Luftë korrupsionit me korrupsion
Zgjedhjet e 25 qershorit duket se nuk kanë ndryshuar asgjë në thelb. Lëvizjet politike të ditëve të fundit, nëse mund të quhen të tilla, japin thjesht dhe qartë idenë e një skematizimi tradicional: PD-LSI përballlë PS-së. E paqarta këtu mbetet Lulzim Basha dhe roli i tij i dyzuar në raport me detyrimet e një marrëveshjeje që e shijon shumë dhe domosdoshmërisë për të bërë opozitë.
Sa për të tjerët, bashkëpunimi është dukshëm.
Konkretisht, ka disa ditë që në media flitet për drejtorët e LSI-së që rrezikojnë. Arrestimi i përfaqësuesve të Autoritetit Kombëtar të UShqimit në Shkodër, pas një skandali të transmetuar në Tv Klan, është një sinjal, se qeveria do të veprojë për të goditur pikën e fortë të partisë së Ilir Metës që është punësimi dhe shpërblimi përkundrejt votës. Natyrisht që ndalimi në këtë rast është ligjor pas asaj që u pa në televizion, po këtu kemi të bëjmë me goditje selektive të motivuara politikisht.
Nuk është e rastit kjo që ndodh. Ilir Meta nuk mund të flasë as të angazhohet direkt në këtë lojë të re dhe me pasoja. Ai është president i vendit dhe është i izoluar politikisht. Për këtë arsye akuzat e Luan Ramës dhe LSI-së për radarët e monitorimit të hapësirës detare janë një kundërsulm që synon të inkriminojë institucione në hyqmin e kryeministrit për të balancuar goditjen që po ndodh ngado. Edhe sot Luan Rama foli për radarët detarë dhe trafikun e drogës:
“Organi i vetëm që mund të investigojë e të hetojë sipas ligjit është Prokuroria, jo Ministria e Brendshme, aq më tepër po të kemi parasysh që QNOD-ja ku është Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare është nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes!”, tha ai duke kërkuar nga ministri i Brendshëm të bëjë denoncimin në Prokurori.
Nga ana tjetër në lojë është hedhur aleati i vjetër i Ilir Metës, ish-kryeministri Sali Berisha. Përmes një statusi në Facebook, Berisha zbardh skemën e emërimit të sekretarëve të Përgjithshëm në disa ministri duke akuzuar se pas të gjitha lëvizjeve qëndron sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Emra të shumtë të përfolur për afera të ndryshme rezultojnë së fundmi si drejtues administrative të ministrive që në kuadrin e bashkimit të disa agjencive me siguri që do të rezultojnë njerëzit me pushtet faktik poshtë një kryeministri që i ka ministrat kukulla. Por goditja e Berishës mesa duket synon edhe të neutralizojë kredon kryeministrit Edi Rama në fushatën elektorale për reformën në administratë, duke ekspozuar rastin flagrant të emërimit nepotik dhe abuziv të titullarëve administrativë të ministrive. Ka shumë informacione për atë që ndodhi pas kuintave me krijimin e qeverisë, por një fakt duket qartë: aty tani dominojnë menaxherët e tenderave, ish-drejtorë që kanë firmosur miliona euro prokurime.
Nëse në fushatë Edi Rama ja doli të stigmatizonte LSI-në dhe njerëzit e saj, ai sot ata po i shkarkon e me gjasë disa po i arreston. Deri këtu ligjërohet loja me korrupsionin. Por që kjo lojë të jetë e vërtetë, duhet përgjigje edhe për këto zbulime të opozitës së Berishës, njësoj si për trafikun e drogës. Përndryshe, deri në fund të katër viteve do të përmbytemi nga lloj lloj akuzash, ndaj të cilave kryeministri mendon t’u bëjë diversion me idenë e bashkëqeverisjes, apo duke folur me popullin në Facebook dhe online. Por kjo vetëm sa do ta helmonte edhe më shumë një klimë edhe kështu të ngarkuar. Është paradoksale të shohësh sesi 25 qershori riprodhoi të njëjtat pole, duke lënë një vazhdë edhe më të thellë mosbesimi ndaj politikës.
Add new comment