Bujqësia e mbijetesës dhe demagogjia me të punësuarit

Postuar në 02 Nëntor, 2017 15:17

Në seancën plenare të së enjtes deputeti socialist, Erion Braçe, njëherësh edhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë nga ngritur shqetësimin për situatën thuajse të falimentuar ku ndodhen bujqit, për shkak të mungesës së rregullatorëve që u lejon tregtarëve të diktojnë çmimet e produkteve bujqësore.

"Këtu pazari është fuqia e vetme që funksionon. Ata që nuk fitojnë janë bujqit dhe blegtorët e zakonshëm, por fitojnë tregëtarët. Marrëdhënia sot në këto pazare është e tillë ‘ose lëre produktin me çmimin që them unë, ose ik’. Këto çmime po bëjnë që në këtë vend në bujqësi po të punosh nuk fiton, por edhe po të investosh paratë e tua, i humb ato"- deklaroi Braçe. 

A shkoi edhe më tej duke thënë se ka dhe problematika tjera, por ky i abuzimit të tregtarëve është skandaloz.

"Edhe në eksport çmimet kanë shkuar tre herë më shtrenjtë. Nuk do ketë vlerë asnjë lloj investimi nëse paratë nuk i marrin bujqit, por tregtarët. Bujqit e kanë konkurrencën direkt me turqit dhe grekët. Bujqit duhen orientuar të mbjellin tokën në kushtet që para se grekët e turqit të bllokojnë tregun. Sulmi në periudha piku duhet të ndalet"-theksoi deputeti socialist. Përgjigjia e ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi në interpelancën e kërkuar nga Braçe, ishte një tjetër ekspozim i raportit të pavërtetë që ekziston mes gjendjes reale dhe shifrave qe deklarohen për punesimin në sektorin bujqësor. 

"Të gjitha që tha Braçe janë të vërteta. Ka një të vërtetë të madhe që mbase nuk kemi guxuar ta themi, ne quajmë sot fermer këdo që punon e jeton në fshat, në fakt 89% e fermerëve kanë më pak se 2 hektarë tokë. Kjo do të thotë se të ardhurat që siguron nga bujqësia nuk janë të ardhurat primare të familjes tënde. Së pari, jemi duke punuar për përkufizimin e fermës dhe fermerit dhe të bëjmë një ndarje të qartë. Duhet zgjuarsi dhe politikë e zgjuar. Kjo qasje do të ndryshojë në vitin 2018"-deklaroi Peleshi. 

Nëse ato që thotë deputeti Braçe janë të vërteta dhe qeveria i di, atëherë  ku bazohet llogaritja që është bërë se përveç 300 mijë të punësuarve në sektorin jo bujqësor, mijëra të tjerë janë punësuar në ferma dhe aktivitet bujqësor?  Kryetari i Komisionit të Ekonomisë thotë se fermerët ose bujqit nuk sigurojnë as paratë për mbjelljet e sezonit të ardhshëm, ndërsa dy vjet më parë kryeministri  u kërkonte bankave të nivelit të dytë të kreditonin projektet në bujqësi për të cilat sipas tij risku i dështimit ishte shumë i vogël, për të mos thënë inekzistent.

Ju garantoj se instrumentet që Qeveria ka për të kontrolluar projektet janë shumë më rigoroze sesa kontrolli që kanë bankat për kontrollin në kreditimin e bizneseve. Nga kontrollet që ne kemi ushtruar nuk ka qoftë edhe një rast që skema të ketë dështuar“- deklaronte kryeministri në 2015. 

U bë çfarë u bë në 4 vjet, optimizmi nuk mungon për të ardhmen. 

"Brenda këtij viti do përfundojmë 29 skema, do shtojmë me 10 mijë hektarë nën ujë. Do vazhdojmë decentralizimin, pjesën më të madhe të infrastrukturës dytësore dhe tretësore ua kemi dhënë bashkive. Po përmbyllim negociatat me BB për 25 milionë euro të tjera për skemën e ujitjes për vitin 2018"-premtoi ministri i ri i Bujqësisë, Niko Peleshi në parlament.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.