Shqiptarit, që nuk ja hedh dot

Postuar në 02 Nëntor, 2017 11:52

Ndoshta shumëkujt ju bë qejfi ditët e fundit kur kryeministri Edi Rama, përsëriti disa herë rresht se sipas tij “edhe shqiptarin më pa shkollë nuk e bën dot për budalla”. Rama tha madje se këtë ua përsërit edhe të huajve, që ndoshta kanë paragjykimet e tyre, apo edhe konstatimet për integritetin e materies gri të popullsisë shqiptare.

Po të ecim pak pas në kohë një gjë të tillë e thoshte edhe Sali Berisha kur ishte kryeministër. Zgjuarësia apo inteligjenca e shqiptarëve është pra një alibi e mirë e pushtetit, sa kohë që “dobiçllëku” si zhargoni urban i të qenit finok është në hit paradën e kotësive të shumta të këtij vendi. P.sh Berisha fliste për zgjuarësinë e shqiptarëve kur analizonte rezultatet e balancuara elektorale, prej nga ku ai dilte fitues. Por po ky Berishë, i bënte zbritje këtij konstatimi kur së fundmi thoshte se “jemi inteligjentë por mjerisht me memorie të shkurtër”. Mungesa e karriges të detyron t’i drejtohesh realizmit kur shikon se shtirja është cilësi e natyrshme e vitrinës së “opinionit publik” në këtë vend. Të dy personat në fjalë e kanë zgjuarësinë tonë variabël të punëve të veta, asgjë më shumë. Por edhe si e këtillë konstatimi në vlen disi. Ka shembuj konkretë për këtë.

Po të shohësh sesi mazhoranca aktuale mbyll vrimat e problemeve të veta, kupton sesa të thella janë problemet tona morale si shoqëri. Rilindja Urbane dhe galeria e fotove që e shoqëron atë është patjetër një operacion propagandistik që kur e vendos në kontekst, rezulton një përpjekje për mashtrim.

Sot p.sh është publikuar një lajm që lidhet me këtë projekt. Në Elbasan do të inaugurohet një park i ri. Lule dhe gjelbërim, disa trotuare, disa bojëra, këndi i duhur fotografik, një fjalë e rastit dhe mesazhi i ripërtëritjes u përcoll. Kështu rilindën në katër vjet lulishte dhe trotuare anembanë vendit. Këtu 100 m, atje më tej 35 m të tjerë. Këtu 200 pemë, më tutje një fasadë, që bashkë me morinë e raportimeve identike krijojnë iluzionin e një Shqipërie tjetër. Kaq shumë na ka munguar rendi urban dhe kaq shumë e kemi kompleksin e inferioritetit ndaj të gjithëve, saqë qeveria e tanishme po e ka shumë të lehtë që me dy metra bar dhe lule të na mbajë të ngrirë me vite pas idesë se po ndryshon vendin.

Poshtë këtyre lulishteve me sipërfaqe modeste, me kosto edhe më modeste, qëndrojnë projekte të tjera për të cilat askush nuk debaton. Elbasani p.sh që sot i gëzohet lulishtes apo parkut, ka problemin e mbetjeve dhe të inceneratorit. Për të shkruhet gjerësisht, ka investigime, shtrohen pyetje, ka dyshime për ndotjen, por askush nuk pranon të diskutojë. Në Tiranë po ashtu e njëjta gjë. Z. Veliaj i jep të drejtën vetes të kërkojë prezencë të shtuar mediatike për çdo m2 pllakë trotuari apo bari që mbjell. Por ai nuk preferon të sqarojë asgjë për kullat e betonit, për parkingjet nëntokësore, për afera të tjera si konçesoni për mbetjet etj.. Fieri po ashtu, një qytet ku bulevardi rilindi me zhurmë të madhe, por ku përkarshi, impianti i mbetjeve është po aq problematik sa në Elbasan. Durrësi është një tjetër provë eksperimentale në këtë drejtim dhe për të është shkruar gjerësisht. Z. kryeministër nuk i ka ecur pazari në Shkodër, ku ndodhet një kryebashkiake e PD-së me të cilën ka zgjedhur të ndajë në media antipatinë personale, që e marketon si kontrast vizionesh qeverisëse.

Rendi urban dhe estetika padyshim që janë të mirëpritur dhe të dobishëm, por ato duhet të kenë një analizë kostoje dhe analizë mbi pasojat. E sidomos ato nuk duhet të paketohen si prioritet për të mbuluar interesa prioritare. Menaxhimi i mbetjeve është edhe biznes, por më së pari është pjesë e interesit të komunitetit. Nëse predikon riciklim dhe ndarje në burim e mandej investon në djegie, sapo ke kryer një akt që tradhëton atë politikë që shpall publikisht. E njëjta edhe me turizmin, që shikohet i bashkëlidhur vetëm me ndërtimin dhe asgjë më shumë.

Dhe këtu nis problemi me komunitetin dhe inteligjencën tonë misterioze. Në vend se politika të caktuara të imponohen në axhendat e partive, janë këto të fundit që imponojnë politikat e veta, lobuar nga kushedi se kush, si zgjidhje për komunitetin. Dhe për ta mbuluar aspektin problematik të tyre, politika vrapon të përdorë atë inteligjencë që e mburr papushim e që e kërkon ta afirmojë po vetë me dhurata qesharake si lulishtet dhe trotuaret.

Miti I shqiptarit inteligjent, dobiç i madh pra që s’ia hedh njeri siç është zhargoni, është kështu pa dashje një mënyrë e mirë, pa kosto, falas fare, që punët e politikës të ecin mirë e më mirë. Sigurisht që kohët e fundit gjërat kanë ndryshuar për mirë për popullin; një pjesë e tij ka zgjedhur të ikë, ta lërë vendin. Me premtimin se nuk ka ndërmend të kthehet më fare.

Një tjetër zhvillim pozitiv është bindja që një pjesë e njerëzve ndan me kryeministrin se media është kazan, duke na konfirmuar kështu rezonancë të plotë mes predikimit dhe këshillave të të parit dhe bindjes së të dytëve. Nuk mbetet vetëm që populli, jo si i tërë, por ai opozitar dhe qeveritar, të pranojë edhe një notë nga politikanët për zgjuarësinë e vet pasi kështu të paktën ka një fjalë të mirë që s’ja thonë askund tjetër.  Kjo edhe sepse të zgjuarin e sidomos të mençurin e kanë zili kudo…Ne këtë e kuptuam shumë mire në 46 vjet me radhë dhe po e ushtrojmë ende.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.