BE-ja, ishull i fortifikuar ndaj refugjatëve

Postuar në 18 Gusht, 2017 09:43

Nuk është vetëm Shqipëria pikë ku kontrollet kufitare për shmangien e azilkërkimit po koordinohen me polici të vendeve të BE-së. Së fundmi nuk ka kaluar pa vëmendje lajmi se Austria ka vendosur 70 trupa ushtarake në kufi me Italinë për të mos lejuar kalimin e refugjatëve. Italia është pikë hyrjeje dhe për vite të tëra nuk ka gjetur dot politikë më të mirë për menaxhimin e situatës sesa lejmin e kalimit të refugjatëve drejt vendeve destinacion, si Gjermania dhe Franca. Në anën tjetër Gjermania ka bërë të ditur se do të nisë zbatimin e rregullave të Dublinit duke kthyer në Greqi disa qindra refugjatë sirianë që kanë hyrë në territorin europian përmes Greqisë.

Por situata më delikate paraqitet në Mesdhe, aty ku Italia me Gjermaninë dhe Francën po përballen për formulimin e një politike për atë që mund të jetë valë masive emigrimi. Në vëmendje ka ardhur Libia, një vend me rezerva gazi, në luftë civile dhe që po kthehet në pikën kryesore të kalimit. Italia ka propozuar patrullim në bregdetin libian, praktikë që e ka ndjekur edhe me Shqipërinë dikur, por kjo nuk gjen shumë mbështetje. Revista “Spiegel” raporton se Franca dhe presidenti i saj, Macron kanë propozuar hapjen e zyrave të shqyrtimit të azilkërkimit në Libi, ndërkohë që nga pala gjermane është sugjeruar hapja e kampeve në Libi që do të menaxhohen nga BE-ja dhe OKB-ja. Ndërkohë që BE-ja diskuton këto masa, shifrat marramendëse që qarkullon biznesi i refugjatëve po sifdojnë çdo inicitaivë duke hedhur bazat e një mafieje afrikane që nesër do të hapë shumë më tepër probleme sesa problemet e fantazuara nga BE-ja për Gedafin.

Ndërkohë që për emigracionin duket se ka një qasje të përbashkët, kur vjen puna tek interesat ekonomike të gjithë luajnë më vete. Kompania italiane Eni është në konkurencë me Multi Total të Francës për gazin libian dhe kjo ka çuar në mbështetjen italiane për qeverinë e Pajtimit Kombëtar të Sarraj dhe mbështetjen franceze për gjeneralin Khalifa Haftar që kontrollon portin kryesor libian të naftës bruto.

Një ide tjetër është edhe ajo e dy ministrave të Brendshëm, atij gjerman De Maziere dhe atij Italian, Alfano, për eliminimin e kampeve në Libi dhe kontrollin e kufijve të saj jugorë për të mos lejuar hyrjen e tyre. Një praktikë e ngjashme me atë që aplikohet në Shqipëri. Gjithë këto masa duket se nuk i përgjigjen dot asaj që parashikohet të ndodhë me lëvizjet demografike. Ndonëse shumë njerëz janë dekurajuar nga lëvizjet dhe kufizimi në kampe, fakt është se BE-ja po kthehet në një ishull, kufijtë e të cilit nuk po mbrohen, por po izolohen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.