Një status në Facebook që vlen më shumë se "ikona" e "kryeministrit fluturues"
Premtoi fitore publicitare dhe ja arriti. Edhe pse askush s’mund të provojë se për çfarë e kishte fjalën në të vërtetë.
Kryebashkiaku I Tepelenës, Tërmet Peçi, ka ardhur sërish në vëmendje të medias, apo disa mediave, këto ditë. Siç edhe sqaron vetë në profilin në Facebook, Tërmeti, ka vendosur t’I dhurojë të rinjve të Tepelenës një model suksesi dhe frymëzimi: Edi Ramën duke bërë kosh. Paraqitur vizualisht në muret e një qendre të re sportive multifunksionale nga ato “që ndoshta rajoni i ka ëndërruar”.
Rama paraqitet aty muskuloz, në shpërthim vitaliteti, edhe pse fytyrën ia kanë “harruar” ashtu siç është sot, 50 e ca kusur vjet moshë. Është sikur në Gjermani të ofronin si model Bekenbauerin me syze dhe me paraqitje intelektuali, për futbollistët e rinj. Për ta lëmë mënjanë këtë trill të pushtetit të Rilindjes; ajo çfarë meriton një lloj vëmendjeje është çështja nëse z. Peçi e ka shkruar vetë apo jo këtë status ku mbron vendimin e tij për të kthyer Ramën dhe të tjerë sportistë në ikona për të rinjtë e Tepelenës? Nuk është pa rëndësi kjo pyetje sidomos kur lexon renditje sintaksore si kjo më poshtë:
“Kryeministri ju që se dini ka qënë ai që inicioi me atë vullnet dhe shpirt sportisti, që ai projekt të realizohej për këta fëmijë sepse do të gjente financim, që ky brez që rritet të njohi standartin dhe qytetarinë dhe jo baltën e harresën”.
Kryebashkiaku i “fitores publiçitare” përdor të 36 gërmat e alfabetit në një postim në rrjetet sociale, duke na ofruar ndërkohë një gjuhë të njohur dhe të lodhshme, një standard moraliziues bajat që Rilindja tanimë e ka kodifikuar si normë refleksive.
Kush është pra autori i këtyre radhëve me 36 gërma? Do të uronim që të ishte z. Peçi. Do të uronim që ky nivel formulimi që i ngjan kaq shumë notimit të fjalëve pa mendim që I shërbejnë si kravatë lajle - lule Rilindjes në apologjitë e improvizuara që i duhet të shpikë thuajse përditë në këto 4 vite, të kishte për autor kryebashkiakun. Pasi të paktën kjo do të ishte shenjë pozitive se autodidaktët nuk janë zhdukur ende nga kjo botë. Mundet të jetë edhe që këto fjalë që rrjedhin me frymë anti-portal, të jenë frymëzim I vetvetishëm nga “ikona” e Edi Ramës duke bërë kosh. Mrekullia e reformave dhe Shqipërisë në progres mund të jetë një eliksir që ka efekt te një kategori, tek ata që e kuptojnë dhe e përjetojnë thelbin e saj.
Z. Peçi nuk është i pari që befason. Më para tij ka qenë edhe Elvis Roshi, apo ish-kryebashkiaku I Kavajës që prezantohej me këtë emër, ai që “korrigjoi” imazhin e tij si një njeri që e ka pikë të dobët Fjalën, kur iu përvesh Sali Berishës në Facebook.
A mund të na lejojë Rilindja që të hamendësojmë se Demkat e saj të shumtë janë vënë në veprim për të mbrojtur imazhin e të emëruarve të zgjedhur? Këta Demka mund të jenë në fakt edhe kryeministra, gazetarë me emër, nga ata që ditën kapin ndonjë altoparlant për të ngjirur zërin për të drejtat, mbrëmjeve bredhin nëpër studio ku paguhen jo keq, e si punë me honorare në natyrë, hedhin edhe ndonjë status në Facebook.
Ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë kjo në këtë vend që ka parë shumë përrenj intelekti të shpërthejnë për të mirën e përbashkët. Nuk do të çuditeshim aspak që ky vallëzim me veten, me imagjinatën e secilit që sheh ses në Shqipëri mund të afirmohesh në çdo fushë si autoritet, nëse pushteti do, të kemi së afërmi edhe Akademi Shkencash në rang njësie administrative. Sigurisht që një vend me këtë bazë ekonomike dhe me një elitë politike në kërkim ndërkombëtar, nuk do të vononte që përfaqësimi i saj të pëshfaqej me karakterin e vet indadues në çdo hapësirë. Pa respektuar asnjë kod dhe pa pyetur për ndonjë etikë. Sepse Rruga të tilla nuk ka.
Add new comment