Varrezat e reja dhe standardi i të ashtuquajturit dinjitet shtetëror

Postuar në 19 Dhjetor, 2017 16:48

Qeveria shqiptare ka marrë së fundmi – në mbledhjen e 13 dhjetorit – një vendim për ngritjen e varrezave të reja për ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në territorin e vendit tonë.

Vendimi siç mund të lexohet këtu: http://www.respublica.al/2017/12/17/efektet-e-kret%C3%ABsvarrez%C3%AB-e-re-p%C3%ABr-ushtar%C3%ABt-grek%C3%AB-t%C3%AB-r%C3%ABn%C3%AB-n%C3%AB-luft%C3%ABn-italo-greke i referohet një ligji të vitit 2010 që përcakton qartë ngritjen e vetëm dy varrezave. Njëra në Këlcyrë dhe tjetra në Bularat.

Këto varreza tanimë janë ndërtuar dhe në momentin që qeveria ka ndërmend të ndërtojë të reja, do të duhet që të ndryshojë ligjin të cilit I referohet. Sot ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, shkruan se varreza e tretë do të ngrihet në Korçë. Duke e marrë këtë vendndodhje me rezervë, mund të themi se hamendësimi se ku do të ngrihet varreza e re është legjitim. Kjo është një qeveri që mban errësirë të plotë për vendimet që merr, ndonëse pretendon se bën transparencë. Përndryshe në VKM-në e fundit mund të sqarohej vendndodhja e varrezës apo varrezave të reja.

Këtu lind edhe një problem standardi pseudomoral që ka ushqyer një histeri kolektive kundër qeverisë së Sali Berishës. Ky i fundit u gjykua publikisht në mediat e Partisë Socialiste si një tradhëtar kur në vitin 2009 nënshkroi marrëveshjen e ujërave me Greqinë. PS-ja sot fshihet pas akuzës për tradhëti duke tundur flamurin e vendimit të Gjykatës Kushetuese, të cilin Berisha e ka komentuar sit ë ndikuar nga faktorë të huaj dhe nën ndikimin e akteve korruptuese.

Ky është një standard i gënjeshtërt që synon vetëm të gënjejë njerëzit. Në VKM-në e datës 13 dhjetor, qeveria e Edi Ramës që ka hyrë në negociata me palën greke, ka vendosur shfuqizimin edhe të VKM-së nr. 496 të datës 29.06.2011, pra marrë në kohën e qeverisë “Berisha”, me anë të të cilit rregullohej zbatimi I marrëveshjes për varrezat. Shikoni tekstin e VKM-së së atij viti:

1. Ministria e Mbrojtjes të ndjekë procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, të përcaktuar sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10 256, datë 25.3.2010, në bazë të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”.

2. Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunimin me organet e qeverisjes vendore në bashkinë Këlcyrë, rrethi Përmet, dhe në komunën Dropulli i Sipërm, rrethi Gjirokastër, të qarkut të Gjirokastrës, të ndjekë zhvillimin e punimeve të këtyre vendprehjeve në përputhje me legjislacionin në fuqi

Pra edhe kjo VKM i referohet ligjit nr. 10256 me ndryshimin se ajo detyron zbatimin e vendimit vetëm në dy njësi vendore siç edhe kërkon ligji: pra në Këlcyrë dhe Dropull.

Shfuqizimi i kësaj VKM-je, për të cilën PD-ja sot hesht dhe bashkë me të për turpin e tij hesht edhe Sali Berisha, do të thotë se në Kretë është rinegociuar një numër i ri varrezash dhe se e ashtuquajtura qeveria e dinjitetit ka lëshuar aty ku edhe “tradhëtari Sali Berisha” qëndroi. Për më tepër që referenca ligjore krijon problem, por mesa duket socialistët janë shumë të kujdesshëm apo siç preferon z. Kryeministër, dinë të “marrin përgjegjësinë” e lënies zvarrë të gjërave. Pasi përgjegjësia e vërtetë në këtë rast do të ishte ndryshimi i ligjit dhe vendosja e VKM-së në shtrat ligjor. Diçka që mund të ketë kosto dhe hap andralla…imazhi. Është kjo ndoshta arsyeja që ministri i Jashtëm, Bushati, nuk foli shumë pas takimit  të Kretës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.