Kriza e kristianizmit europian, faktor në rritjen e ekstremit të djathtë?
Zgjedhjet në Gjermani kanë një kryelajm: Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë ka hyrë në Parlament si parti e tretë me një diferencë më pak se 8% nga socialdemokratët. Analogjia me nazistët dhe rrugën e tyre parlamentare drejt pushtetit nuk mungon. Edhe mesazhet politike janë të ngashme.
“Ne duam një politikë ndryshe. Një milionë njerëz, të huaj, janë sjellë në këtë vend po marrin secili nga copë prej tij dhe ne si ApG nuk e duam një gjë të tillë”, citon BBC-ja, bashkëkryetarin e partisë, Alexander Gauland. Sipas tij, të 94 deputetët që mendohet se kjo parti do të marrë në një parlament me 709 vende, do të përqendrohet te çështja e imigrantëve. Ndonëse kancelarja Merkel e ka situatën nën kontroll dhe është riafirmuar, mediat po vënë në dukje se ka qenë politika e saj e dyerve të hapura ndaj imigrantëve në vitin 2015, ajo që provokoi rritjen e ApG-së. Për këtë arsye rezultati i zgjedhjeve është kompleks dhe me lexime të shumëfishta.
Kjo pasi retorika e kësaj partie ka prodhuar rritje politike dhe në këtë kuptim verifikohet një problem serioz social. Nga ana tjetër, rritja e ekstremit të djathtë në Perëndim, në ligjërimin e të cilit zë një vend të rëndësishëm ajo që quhet islamfobia, është thuajse homogjene në disa vende. Nuk është një dukuri e shkëputur dhe për këtë shembull është njëfarësoj edhe zgjedhja e Trump në SHBA, pas të cilit qëndron një enturazh i fuqishëm i një të djathte që akuzohet për racizëm.
Dhe kjo prirje shkon drejt krijimit të një rrjeti solidarizimi që përmes medias online krijon ndikim të madh. Dy ditë para zgjedhjeve gjermane, media e njohur online, “The Intercept” publikonte një shkrim në të cilin evidentohej mbështetja e madhe që ApG-ja merrte nga një faqe online në SHBA, e cila financohet në pjesën më të madhe nga bamirësja hebreje, Nina Rosenëald. Situata është ironike, përderisa hebrejtë ishin viktimat kryesore të holokaustit të programuar dhe ekzekutuar nga paraardhësit shpirtërorë të ApG-së, nazistët e Adolf Hitlerit.
Sipas “The Intercept”, materialet e faqes në fjalë – Gatestone Institut – përkthehen rregullisht në Gjermani dhe promovohen nga politikanët e ApG-së, përmbajtje provokative.
https://theintercept.com/2017/09/22/german-election-afd-gatestone-institute/
Tensionet e fundit mes Gjermanisë dhe Turqisë kanë shërbyer jo keq në këtë drejtim. P.sh në një material të datës 12 shtator, Gatestone Institute ekspozon disa të dhëna që duan të japin përshtypjen e një pushtimi fetar nga Lindja islame.
“Turqia kontrollon 900 xhami në Gjermani...”, ja një e dhënë që synon t’i ngrejë leshrat përpjetë çdo gjermani. Faqja citon shkrime të gazetës “Die Welt” sipas të cilës kristianët në Gjermani do të jenë pakicë brenda 20 viteve. Ky nuk është thjesht spekullim. Një deklaratë e Konferencës Ipeshkvnore Gjermane saktësonte se Kisha Katolike Gjermane ka humbur 162 093 besimtarë në një vit dhe ka mbyllur 537 famulli.
“Nga viti 1996 e deri më sot janë mbyllur ¼ e komuniteteve katolike gjermane”, vijon shkrimi. Edhe protestanizmi gjerman përballet me krizën e madhe. Faqja flet për shkallë të lartë vdekshmërie mes kristianëve gjermanë, ndërkohë që për të shtuar tensionin, kujton se vetëm Arabia Saudite propozon ndëritmin e 200 xhamive të reja në Gjermani, ose 1 për çdo 100 refugjatë.
Shkrimi në fjalë, mbushur me të dhëna të kësaj natyre, është huazuar nga italiania “Il Foglio”, përkthyer në anglisht dhe mandej qarkulluar në mjediset mediatike të ApG-së.
https://www.gatestoneinstitute.org/10831/germany-islam-rising
Për t’u kthyer te lajmi fillestar. “The Intercept” shton se fondacioni i hebrejes Rosenëald financon edhe ata që media në fjalë i quan si ekspertë të islamofobisë si Robert Spencer, Frank Gaffney dhe David Horoëitz. Është e qartë se përpjekja e fondacionit është influencimi i zgjedhjeve gjermane, diçka që ne në Shqipëri e këmi si përvojë të konsoliduar. Jo me shkrime apo në këtë mënyrë të sofistikuar, por me deklarata dhe ndonjë takim që shërbehet mandej si mbështetje lokale.
Në çdo rast duhet thënë se retorika e partive të tilla nuk është thjesht dhe vetëm emocionale dhe arbitrare. Në disa vende të Europës Perëndimore është i qartë ai që quhet si krizë e kristianizmit. Para disa ditësh u publikua lajmi se numri kryesor i konvertimeve në krisitianizëm në Holandë e udhëheqin iranianët. Kjo për arsye të marrjes së leje qëndrimit ndërkohë që kristianizmi në një shoqëri konsumi po shkon drejt rënies.
Kjo krizë po mbarset me farën e një një krize të qytetërimit perëndimor, që mund të jetë duke braktisur vlerat kristiane në një proces shekullarizimi dhe defetarizimi. Këtë vakuum duket se po e mbushin parti të ekstremit të djathtë që siç e kërkon logjika, do të kërkojnë prodhimin e armiqve. Dhe Islami ka kredencialet e një armiku shumë konvenient. Nëse kjo prirje do të jetë e qëndrueshme, ndoshta Gjermania dhe Merkel do të përballen me probleme të reja që patjetër do të ndikojnë në shumë drejtime.
Add new comment