Stoltenberg: Bota ndodhet në pikën më të rrezikshme që ka njohur ky brez
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se bota ndodhet në situatën më të rrezikshme që ka njohur ky brez. Lajmi bëhet publik nga gazeta britanike “The Guardian” e cila shton se deklarata vjen ndërkohë që është njoftuar dislokimi i 100 mijë trupave ruse në kufi me Bashkimin Europian dhe ndërkohë që kriza bërthamore me Korenë e Veriut përkeqësohet.
Në një analizë të përgjithshme Stoltenberg përmes intervistës së tij, thekson se bota përballet sot me sfida më komplekse dhe të njëkohëshme se më parë. Më të vështira për t'u parashikuar dhe të disa natyrave.
Kjo situatë e gjen NATO-në në një gjendje që kërkon një sens iniciative dhe domosdoshmërinë e kohezionit, elementë të cenuar nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump. Gazeta nënvizon se stërvitja ruso-bjelloruse është më e madhja që nga Lufta e Ftohtë, ndërkohë që në kufirin korean dislokimi i sistemit antiraketor THAAD(Mbrojtja e Zonës Fundore të Lartësisë së Madhe - Terminal High Altitude Area Defense) duket se shenjon gatishmëri luftarake mes dy vendeve pas të cilave qëndrojnë interesa të fuqive të tjera.
Stoltenberg ka qenë së fundmi në vizitë pranë katër grupeve luftarake të stacionuara në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni që përbëjnë forcën e pararojës së Aleancës në kufijtë lindorë.
Sipas tij mobilizimi mbrojtës i trupave në fjalë janë një mesazh për Rusinë që duhet të kuptojë se një sulm mbi ndonjë prej aleatëve të NATO-s do të thotë sulm mbi Aleancën. Rusia ka hedhur poshtë lajmin se bëhet fjalë për 100 mijë trupa në stërvitjen në fjalë dhe sipas saj ato nuk shkojnë më shumë sesa 13 mijë.
Add new comment