Sky Tv dhe debati për ofertën e Murdoch - një rast i dobishëm për gjykimin mbi mediat
Ed Miliband, ish-drejtues i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, aktualisht deputet, shkruan në gazetën “The Guardian” për një operacion të madh që po ndodh në median e këtij vendi. Grupi Murdoch që zotëron 21st Century Fox, News Corp, Times, The Sun, Wall Street Journal etj., po synon të blejë 100% të aksioneve të Sky Tv. Kjo për Miliband është shqetësuese jo në sensin e një operacioni në treg, por nisur nga disa konsiderata etike që sipas tij kërcënojnë higjenën e ushtrimit të lirisë së shprehjes dhe ndoshta vetë këtë të fundit. Grupi Murdoch ka në historikun e vet disa akuza që nisin që nga përgjime dhe hakerime e deri te skanadale seksuale për të cilat as ka marrë mundimin të kërkojë falje apo të rikonsiderojë qasjen e vet.
Miliband shton se beteja kundër këtij akaparimi është e madhe, aktualisht grupi ka ndërperë transemtimin e degës së Fox News në Britani, me pretekstin e arsyeve komerciale, por që sipas politikanit britanik, kjo ka ndodhur pasi Murdoch mendon se skandalet e Fox mund të kompromentojnë synimin e tij për blerjen e Sky.
Në këtë kuadër deputeti britanik i bën thirrje rregullatorëve, Ofcom dhesekretares për Kulturtën, Karen Bradley, që të mos lejojnë blerjen. Përtej argumenteve teknike ka rëndësi argumenti moral dhe etik, që sipas Miliband ka të bëjë me standardet e transmetimit.
“Fox News ka luajtur rol të madh në ndotjen e diskutimit publik në SHBA duke provokuar ndarje dhe urrejtje...Ne nuk duhet të lejojmë foksizimin e Sky”, shkruan ai.
Ndërhyrja ka vlerë sidomos sepse artikulohet në një vend ku tregu ka traditë. Por media është një e mirë publike ndonëse inicitiavë private, për të cilën kërkohen medoemos disa standarde etike që nuk duhen asgjësuar nga llogaritë ekonomiko-financiare. Për Murdoch thonë që ka bërë pikërisht këtë gjë dhe ja ka dalë duke vepruar përballë një opinioni publik dhe aktorëve që presupozohet se janë vigjilentë dhe të ndjeshëm për çështje të tilla. Situata e mediave në Britani vështirë se krahasohet edhe me Europën, ndaj çdo afrim në këtë drejtim nga Shqipëria ngjan i tepërt.
E megjithatë opinioni i Miliband ka vlerën e vet për të kujtuar se liria e fjalës nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë, ajo është shumë e brishtë. Ka pak për të bërë në këtë drejtim, pasi kudo cilësia po bën kompromis me politikat e reja të suksesit të shitjeve në kurriz të së vërtetës. Nga kjo pikëpamje diskutimi për veprimet në treg dhe presioni naj rregullatorëve është shumë i dobishëm. Edhe në Shqipëri, një vend ku televizionet kryesore shpërfillin çdo standard duke u konformuar me kërkesat e pushtetit duke ofruar në këmbim për shikuesit, spektaklet e banalitetit.
Nëse ka një mënyrë për të vënë dorë në këtë treg është rregullimi ekonomik dhe transparenca e aksionerëve të vërtetë, pasi bëhet fjalë për përpunimin e opinionit publik, prej nga ku varet mandej edhe pushteti dhe sjellja e shoqërisë për çështje të rëndësishme. Dhe kjo nuk mund ti lihet as një njeriu dhe as disave të cilëve nuk u dihet as aktiviteti dhe as identiteti.
https://www.theguardian.com/commentisfree/2017/sep/01/britain-fox-news-m...
Add new comment