një komitet intelektualësh(intelektualët janë përherë në rreshtin e parë kur invokohet censura e veprave të tjerëve siç është demonstruar nga turmat e shkrimtarëve, artistëve, mendimtarëve të tërhequr nga proceset e djegieve të Hitlerit dhe Stalinit) ka kërkuar që të fshihet në qilar një pikturë e Balthus-it sepse stimulon impulse të rrezikshme pedofilie. Në Francë, në valën e protestave që kanë detyruar botuesin “Gallimard” të tërheqë projektin për publikimin e teksteve antisemite të Louis – Ferdinand Céline, mes të cilave “Çikërrima për një masakër”, u arrit deri aty sa të kërkohej tërheqja e shitjes së një kryevepre të letërsisë si Udhëtim në fun të natës.
Vendosja e një lidhjeje mes sjelljeve të një artisti të konsideruara të pandershme dhe veprave të tij, për të kërkuar mandej censurën dhe mbylljen e gojës është një nga simptomat e valës së neo-obskurantizmit që po na përmbyt. Së fundmi, një gazetar i “Washington Post”, duke lexuar shënime dhe ditarë që vetë Woody Allen ka vënë në dispozicion të studiuesve, konkludoi se regjizori i “Manhattan” është fajtor për diçka që i ngjan “psikokrimit” të distopive të ideuara në ‘900-ën: dëshira, tërheqja për femrat shumë më të reja.
A do ta ngopte padurimin e censorëve fshirja e veprës së Woody Allen?
Ndoshta jo, mundet që në mënyë të dobishme të nxjerrin jashtë ligjit punët e Pablo Picasso-s që femrat nuk është se i trajtojnë mirë, apo të Pier Paolo Pasolini me çedukuesen e tij “Djemë të jetës”. Shpresojmë që jo, por me këtë klimë obskurantiste, asnjëherë mos thuaj kurrë.
Përshatur shqip nga "Corriere della Sera"
http://www.corriere.it/cultura/18_gennaio_20/polanski-balthus-celine-woo...
Add new comment