Jo vetëm çështje bandash! (Video)
Sajmir Tahiri doli sërish në një konferencë për të sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij mbi kërkesën për arrestim nga Prokuroria. Ish-ministri i Brendshëm paraqiti një dokument të prokurorisë së Katanias, që sipas tij vërteton se ai nuk ka qenë nën hetim nga autoritetet italiane.
Sipas Tahirit, kjo është një provë e vogël e pastërtisë së tij përballë akuzave që i quajti baltë politike të atyre që "duan të justifikojnë llumin e vjedhjeve e vrasjeve në 25 vjet të qëndrimit të tyre në politikë"
Qartazi Sajmir Tahiri ka aluduar për Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët nuk i përmendi me emra, por i quajti mentorë të Lulit dhe Monikës. Ish-ministri tha se grupi i Habiljave nuk është asgjë përballë bandës politike që ka orkestruar sulmin ndaj tij.
Gjithçka tjetër rreth tij dhe grupit të Habilajve ish-ministri i quan thashetheme, por nga ana tjetër la të kuptohet se ka dijeni për “mëkate” të pandëshkuara të bandës Meta-Berisha. Diçka që kur ishte në detyrë nuk e pamë ta bënte publikisht me ndonjë denoncim apo duke iu drejtuar Prokurorisë.
Për më tepër që qeveria ku bënte pjesë zoti Tahiri bashkëjetoi 4 vjet me një pjesë të bandës të cilën ai thotë, ndonëse ky i fundit e konsideron veten te distancuar personalisht nga Ilir Meta.
Ky distancim nuk ka asnjë vlerë politike për aq kohë sa nuk ka ndikuar në asnjë prej vendimeve të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në marrëdhënie me LSI-në ose Ilir Metën. Ish-ministri Tahiri mund të ketë të drejtë në pretendimin se po bëhet tabelë qitjeje nga kundërshtarët politikë, por ai nuk mund të mohojë faktin që ka një dosje të ardhur nga Italia ku implikohen kushërinjtë të cilëve ai u kishte shitur makinën. Një mjet Audi, që ish-ministri e përdori edhe 1 vit pasi ua kishte shitur kushërinjve, të skeduar nga drejtësia italiane si krerët e një organizate të strukturuar kriminale.
Gjithsesi socialistët e kanë vendosur që në seancën e së mërkurës do të votojnë për nderin e tyre, e përkthyer në kartona kundër arrestimit të Tahirit, siç thuhet në këtë paragraf të raportit që ata kanë hartuar në Këshillin e Mandateve.
“Ndoshta sot për kredo politike shumë mund ta fitojnë një betejë, por nuk do të na e falë as historia e së drejtës së këtij vendi as vetja jonë në të ardhmen dhe as ndërgjegja jonë nëse nuk jemi të bindur të marrim një vendim i cili cënon atë që quhet Kushtetutë”.
Tahiri thotë se është i pastër dhe këtë lipset ta vërtetojë, por një detaj jo pa rëndësi në konferencën për shtyp të ish-ministrit ishte refuzimi i tij për të treguar çmimin e syzeve, të cilat thuhet se kushtojnë mbi 10 mijë euro.
Add new comment