Shtet kazani

Postuar në 25 Gusht, 2017 08:50

Është e vështirë ta ndash nëse takimi dhe fjala e djeshme e kryeministrit me ambasadorët e Shqipërisë jashtë vendit, ishte shoë apo nisje e një procesi të thellë korrigjimi dhe reformimi. Kjo pasi të gjithë ne u bëmë dëshmitarë të dy qëndrimeve diametralisht të kundërta të të njëjtit njeri dhe të njëjtit ekip: para zgjedhjeve mesazhi se reforma të thella ishin bërë dhe se ato pak probleme që kishin mbetur, kryesisht në gjyqësor apo administratë, vinin si pasojë e partive të tjera, ishte kryesori.

Pas zgjedhjeve mesazhi i dytë që po marrim është se shteti shqiptar, administrata gëlon nga të paaftë, nga parazitë dhe vegjeton mbi një model që duhet çrrënjosur. Për ta vënë në dukje këtë kryeministri mendoi të ofronte për shqiptarët shfaqjet e veta të racionalitetit duke shkarkuar live, përmes kërkesës së arsyeshme për dorëheqje, drejtorët e spitaleve dhe të hipotekave e mandej duke i bërë leshko ambasadorët.

Është një sjellje politiko-mediatike që kërkon të sugjestionojë publikun se kjo është edhe zgjidhja  që vjen për ata. Në fakt nuk është kështu.

Edhe nëse kryeministri i ka patur duart të lidhura për të bërë pastrime nga njerëz të paaftë në administratë apo në sektorë të ndryshëm për shkak të ekulibriave të pushtetit, asgjë nuk e ka ndaluar atë që të propozonte më herët modele ligjore të tjera, rregulluese dhe korrigjuese për këtë që sot preferon ta zgjidhë duke i rënë tavolinës me grusht. Shërbimi i Jashtëm është një mjedis specifik ku karrierat rregullohen ndryshe nga sektorë të tjerë. U premtua ndryshimi i ligjit, u premtuan këshilltarë të huaj, administrim më i mirë etj.. Asgjë nuk u bë. Propozimet për ambasadorë kanë qenë e drejtë e kësaj qeverie dhe sot ajo po i thotë vetes se bëri gabim që propozoi atë njerëz që propozoi. Edhe në një rast të denoncuar në media, atë për konsullatën në Milano, u bë si u bë dhe u nxor në media lajmi se “kishim të bënim me një emërim të LSI”.

Ministri i Jashtëm Bushati, që dje kafshonte buzët gati për të qarë, propozoi para dy vjetësh një ndryshim sipas të cilit çdo titullar që do të lëvizte për detyra shtetërore jashtë vendit, duhet të njoftonte dhe merrte paraprakisht miratim edhe të Ministrisë së Jashtme. E nëse paska patur në dorë që të ndërhynte deri këtu, me siguri ka patur në dorë që të bënte disa ndryshime në administratën e Ministrisë së tij ku ka njerëz që bëjnë çfarë duan pa u hyrë gjemb në këmbë. Të ndërhynte për të shkallmuar p.sh modelin unik të punëve në këtë ministri për akomodimin e diplomatëve jashtë vendit.

Edhe në sekorët e tjerë, hipotekat dhe spitalet rajonale, jemi para një momenti që duket sikur qeveria është dërguar në rolin e një komisioneri nga jashtë. Në katër vite u denoncuan në media me dhjetëra raste, por u bë veshi i shurdhët. Kryeministri vetë mori në mbrojtje në bllok të gjithë korrupsionin dhe paaftësinë e administratës të cilën sot po në bllok po e shet, duke krijuar termin media kazani. Sigurisht me një provë të qartë të sinqeritetit të vet, Edi Rama u mjaftua me këtë term, pa dhënë qoftë edhe një rast të vetëm se cila prej mediave i kishte bërë presion përkundrejt kërkesës për përfitime.

Përtej kësaj praktike që fyen në bllok kategori të tëra njerëzish që punojnë në zyrat e shtetit vetëm për të plotësuar nevojat mediatike të një politike të kapur mat nga numri 74, ekziston edhe rreziku i hemoragjisë së administratës që lidhet edhe me të ashtuquajturin sistem vlerësimi në bazë të performancës. E tha dje me ambasadorët që do të kenë vlerësim 1 herë në 3 muaj kurse ministrat 1 herë në vit. Z. Rama duket se bën bashkime mekanike në imagjinatën e vet kur modelin e konkurseve “të suksesshme” për mësuesit po synon ta bëjë model të përgjithshëm. Është e vështirë të mendohet se një diplomat karriere, apo dikush tjetër që ka punuar prej kohësh në administratë të pranojë pafundësisht testime të përvitshme që menaxhohen nga drejtues të lartë që katapultohen aty nuk dihet se nga ku. Është e vështirë që ky presion të prodhojë ndonjë gjë të mirë sikurse është e pritshme që më komod aty do të ndjehen ata që dinë të mbijetojnë, të përshtaten dhe të thonë po. Kjo do të ishte kundërproduktive qoftë edhe në raport me synimet që sot shpallen për një administratë ndryshe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.