Një lojë e pistë
Shumëkush e mendoi si moment reflektimi deklaratën e Edi Ramës për çështjen e drogës gjatë fjalimit të parë në legjislaturën e re parlamentare. Ai vlerësoi opozitë se kishte shkundur qeverinë gjatë katër viteve për trafikun e drogës. Bashkë me vendimin e largimit përfudnimisht nga kabineti qeveritar të Sajmir Tahirit , kjo deklaratë paketohet si një mesazh politik që e bën këtë të fundit viktimën e radhës.
Mirëpo ndonëse e mbushi qeverinë me zgjedhje personale, Edi Rama duket se u detyrua të konsiderojë dy emra me të cilët duhet të bënte kompromis. I pari, ministri aktual i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili gjatë verës doli në një takim me gazetarë për të përcjellë mesazhin se ai nuk do të lejonte të përdorej nga kryeministri dhe kështu në një farë mënyre u imponua. I dyti është po Sajmir Tahiri, të cilit Edi Rama i dha një detyrë partiake, të cilës mund t’i nxirret rëndësia e madhe nëse ish-ministri do të dijë të veprojë. Koordinatori për bashkëqeverisjen mund të jetë honorifik, apo si biçim shefi i kabinetit për Facebook, por Facebook është kancelaria e kohës sonë dhe aty ka shumë për të bërë.
Situata me Sajmir Tahirin dhe Ministrinë e Brendshme kanë rëndësi të dorës së parë. Edi Rama dëshiron të heqë damkën e qeverisë së kanabisit, por vështirë se për këtë Tahiri të shërbejë si viktima par exellence. Kanabisi dhe paratë e tij janë diçka shumë e madhe sa të besohet se atë e ka menaxhuar një ministër i vetëm. Këtij ekuacioni i mungon patjetër opozita e cila nuk dëshiroi të përfshihej me instrumentet parlamentare që ka në dispozicion, por zgjodhi qytetarin dixhital. Një formë parapolitike e sulmit dhe shantazhit që çon vetëm te pazari.
Dhe duket se opozita, nominalisht Sali Berisha po e përpunon më tej këtë armë duke marrë rolin e dikurshëm të ndonjë gazete tek e cila vinin e denonconin afera, zyrtarë anonimë të pushtetit që kishin fërkime brenda të njëjtit lloj. Ka disa ditë që PD-ja po godet ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për trafikun e drogës. Çështja e një radari që nuk punon mirë paska provokuar kalimin e tonëve të drogës dhe Kodheli na rezulton se paska grirë miliarda. Berisha sot madje nxjerr një tjetër qytetar dixhital, me dijeni të posaçme për mënyrën e funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe qendrave monitoruese, kur me një postim në Facebook ndër të tjera thotë se:
Ministria e Mborjtes dhe firma duhet të sigurojë që Radarët dhe i gjithë Sistemi i Vëzhgimit të Hapësirës Detare Shqiptare duhet të jenë "OPERACIONAL" - pra të pasqyrojë në detaje cdo gjurmë - lëvizje ne det, i cili faktikisht ka funksionuar totalisht, edhe për aq radarë sa kanë qënë në punë, në periudha të veçanta prej 2009 deri në maj 2014. Kjo realizohej sepse sistemi menaxhohej, operonte me softin MTM200, të prodhuar (ashtu sikurse e ka dizenjuar, instaluar dhe vënë në pune) firma - Korporata Amerikane “Lockheed Martin Global Inc (LMGI)”. MM ka shpenzuar deri në mars 2017 (pra në 18 muaj) totalisht për këtë sistem (dhe dhuruar firmës private) shifren miliardëshe: 201 909 175 lekë (pra 2.020 miliard lekë) pa patur asnjë "rezultat operacional), vetëm për 7 Radarë, dhe një radar ende prej 2013 të pa vendosur në punë në PSV Uji i Ftohtë Vlorë), duke realizuar një rekord "evropian" të sasië të drogës në brigjet e Italisë!!!!!!. Ky ka qënë misioni i Mimit, pas zbulimit dhe demaskimit të "rrugëve ajrore të drogës"!!!!. të zotëronte detin e "drogës". Populli i ka shumë të thjeshtë të kuptojë të vërtetën e pastër pa asnjë ngjyrë politike: Si ka mundësi që Policia kufitare shqiptare, Guardia di Financa Italiane në Shqipëri si edhe Forca Detare (që kontribon në det edhe për NATO) nuk kanë kapur asnjë gomone në brigjet dhe hapësirën detare shqiptare, por vetëm kur "pulskojnë" në brogjet Italiane. Thjesht e kuptueshme: radarët janë "funksional" por asnjëherë "OPERACIONAL", pra nuk pasqyrojnë azgjë, vetëm "miza" në ekrane që ndjekin njera-tjetrën. Kjo është e thjesht fare: "Mafja Kodheli - Tahiri" ka lejuar vetë, nëpërmjet dhënies të sistemeve SIVHD "mafjes" të drogës. Ky eshte skandal shtetëror, që ka cënuar Sigurinë Kombtare!!!
Mimi Kodheli del këtu – me shpjegimet gati profesionale të një qytetari dixhital - njëra nga dy krerët e trafikut të drogës bashkë me Sajmir Tahirin, të cilin z. Berisha e përmend kalimthi sa për të thënë. E ndërkohë që publikon këto xhevahire, rekomandon që të shohim një tjetër përmasë të trafikut, atë të sigurisë kombëtare, e cila është eventualisht çështje apo temë, ose e ndonjë komisioni hetimor, qoftë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku drejton presidenti Ilir Meta.
Nuk do shumë mend të kuptohet se Berisha po bën atë që ka bërë përherë: po ngatërron koniunkturën e brendshme të PS-së ku gëlojnë klanet dhe armiqësitë, në përfitim të vet. Tahiri është pjesë e lojës politike ende, ndërkohë që Kodheli është asgjë në ekuacionet politike. Largimi i saj nga kabineti qeverisës nuk dihet për cilat arsye ka ndodhur, por nuk përjashtohen edhe trille banale, mëri femrash, xhelozi për kandidaten për presidente, goditje e një profili që pritej jashtë me protokoll thuajse të njëjtë me kryeministrin etj.. Në atë parti duhen konsideruar të gjitha absurditetet. Ndaj është i çuditshëm ky lloj sulmi që konservon ish-ministrin e Brendshëm, i vënë prej kohësh në prozhektorët e skandaleve. Dhe është aq më tepër i çuditshëm kur ai ndodh ndërkohë që kryeministri e ka shitur vartësin e tij. E qartë është vetëm një gjë: ndarja e pushtetit që z. Rama ka bërë së fundmi ka lënë shumë të pakënaqur. Dhe z. Berisha këtë e kupton shumë mirë. Ndaj edhe po shpërndan këto oferta dhe po luan rolin e gazetarit investigativ që i publikon shkrimet me një sms paralajmëruese. Ky nuk është roli i opozitës dhe kjo nuk është më as ndonjë lojë e sofistikuar. Është thjeshtë: Loja e pistë e krijimit të dosjeve për karriera që përndryshe duhet të ishin mbyllur dhe ndërprerë. Ka 27 vjet kjo lojë.
Add new comment