Ditmiri, sufleri i Nikos në Athinë
Sot ministri i Jashtëm dhe për Evropën, Ditmir Bushati, ka dhënë një prononcim për televizionin e tij të preferuar – Top-Channel – përmes të cilës ka “sqaruar” me pak fjalë se çfarë është arritur në takimin e Kretës. Bushati është përqendruar në cështjen e ligjit të luftës, të varrezave për ushtarët e rënë grekë gjatë LIIB dhe për marrëveshjen e detit.
Ministri Bushati, në vijim të kapacitetit të tij mediatik për të mos qenë asnjëherë lajm, ka sqaruar hapat procedurialë, por pa patur kurajon të zbulojë diçka më shumë se kaq për publikun shqiptar.
Për ligjin e luftës, ai ka thënë se:
“Është e rëndësishme që ligji i luftës të shfuqizohet me një akt ekuivalent nga pikëpamja e të drejtës për të prodhuar të gjitha ato efekte pozitive të pritshme në praktikë”.
Për çështjen çame, ministri ka folur në përgjithësi me atë gjuhë që kanë folur të gjithë:
“Jam partizan i politikës së hapave të vegjël por të njëpasnjëshëm. besoj fuqimisht qëshfuqizimi i ligjit të luftës do të ofrojë efekte të mira jo vetëm politike e psikologjike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë por dhe pasoja ligjore në gëzimin e të drejtave pronësore. Çështjet më pas praktike se si do të gëzohen këto prona ne do të jemi këtu për t’i analizuar dhe diskutuar”.
Sipas tij për varrezat do të ketë një dallim për varrezën e Bularatit, që do të marrë statusin e nderit.
Për marrëveshjen e detit, ministri thuajse nuk ka thënë asgjë kur me një fjali që duket se përligj vlerësimin e Niko Kotizasit, se “Ditmir Bushati është një person shumë i veçantë”, ka rrumbullakosur deklaratën duke u shprehur se:
“Jemi të vendosur për të analizuar të gjitha mundësitë dhe për të shkuar më pas drejt njëzgjidhje që do t’i interesojë të dyja palëve”.
Çfarë del si përfundim nga kjo shfaqje e mekur e z. ministër është një dobësi e thekshme dhe frikë për të folur hapur për çështje që nuk janë private të tijat. E të cilat gjoja janë konfidenciale dhe nuk duhen diskutuar me popullin.
Është e qartë tashmë se z. Bushati e detyroi të dilte në media, homologu i tij grek, Kotzias që ka ditë që përhap lajme për atë që u diskutua në Kretë dhe se në cilat pika po afrohen palët. Kotzias ka folur për të gjitha çështjet, madje për ligjin e luftës ka dhënë edhe hollësi teknike. Kotzias po ashtu nuk e ka fshehur faktin se momenti i tanishëm i favorizon Greqinë dhe këtë e shohim edhe te VKM-ja për varrezat që duket se do të shtohen. Nuk është pra çudi që edhe për ujërat të ketë ndonjë zbythje patriotike nga ato që z. Bushati me shefin e tij do t’i marketojnë të mbështjella me pak integrim, njësoj siç ndodhi me minoritetin bullgar, për të cilin duhet të themi se z. Bushati doli bllof kur në komision e përjashtoi një gjë të tillë, po iu desh ta gëlltiste atë që tha, kur u urdhërua për të kundërtën. Është për të ardhur keq për faktin se ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk është në gjendje të jetë transparent me qytetarët e këtij vendi, të paktën aq sa Niko Kotzias, që ofron më shumë informacion sesa z. Bushati që është kësisoj në këtë dalje një sufler i Nikos në Athinë.
Add new comment