Libri i Wolff: Vendimi për Jeruzalemin, pa asnjë objektiv për paqen në Lindjen e Mesme

Postuar në 05 Janar, 2018 00:31

Duket se Donald Trump kësaj radhe është gozhduar. Publikimi nga revista “New York” dhe gazeta “The Guardian” i pasazheve të një libri me autor, Michael Ëolff, ka nxjerrë në shesh një president aksidental që duket se është aty ku është falë një mrekullie elektorale dhe financiare që mund të ndodhë vetëm një herë. Wolff që ka punuar 18 muaj për librin me titull: “Zjarr dhe tërbim. Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump”, përcjell aty të dhëna të nxehta nga komunikimet private të Donald Trump me njerëzit e fushatës dhe liderë të ndryshëm. Është jo pakuptim dhe me gjasë do të ketë shumë ndikim, zbardhja e të vërtetave të fushatës elektorale, nisur nga titulli që revista e sipërcituar zgjodhi për shkrimin e Wolff: Dpndla Trump nuk donte të bëhej President.

http://nymag.com/daily/intelligencer/2018/01/michael-ëolff-fire-and-fury-book-donald-trump.html

Sipas autorit në fjalë, gjendja e përgjithshme në kampin e Trump ishte e tillë saqë jo vetëm ishin të bindur se ai nuk do të ishte President I SHBA-së, por madje se ai nuk Duhet të ishte. Vetë Trump nuk kishte synim fitoren, por një ambicie për lavdi dhe famë si prej rioshi që sapo ka nisur karrierën.

“Unë mund të jem njeriu më i famshëm në botë”, citohet t’i ketë thënë ai ndihmësit të tij, Sam Nunberg. Trump bëri të vetën moton e mikut të tij, drejtuesit të Fox News, Roger Ailes, sipas të cilit “nëse do të bësh karrierë në televizion, së pari kandido për president”. Trump ishte në lojë dhe po përhapeshin zëra për një rrjet të tij.

Por përtej ndodhive absurde që dalin në dritë si p.sh një komunikim mes tij dhe Rupert Murdoch, pas takimit të Trump me përfaqësuesit kryesorë të Sillicon Valley, është Steve Bannon, ish-strategu i fushatës ai që i ka vënë zjarrin debatit publik.

Wolff deklaron se ka regjistrime të Bannon dhe një zyrtareje tjetër të administratës Trump, disa madje të marra off record. Publikimi i këtij lajmi nga Axios, solli vendimin e Shtëpisë së Bardhë për ndalimin e celularëve privatë në mjediset e saj.

Por çfarë ka thënë Bannon? Siç është bërë e ditur ai ka folur kundër presidentit, në kuptimin se sipas autorit të librit, ish-strategu i Trump e ka cilësuar takimin mes dhëndrit të presidentit dhe ish-ambasadorit rus, si “jopatriotik”. Bannon sugjeronte se ata duhet t’i ishin drejtuar FBI-së, ose të merrnin me vete një avokat. Pas kësaj, Shtëpia e Bardhë doli me një deklaratë thuajse ofenduese ndaj Bannon që rezulton kështu një fitil për rihapjen e dosjes “Rusia” dhe përfshirja e saj në zgjedhjet e vitit 2016.

Mediat kundër Trump po bëjnë çmos që ta përfitojnë nga momenti për të përmbytur çdo mundësi manovre. Një shembull që del nga pasazhet e librit, që duket se do të arrijë rekorde shitjeje, është edhe e ashtuquajtura politikë për Jeruzalemin që pështjelloi edhe politikën në Shqipëri.

Kjo politikë është shkëputur nga biseda mes Bannon dhe Roger Ailes në një darkë në Greenwich Village gjatë periudhës tranzitore në vitin 2016.

Bannon është i mbytur me axhendën e Trump.

“Dita një, ne do zhvendosim ambasadën e SHBA-së në Jeruzalem. Netanyahu është tërësisht dakord. Sheldon Adelson, miliarderi i kazinove dhe mbrojtësi i ekstremit të djathtë i Izraelit, po ashtu është plotësist dakord. Ne e dimë ku na çon kjo…Jordania le të marrë Bregun Perëndimor, Egjipti le të marrë Gazan. Le të merren ata më to. Apo të vrasin veten duke u marrë.”

“Ku hyn Donaldi këtu?” – pyet Ailes…

“Ai është tërësisht në lojë”

Këto citohen si pasazhe nga libri.

http://mondoweiss.net/2018/01/foreign-netanyahu-jerusalem/

Sillet në vëmendje se ky zhvillim është ndryshim i madh në politikën amerikane, duke kujtuar një hollësi që nuk ka pak rëndësi. Sipas medias “Mondoweiss”, themeluar nga dy gazetarë të njohur amerikanë dhe që e përkufizon veten si “progresiste dhe antisioniste”,

në vitin 2000, ish-presidenti Bush, e skualifikoi axhendën e miliarderit Sheldon Adelson, një përkrahës personal i Netanyahut, duke u shprehur se “unë e mbështes Izraelin, por nuk mund të jem më katolik se Papa”.

Ky moment është shumë domethënës për të kuptuar se vetë debate politik në SHBA nuk po e ndan dot nëse me vendimin për Jeruzalemin kemi të bëjmë me një politikë afatgjatë apo me një axhendë që është komanduar nga një koniunkturë ku kryeministri izraelit dhe një rreth njerëzish që sot ndodhen në vështirësi serioze politike dhe e cila mund të përmbyset së afërmi? Nëse do të besojmë pasazhet e librit të Wolff, vendimi i administratës Trump për Jeruzalemin vetëm paqen nuk ka në axhendë dhe si objektiv.

Kjo është një goditje jo e vogël për një president si Trump që ka meritën se rrëzoi një klan shumë të fuqishëm siç është ai Clinton.

Deri më tani Shtëpia e Bardhë nuk ka mundur të mohojë ndonjë gjë, përveç se ka urdhëruar rinisjen e hetimeve për serverin e Hillary Clinton. Sa për Bannon, mediat amerikane kryesore raportojnë se rrjeti Bretibart, ka marrë në konsideratë largimin e tij si drejtues.

Anëtarja e bordit drejtues, Rebekah Mercer, vajza e miliarderit që ka themeluar "Bretibart", Robert Mercer, ka deklaruar se ajo “mbështet Presidentin Trump dhe platformën mbi të cilën ai u zgjodh.”

Familja ime dhe unë nuk kemi komunikuar me Bannon për shumë muaj dhe nuk kemi dhënë asnjë ndihmë financiare për axhendën e tij politike, as nuk mbështesim deklaratat dhe veprimet e tij të fundit

http://thehill.com/homenews/media/367495-bannons-future-at-breitbart-uncertain-after-trump-book-remarks-report

Vështirë se kësaj radhe Trump do t’ia dalë pa u njollosur, sidomos për të vërtetat e fushatës. Amerikanët kanë një rast për të kuptuar se kërkesën e tyre për ndryshim dhe për të hedhur poshtë predikimet e lodhshme moralizuese të Hillary Clinton dhe Barack Obamës, e kanë transferuar te dikush që me të vërtetë është njeriu më i famshëm në botë sot, por që u kap në befasi nga vetë fitorja. Dhe që nuk është çudi të krijojë një rrjet televiziv dhe të shtojë miliardat duke rezultuar në finale si më amerikani nga të gjithë, ndonëse larg asaj që duhet të jetë një president.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.