Çfarë mund të negociojë Tirana për marrëveshjen e detit?
Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, parë qoftë edhe në dritën e ligjit në fuqi dëshmon se negociatat mes dy vendeve po shoqërohen me lëshime reale. Madje të tepruara.
Abrogimi i ligjit të luftës, siç njoftoi ministri i Jashtëm, grek, Kotzias, duhet pranuar se është arritje për Shqipërinë, të paktën në kuptim të interpretimit të deritanishëm të Tiranës zyrtare.
Në logjikën e reciprocitetit, duket se qeveria ka argument të mbrohet dhe për aq sa dimë deri më tani, çështja e marrëveshjes së ujërave duket të jetë më kompleksja dhe më delikatja. Jo vetëm për shkak të ekspertizës që kërkon, por edhe për historikun e marrëveshjes së parë.
Ndonëse Shqipëria shkon në negociata me një vendim detyrues të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ka dyshime nëse ky vendim mund të vlejë diçka për ndonjë gjë pozitive. Me pozitive kuptohet një tekst i ri dhe koordinata më favorizuese për vendin tonë. Nëse i hedhim një sy teksti të marrëveshjes së vitit 2009, aty përcaktohet parimi i barazlargësisë nisur nga vija e drejtë bazë, parim që është aplikuar edhe në marrëveshjen me Italinë në vitin 1992. Në këtë të dytën, Shqipëria hoqi dorë nga pretendimet për vijën e drejtë bazë, që e ka patur konsistente që nga vitet ’70.
https://www.dur.ac.uk/ibru/publications/download/?id=231(faqe 54).
Teksti i marrëveshjes me Greqinë ngjan shumë me atë të Italisë në kuptim të detyrimeve dypalëshe. Njësoj si në marrëveshjen me Italinë, marrëveshja hyn në fuqi kur shkëmbehen instrumentet e ratifikimit. Dhe nëse brenda katër muajve nga nënshkrimi i saj krijohen probleme në zbatimin e saj, të dyja i drejtohen Gjykatës së Hagës. Asnjë prej palëve në marrëveshje nuk ka bërë as ratifikimin dhe as i është drejtuar Hagës. Është interesant fakti se qeveria shqiptare e Berishës nuk e testoi marrëveshjen në Parlament dhe të njëjtën gjë bëri edhe Athina zyrtare.
Në këtë kuptim marrëveshja nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi dhe argumenti i Gjykatës Kushtetuese duket se nuk vlen shumë përveçse do të detyrojë palën shqiptare të kërkojë me negociim koordinata të reja. Nuk dihet si do të arrihet kjo sidomos kur parimet e marrëveshjes së parë, pra vija e drejtë bazë dhe barazlargësisë kanë qenë politikë e vazhdueshme e Shqipërisë dhe nuk lidhen me qeverinë Berisha. Anashkalimi nga Athina zyrtare i dispozitës për t’iu drejtuar Hagës meriton leximin e vet dhe mund të ketë disa arsye, por një konkluzion në këtë kuadër është se retorika e qeverisë socialise për këtë çështje më së paku nuk ka qenë e dobishme. Vetëm nëse në marrëveshjen e re arrihet ndonjë ndryshim substancial dhe në këtë rast qeveria Rama do duhej përshëndetur.
Add new comment