"Na kanë vënë në institucion, për të mos zbuluar asgjë nga dosjet e Diktaturës"

Postuar në 10 Tetor, 2017 11:57
Intervistoi: Roland Qafoku

Daut Gumeni, anëtar i Autoritetit Për Hapjen e Dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, ka deklaruar në emisionin ”Debati në Channel One” se dosjet nuk do të hapen, se Autoriteti i ngritur për këtë qëllim nuk do ta përmbushë misionin e tij. Më poshtë një pjesë e intervistës: 

Afër 1 vit më parë, Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit me pesë anëtarë të Autoritetit për Hapjen e Dokumenteve të Sigurimit të Shtetit. Si ka qenë veprimtaria e këtij autoriteti në 1 vit?

Në nëntor mbushim një vit. Nuk mund të themi që kemi bërë atë që duhet. Të dhënat janë marrë nga sekretari ynë. Janë rreth 196 kërkesa individësh që duan të marrin vesh se çfarë është bërë me ta. Janë 110 kërkesa që u janë mbaruar shqyrtimi. Janë në proces zbulimi i atyre që kanë dëmtuar personat dhe ne kemi vështirë pa patur arkivin tonë. Puna pengohet të shkosh nga një arkiv në tjetrin e të marrësh informacion.

Kur ju shkoni te arkivi i Ministrisë së Brendshme, çfarë ndodh?

Të vesh te arkivi i Ministrisë së Brendshme nuk është se na pengojnë punonjësit, por vetë mënyra se si janë vendosur dokumentet që na takojnë si institucion, të pengon t'i shqyrtosh kur do ti dhe brenda afatit. Me një fjalë për ata që e dinë se ne jemi një institucion i mrekullive, ne jemi një institucion i zakonshëm që zbatojmë një ligj të caktuar të miratuar nga Kuvendi për t'i njohur për të shkuarën e e tyre. Por që të bëhet kjo ne duhet të kemi godinën e arkivit tonë.

Po ju e keni godinën?

Godinën e kemi, por godinën e kemi për festa; nuk e kemi për të patur arkivin brenda.

Prit, prit zoti Gumeni! Unë kam qenë atje. Keni goxha godinë.

Ju keni ardhur në inagurim. Ne inaguruam pa inaguruar gjë. Ajo ishte kot. Ajo ishte kushdo që të na ndihmojë se ne jemi "ku të thërret qameti".

Si ka mundësi zoti Gumeni? Ju po na zhgënjeni!

E vërteta nuk të kënaq gjithnjë, i dashur Roland. Miku im, nëse do të duash një institucion, ai nuk mund të funksionojë si duhet pa patur arkiv. Është historia e vjetër e mungesës së këmbanës. Përse nuk binte kambana? Kishte 101 arsye. E para ishte se nuk kishte fare kambanë.  Ne nuk kemi arkivin tonë dhe kur nuk ke arkivin si mund të punosh?!

Zoti Gumeni, ju jeni duke thënë se arkivi dhe dosjet duhet të vijnë në godinën ku jeni ju?

Doemos. Ndryshe ne nuk mund të punojmë.

Po ju aty nuk keni asgjë?

Ne kemi aty dosje në dhoma të marra hua. Na i dhanë që të mos mbeteshim fare. Kemi kërkuar varavingo.

Por mirë zoti Gumeni çfarë keni bërë në një vit ju?

Këto pra që ju thashë: 196 kërkesa të bëra, 110 të shqyrtuar dhe 36 kërkesa janë shqyrtuar nëse kanë apo jo ligjshmëri. Janë 32 kërkesa për të cilat është mbyllur procedura mbi bazën e vendimeve dhe 625 persona që janë kontrolluar, por jo nga Autoriteti, por nga instituconet e tjera që u ka kërkuar autoriteti. Janë Shërbimi Informativ dhe Ministria e Brendshme. Ne kemi shërbyer si kamarierë. Nuk kemi kontrolluar ne. Ua kemi kërkuar arkivave këtë gjë dhe ata e kanë bërë. Ne nuk kemi kryer asnjë veprim. Thjesht kemi përcjellë atë që na kanë dhënë. Kur nuk ke arkivin tënd, ne shkruajmë që ky institucion "thotë kështu". Por në fakt duhet t'i kontrollojmë.

Pra ju nuk keni kontrolluar fare?

Jo.Janë edhe 9 apo 10 kërkesa për arsye studimore. Në fakt këtu ka një problem se ata nuk mund të kërkojnë të gjitha dosjet. Jemi ne ata që selektojmë dhe ua vënë në dispozicion. Nuk munjd të kërkohen dosje pa fund dhe pa objekt. Ka nga ata që kërkojnë të gjithë arkivin. Kur u ngrit Autoriteti thamë se edhe pse me shumë vonesë, më në fund pas 27 vjetësh hapja e dosjeve mori udhë.

Kur ju flisni kështu jo thjesht na këpusni shpirtin, po na zhgënjeni në një mënyrë të tillë që...

Deri te këputja e shpirtit nuk besoj të shkojmë, por kur jam unë i zhgënjyer, imagjinoni ju. Pas 1 viti mund të them se puna jonë ka më shumë byk se sa grurë. Kjo është këputje shpirti sepse ne prisnim rezultate. 

Pyetja ime e thjeshtë është: Aa ka një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar që ju e keni verifikuar në këtë 1 vit punë, zoti Gumeni?

Janë vetëm dy raste që presidenca kërkoni për dy ushtarakë.

Zoti Gumeni, kjo nuk quhet. A ka ministra, zëvendësministra, deputetë drejtorë drejtori të rëndësishme dhe funskionarë që ju I keni verifikuar në këtë 1 vit punë?

Jo. Nuk ka. Nuk ka kërkesa. Sepse ligji e përcakton që po të duan.

Domethënë nuk ka asnjë kërkesë. Por çfarë keni bërë ju në këtë 1 vit?

Puna jonë në këtë 1 vit ka qenë me këta fakirët që duan të dinë se çfarë ka ndodhur, kush i ka spunuar, kushëriri, vëllai, motra. Por nuk ka asnjë verifikim të atyre që e kanë dëmtuar vendin dhe vazhdojnë të mbajnë funskione. Ata që kanë paraqitur kërkesa, nuk e dëmtojnë. Nuk janë ata që janë kureshtarë, pengesa e përparimit, por janë ata që e kanë mbajtur pushtetin dhe e kanë akoma pushtetin. Unë nuk jam pesimist, se do gjendet ndonjë nga ata që e kanë dëmtuar këtë vend.

Domethënë,jo vetëm deri tani por edhe në të ardhmen nuk ka për t'u gjetur dikush?

Nga aq sa kam parë në arkiva duket që ka patur një kujdes të veçantë për t'u pastruar.

Zoti Gumeni po më trondisni. Kjo është shumë e rëndë.  Ata kanë 27 vjet që i thonë pseudonimet njëri- tjetrit në Kuvend.  

Mua më trondit fakti që menduam se pas 27 vjet thamë më mirë vonë se kurrë. Por kjo në fakt qenka kurrë. Me sa kam mundur unë të shoh por jo vetëm unë por edhe specialistët, edhe kur kemi patur ndonjë kërkesë anësore, nuk del gjë.

Nuk del gjë? Çfarë duhet të ketë ndodhur?

Kur nuk gjendet duhet të pyeten ata që kanë patur në dorë pushtetet dhe çfarë kanë bërë me ato dosje.

Kjo nuk pritej. E kisha marrë me shumë dëshirë intervistën me ju dhe prisja ta tregonit publikisht dosjet që kishit hapur. Si ka ka mundësi çfarë ka ndohur?

Nuk ka përplasje. Duke mos pasur këmbana, merremi me gjera anësore. Nuk kemi arkiv sepse arkivi ka kërkesa.

Çfarë pune bëni atje?

Ne përpiqemi të plotësojmë kërkesat. Por kjo nuk të bën të zbatosh ligjin.

Ju jeni duke thënë se nuk keni zbatuar ligjin?

Po. Si ta zbatosh ligjin kur nuk e ke mundësinë?! Ne jemi akoma pa mundësi.

Por për çfarë e keni marrë rrogën aty gjatë këtij viti?

Ka edhe momente që e merr rrogën kot. Në këtë lloj pushteti, institucione "paftë mbi paftë", nuk bëjnë asgjë. Jam gati të iki nesër dhe jam më i qetë se sa kur më ngarkojnë një punë dhe nuk më lejojnë ta bëj këtë punë. Të vjedhës rrogën i detyruar nuk është turp vetëm për atë që e vjedh, por edhe për atë që e detyron të vjedhë. Çdo një drejtoi politike për të përndhjekurit në Ministrinë e Mirëqënies?! Kjo është "paftë mbi paftë".

Si funksiononi ju me njëri - tjetrin?

Funksionimi ynë varet nga këto kërkesa që thashë. Ne mblidhemi. Nuk themi që të gjitha gjërat shkojnë vaj. Mund të jetë edhe faji ynë. Madje dhe imi. Sepse më shumë bëjmë shfaqje se sa punë. Po e marr fajin unë që ata që duhet të kontrollojnë e magjepsen më shumë nga shfaqjet se sa nga puna.

Kam një pyetje të drejtpërdrejtë. A keni zbuluar ndonjë gjë që vlen ju, në këtë 1 vit?

Mesa duket ne na kanë vënë në këtë institucion për të mos zbuluar asgjë. Këtij institucioni nuk i mungon serioziteti por nuk e lejojnë të punojë.  Për mua ligji aktual duhet të ndryshohet dhe të bëhet verifikimi një detyrim ligjor. Ndryshe kjo që po bëjmë është pa asnjë vlerë.

Comments

Submitted by GJINOJA (not verified) on

Z. Gumeni, një vit është shumë vonë për të kuptuar se ju kanë vënë në atë detyrë për t’u tallur me ju dhe me të gjithë popullin. Ndërsa komunistët të burgosën, këta të tallën. Ikni të gjithë sa më parë! Vetëm kështu mund t’i shërbeni çështjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.