I veçanti Beksiński
Të paktë mund të jenë piktorët që impresionojnë kaq shumë qysh në pamje të parë sa piktori polak Zdzisław Beksiński. Distopia në veprën e tij është sfondi dhe lënda e një imagjinate që imiton thuajse një ferr që na pret të gjithëve. Motive të zakonshme të ankthit më sublim të njeriut, Vekjes apo edhe Hiçësimit të ekzistencës në një Kundërjetë; kafka dhe skeletë, një bashkësi vdekjeje që mishërohet në një estetikë që ndërgjegjja njerëzore nuk mundet ta konstruktojë në sferën e "normales". Por edhe eros. Eros dhe ngjyra në këtë botë tjetër të cilës nuk ia njohim dot gjeometrinë, por që na prek me silueta, vështrime të zgavruara dhe peizazhe të dominuara nga një biologji e vdekjes.
Me Beksińskin çdo interpretim është i paqëlluar, pasi ai pikturat e veta i la pa emër, për të shmangur pikërisht lojën me metaforat. I lindur në vitin 1929, ai u diplomua për arkitekt, por në vitet ’50 do t’i dedikohej fotografisë dhe skulpturës për të shkëlqyer më në fund në pikurë, “e vetmja që nuk ja kufizonte imagjinatën”. Me Beksińskin vlen ajo pyetja: vallë, a ka një horizont të fundëm imagjinata?
Add new comment