Varianti i bazës socialiste për çështjen "Tahiri" dhe heshtjen e të huajve
Ja një rrëfim kafaneje për atë sesi po interpretohet në bazën socialiste situata e krijuar me Saimir Tahirin. Sipas fabulës origjinale që qarkullon në mjedise të ndryshme socialistësh të thjeshtë, ideja kryesore është se armët dhe pajisjet ushtarake që SHBA po dhuron në Shqipëri në fakt po blihen nga qeveria me para të kanabisit. Pra sipas këtij variant kemi një trafik patriotësh që lodhen dhe vënë kokën në rrezik për të rritur sigurinë e Shqipërisë.
Nuk do shumë mund që të ky karrem të çojë në lloj lloj drejtimesh. Një është p.sh se Berisha sulmon sepse ai përherë ka sulmuar lidhjet me SHBA për llogari të punëve të pista dhe lidhjeve të dyshuara me serbët.
Është e pabesueshme sesi skenarë të tillë thuren dhe mandej përhapen te njerëzit poshtë. Kësi historiash dëgjoheshin edhe kur në pushtet ishte Fatos Nano dhe me të njëjtën lehtësi ato treteshin si varianti i vërtetë, por jo zyrtar.
Edhe nëse kjo është një shfaqje fantazie e kufizuar në pak socialistë të bazës, ajo na tregon sesi me ngjarjen “Tahiri” është vënë në provë serioze solidariteti dhe kohezioni i PS-së. Pasi sado e pabesueshme të jetë media, sytë dhe veshët e provincës vigjëlojnë mirë mbi pashallarët lokalë që pasurohen sa hap e mbyll sytë.
Por kjo fabul tradhëton në mënyrë kurioze një tjetër aspekt: ajo i jep përgjigje edhe pyetjes së natyrshme se si është e mundur që të huajt heshtën dhe heshtin për hashashin si industri në Shqipëri. Pra ata heshtin sepse paratë po I marrin. Çka sërish tërthorazi na thotë se heshtja e të huajve që predikojnë përditë reformën në drejtësi, shurdhon çdo vesh shqiptarësh. Se ajo heshtje në një farë mëyre është e blerë. Dhe sa kohë që logjika nuk na ndihmon kemi të drejtë që edhe ne si socialistët t’i drejtohemi imagjinatës: ose është blerë me para – vetëm pak kohë më parë një zyrtar i huaj foli për miliarda euro që qarkullojnë në Shqipëria nga droga. Ose është blerë nga nevojat politike dhe nevojat për një ekuilibër. Ose është blerë se hashashi ka qenë Pazar i tyre. Në të trija rastet heshtja vetëdenoncon këta ambasadorë, raporterë dhe komisionerë të bezdisshëm dhe hipokritë që nuk i duhen më kujt. As edhe socialistëve të thjeshtë që janë të sëmurë terminal në besimin e tyre ndaj partisë.
Add new comment