Investigimi/Obama mbrojti Hezbollahun nga CIA dhe DEA për të arritur marrëveshjen me Iranin

Postuar në 18 Dhjetor, 2017 23:29

Marrëveshja bërthamore mes SHBA dhe Iranit ka patur kostot e veta që zbulohen së fundmi. Media të ndryshme po referojnë një raport të publikuar nga Politico, sipas të cilit, administrata e Barack Obamës ndërhyri për të prishur një operacion të organizuar nga CIA dhe DEA kundër grupit shiit Hezbollah që mbështetet gjerësisht nga Teherani zyrtar. Operacioni që në fakt konsiderohet si fushatë e vërtetë, koduar me emrin “Projekti Kasandra”, synonte goditjen e linjave të trafikut ndërkombëtar të kokainës që lidheshin me Hezbollahun. Dhe ndërhyrja e Obamës ka qenë e palëkundur edhe kur është raportuar se një sasi jo e vogël e kokainës hynte në SHBA.

Sipas investigimit të “Politico” projekti nisi në vitin 2008 kur agjencitë amerikane kishin mbledhur mjaftueshëm të dhëna se Hezbollah ishte shndërruar në një sindikatë kriminale ndërkombëtare që mblidhte 1 miliardë dollar në vit nga trafiku I drogës dhe i armëve.

Përgjime, operacione klandestine dhe përdorim informatorësh bashkë me punën e 30 agjentëve amerikanë dhe të huaj, mundësuan plotësimin e panoramës pas një hetimit 8 vjeçar që hodhi dritë mbi linja trafiku që shkonion nga Amerika Latine në Europë dhe Lindjen e Mesme, Meksikë, Venezuela dhe SHBA.

Një nga mënyrat e përdorura për të larë paratë ishte blerja e makinave të përdorura  dhe shitja e tyre në Afrikë.

Në momentin kur operacioni po kapte kulmin, administrata Obama nis ta bllokonte atë në shumë mënyra si p.sh vonesa nga Departamenti i Thesarit dhe Drejtësisë për të miratuar kërkesat për hetime, arrestime dhe sanksione financiare.

Departamenti i Drejtësisë refuzoi madje kërkesat e bëra për të ngritur padi penale kundër një banke libaneze në Iran, zgjatim i Hezbollahut, e cila shërbente për larjen e miliarda dollarëve të ardhura nga trafiku o drogës. Konkretisht Hezbollahu lidhet me një skemë pastrimi parash që arrinë në 483 142 568 dollarë.

Ky ishte një vendim politik, ishte një vendim sistematik”, është shprehur një nga organizatorët e projektit, David Asher.

Politico sjell në vëmendje një tjetër argument për të bindur se këtu ka qenë politika përcaktuese. Obama erdhi në detyrë në vitin 2009 me premtimin se do të përmirësonte marrëdhëniet me Iranin. Njeriu i tij kryesor për sigurinë, ai që do të bëhej më vonë shef i CIA-s, John Brennan, do të deklaronte se “presidenti kishte mundësinë që të vendoste një kurs të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve jo vetëm përmes dialogut direkt, por përmes një asimilimi më të madh të Hezbollahut në sistemin politik libanez”. Çka do të thotë njohje de facto e milicisë shiite si pjesë e ekuacionit të stabilitetit në rajon.

Brennan madje citohet të jetë shprehur se “Hezbollah është një organizatë shumë interesante që ka evoluuar nga një organizatë thjesht terroriste në një parti politike me përfaqësues në parlamentin libanez”. Fjalë që nuk dihet si mund të tingëllojnë tani në dritën e largimit nga detyra të kryeministrit libanez Saad Hariri, që thuhet se është dhunuar psikologjikisht deri në poshtërim si nga Hezbollahu ashtu edhe nga padronët e vet sauditë.

Por administrata Obama ndaloi dhe bllokoi që projekti në fjalë të ndiqte edhe një nga operativët kryesorë të grupit, me nofkën “Fantazma”, që konsiderohet si një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës në botë, si dhe një ndër furnizuesit kryesorë me armë konvencionale dhe kimike për Bashar Al Assad.

Nga pikëpamja e administratës Obama problemi nuk mund të shihet nga njëra anë. Duke cituar një ish-zyrtar të Këshillit të SIgurisë të SHBA, që luajti rol në negociatat me Iranin, Politico shkruan se sipas tij “anëtarët e Projektit Kasandra po spekullonin” dhe për më tepër që “bota është shumë më e komplikuar sesa këndvështrimi mbi të përmes trafikut të drogës”.

Në çdo rast, me arritjen e marrëveshjes më 17 janar 2016, projektit i erdhi fundi dhe zyrtarët drejtues të tij u transferuan në detyra të tjera. Lidhjet e drogës sugjerojnë sipas agjentëve tëb tjera drejtime që janë interes i sigurisë për SHBA, siç janë marrëdhëniet e Hezbollahut me Maduron e Venezuelës, qeverinë ruse apo edhe presidentin sirian Assad, të mbyllura të gjitha nën interesin e politikës për një marrëveshje me Iranin. E cila sot është rivënë në diskutim nga administrate Trump.

https://www.politico.com/interactives/2017/obama-hezbollah-drug-traffick...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.