BBC-ja i afrohet rrezikshëm "anëtarësimit" në Kazanin Mediatik
Pas gazetarëve italianë, fëmijët shqiptarë të Veriut tërheqin vëmendjen e BBC-së. Nëse në rastin e parë, reportazhi përqendrohej te shfrytëzimi i punës së fëmijëve në Bulqizë, media britanike hedh sytë nga një temë klishe për Shqipërinë. Gjakmarrja, që bashkë me bunkerët dhe hashashin janë tri temat e preferuara të mediave të huaja. E megjithatë. BBC ka shkuar në një familje në një fshat të Shkodrës, qarku ku sipas medias në fjalë janë ngujuar 68 familje për shkak të gjakmarrjes, reportazhi është standard: Kanuni, e kaluara, malësia, perandoria osmane dhe në fund mungesa e zhvillimit.
Reportazhi edhe pse sjell një të vërtetë që nuk ka sesi të mohohet, priret të ushqejë bindjen standarde se edhe krimi shqiptar në Britani ka lidhje me normat kanunore. Një shpjegim i thjeshtuar që kënaq dëshirën për të mistifikuar suksesin dhe egërsinë shqiptare që trajtohet si temë e preferuar në disa mjedise.
http://www.bbc.com/news/world-europe-41901300
Por ky reportazh ka edhe një tingëllim politik. Vitin e kaluar ne u shurdhuam nga shkrimet për kryeministrin jo të zakonshëm, të veçantë të Shqipërisë, për artistin që po kërkon reformimin e “këtij vendi të vogël të Europës”, një ish-sportist me ambicie europiane etj.. Dhe kjo në disa media, në Britani, Itali etj..
Duket se diçka ka ndryshuar në këtë drejtim dhe trajtesat po pasurohen me ngjyrat e një realiteti që nuk ka fasadë ta mbulojë. Mbetet vetëm të shpresojmë se BBC-ja do t’i shpëtojë listës së kazanit, siç ndodhi me italianët e Bulqizës. Është një traditë e politikanëve shqiptarë që nga Enver Hoxha, që shihte te BBC-ja rrezikun anglo amerikan të kodeve për Mustafa Gjinishin, te Sali Berisha që e cilësoi New York Times si letër higjenike për të ardhur tek rasti i fundit, i dikujt që si kryeministër nuk duron t’ i zhubravisin imazhin që ka për veten.
Duke harruar me gjasë që puna më e mirë është të nxjerrë këtë vend nga fundi i fundit ku nisi udhën e vet dhe po vazhdon po aty. Edhe pse me të qara të mëdha.
Add new comment