Fara e keqe në politikë
Duke parë mënyrën e sjelljes politike dhe vendimet e njëpasnjëshme që mori qysh pas Pazarit të 18 majit, nuk është kurrfarë fyerje të thuhet se Lulzim Basha përfaqëson jë farë të keqe në politikën shqiptare. Jo se të tjerët janë më të mirë – ndoshta kanë anë më të mira –, jo se ai u parapri nga të virtytshmit, por sepse në kryerjen e çdo akti ku interesi i tij personal afirmohet me një faturë të madhe për interesin publik, ky njeri shfaqet me një normalitet dhe natyrshmëri befasuese.
Kaq shumë tradhëton ulërimën e tij kjo sjellje saqë edhe nëse veshët e njerëzve do t’i jepnin të drejtë fjalive të tij, mendja dhe sytë që shohin dhe kuptojnë se kemi të bëjmë me Bashën, do të na shkundnin dhe bllokonin. Nuk mjaftoi dëmi që zotëria i bëri staturës së opozitës me vendimin personal të 18 majit, por sot përmes fjalës në Kuvend, z. Basha u përpoq që të gjejë një dalje “me fytyrë të pastër” nga ajo që ndodhi.
“Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë çast e Ramanjishit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen”, tha ai.
Gënjeshtra dhe pafytyrësia këtu janë rele të një karakteri që po njihet mirë nga të gjithë. Një marrëveshje për zgjedhjet e lira nuk ka pse të bëhet me dyer të mbyllura. As vetëm për vetëm, pas një ftese të kryeministrit, ndaj të cilit në Çadër ditën thuhen gjithfarë akuzash. Z. Basha po rezulton pra kështu, me fjalët e tij, si një trim mbi trima, përderisa u ul e firmosi një marrëveshje me Edi Ramën, njeriun e krimit dhe të drogës. Mbi cilat garanci force ia doli zotëria të negociojë atë që negocioi?
Padyshim që këtu ka edhe një aspekt moral. Kur për ditë të tëra kërkon largimin e kryeministrit, pasi e ke akuzuar për gjithfarë gjërash, është disi e pagëlltitshme, veçse në kushte të jashtëzakonshme, që të shtrëngosh dorën. Z. Basha, si një njeri që po e paguan edhe vetë faturën e mendjelehtësisë së tij, për pak sa nuk pranoi bashkëqeverisjen me z. Rama edhe para zgjedhjeve, kur rezultati nuk dihej. Ai u mor gjerë e gjatë me shpk-të e politikës, me partitë e vogla, duke i vënë vizë betejës 3 mujore me “krimin”.
Kaq e dëmshme është kjo politikë personale, saqë edhe sot në Parlament, në vend se të shfaqej me një tjetër qëndrim për atë marrëveshje – Pazar që prodhoi anomalinë sistemike të pas 25 qershorit - ai e konsideron marrëveshjen si shumë të mirë, por të prishur nga z. Rama. Nëse ecim pas në kohë, kujtojmë se askush nuk ushqente bindjen se PD-ja fitonte zgjedhjet. E shumta ajo do të luante për ngushtim rezultati dhe me një fitore të largimit paraprak të Edi Ramës nga pozicioni i kryeministrit. Cedimi në këto objektiva i heq Marrëveshjes që realizua synimet për zgjedhjet në vetvete; ajo ishte për pushtetin që rrjedh nga pakti për reformën në drejtësi, brenda të cilës z. Rama ra dakord të ndajë karriget.
Ministrat e z. Basha ushtruan detyrën lirshëm dhe qëndruan aty edhe disa muaj pas zgjedhjeve. Ky teatër mashtrues që luan sot një kryetar partie që nuk pati kurajo të bënte zgjedhje në partinë e tij, nuk gënjen më askënd. Në fund të fundit do të duhet që të gjithë të mësohen me këtë: z. Basha flet dhe vepron për të negociuar interesat e tij, ashtu siç kanë bërë të tjerë para tij. Ai kërcënon dhe akuzon, ha dreka, apo i japin darka, sa kohë kontrollon një Grup Parlamentar, që shërben si mjet ideal pazari. Por ai është lloji i njeriut që nuk i jep askujt asnjë garanci. As garanci të fjalës, as ato të veprimit. Atë nuk e kushtëzon asnjë kod, përveçse forca dhe hija e të fortëve.
Ky realitet është eroziv në raport me termin opozitë/ar që PD-ja dhe Basha i japin sot vetes dhe nuk është çudi që shumë shpejt, nëse gjërat rrinë siç janë, të kemi një subjekt me të cilin do të tallen i madh e i vogël në këtë vend. Sigurisht që ky nuk është problem për z. Basha, i cili i ndërron kollaj regjistrat e artikulimeve të veta. Vetëm se ai nuk e zhbën dot irelevancën progresive që ka gjeneruar në dobi të askujt.
Add new comment