Bushati sqaron padijeninë e Metës
Pak ditë më parë Ilir Meta u shfaq i shqetësuar për atë që e konsideroi si linjën antiamerikane të qeverisë, nisur nga vota e Shqipërisë në OKB për çështjen e Jeruzalemit. Shqetësim të cilin e konkretizoi dhe me një letër drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump. Mund të quhet pa rezerva një nga ato lëvizje boshe në politikë që ekspozoi si amator Ilir Metën, ndonëse një politikan me përvojë, aq më tepër që ai ka qenë në dijeni të qëndrimit të Shqipërisë në OKB. Të paktën këtë pretendon ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një intervistë për Ora News.
“Duke qenë se për këtë çështje ka pasur një ftesë nga Presidenti Erdogan për Presidentin Meta dhe një ftesë tjetër nga Ministri i Jashtëm Çavushoglu drejtuar Ministrit të Jashtëm shqiptar. Ne kemi bërë sugjerimin tonë përkatës, jo vetëm për nivelin e përfaqësimit në Konferencë, por edhe për qëndrimin që do të mbajë dhe kjo procedurë është zhvilluar me shkrim, qoftë me shkresë ashtu edhe me e-mail dhe për këtë qëndrim Presidenca nuk ka pasur asnjë kundërshti. Ky qëndrim i yni, i shkruar, që është publik është i reflektuar një apo dy apo tre - katër ditë më vonë në rezolutën e OKB. Rezoluta e OKB-së gjithashtu nuk është një rezolutë anti- Trump. Është një rezolutë siç e thashë, përsëritëse...” - theksoi Bushati.
I pyetur nëse ka patur konsultim me ambasadën amerikane në Tiranë dhe a u shqyrtua mundësia për të votuar abstenim, Bushati hodhi poshtë një opsion të tillë.
“Ne nuk bëjmë konsulta me asnjë ambasadë se si marrim vendimet, por natyrisht ka partnerë që për votime të rëndësishme janë shumë të interesuar për avancimin e kandidaturave të tyre nëpër instanca të ndryshme ndërkombëtare janë shumë të interesuar. Pra në gjuhën diplomatike ky konsiderohet, njihet ndryshe si “de marche” dhe unë po ju them që nuk kas pasur asnjë të tillë nga qeveria e SHBA për këtë votim, por për asnjë nga votimet që kanë lidhje më statusin e Jerusalemit” - shtoi ministri i Jashtëm.
Add new comment