Jo vetëm në Serbi. Putin i preferuar edhe në Greqi
Një sondazh i kryer nga një grup sociologësh në Univesitetin e Maqedonisë për llogari të gazetës “Kathimerini”, evidenton një klimë mosbesimi të grekëve ndaj Perëndimit dhe Europës politike, në të cilën bëjnë pjesë prej dekadash. 57.3% e grekëve mbajnë qëndrim pozitiv ndaj Rusisë dhe 67% e tyre kanë qëndrim pozitiv ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Kancelarja gjermane Angela Merkel, shikohet pozitivisht nga 40.5% e të pyeturve, kurse presidenti amerikan, Donald Trump nga vetëm 16.5% e tyre. 73% e grekëve nuk e pëlqejnë Trump, ndërkohë që për Merkel kjo shifër është 56%.
Të pyetur se “cilët nga liderët botërorë besoni më shumë”, qytetarët grekë që morën pjesë në sondazh u përgjigjën në masën 41.5% për Putin, 27.5% për Merkel dhe 5% për Trump. 43% e grekëve janë të sigurtë se Putin mbështet interesat e Greqisë dhe vetëm 29.5% e tyre mendon të njëjtën gjë edhe për Merkel.
Për sa i përket marrëdhënieve diplomatike, 47.5% e grekëve mendojnë se Greqia duhet të forcojë marrëdhëniet me BE-në, 24.5% mbështesin raportet me Rusinë dhe vetëm 9% e grekëve shohin nga nevoja e forcimit të raporteve me SHBA. Në sondazh morën pjesë 1023 njerëz.
Greqia është vend anëtar i BE-së dhe anëtare e NATO-s. Ajo është cilësuar shpesh si e përkëdhelur e Perëndimit edhe pse historia e afërt politike e saj ka një thyerje të madhe me britanikët në vitin 1946. E majta greke është ndër më radikalet në Europë, por ndonëse erdhi në pushtet me Tsipras ajo dëshmoi se ishte shumë larg të qenit retorikës antikapitaliste dhe antiperëndimore.
http://greece.greekreporter.com/2017/10/08/survey-greeks-trust-russia-an...
Add new comment