Dezertuan apo emigruan?
Dje është bërë publik lajmi se katër komando të ushtrisë shqiptare nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfudnimit të një kursi trajnimi në Britaninë e Madhe. Ministria e Mbrojtjes nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar por ka vepruar duke kryer kallëzimin penal.
Ligji parashikon dënime për personat që nuk paraqiten në detyrë dhe këtu çdo gjë është e qartë. Disi e pavend mbetet termi Dezertim, që po përdoret në mediat për largimin e katër efektivëve, Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi.
Në një prononcim të dhënë sot, një prej prindërve të Aleksandër Shkulakut, ka deklaruar se largimi ka ndodhur për arsye ekonomike. Më tej ai ka bërë thirrje që efektivi të kthehet në Shqipëri, por në çdo rast vështirë se kjo sjellje mund të riparohet. Në këto kushte, termi Dezertim ngjan i pavend për sa kohë që kemi të bëjmë me qytetarë në uniformë që paguhen në minimum. Mandej, kjo ikje të kujton ato ikjet e fundit të viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur ndonëse ligji ishte i qartë, situata e sfidonte në thelb kuadrin e tij.
Në fund nuk pati Dezertime, edhe pse u rrëmbyen anije dhe u braktisën postblloqe, por emigrim. Ikje, ikje sa më shpejt nga një jetë që përkufizohet vetëm nga mbijetesa.
Rasti e do që ikja e efektivëve nëse nuk zbulohet arsye tjetër është në kontekstin e klimës së emigrimit që ka tre vjet që është rënduar. Për këtë arsye edhe Dezertimi, sidomos në një vend që aderon në NATO, ku bën pjesë edhe Britania në të cilën ushtarët kanë qëndruar, ngjan nocion abstrakt. pse ligji formalisht e trajton kështu. Dhe edhe pse kufijtë e Shqipërisë tani po ruhen me policë të huaj.
Add new comment