Për një "i": Intervista e rreme e ish-shefit të MI6 që u kontrabandua përmes "The Guardian"
Një intervistë e ish-shefit të shërbimeve sekrete britanike John Scarlett u qarkullua dy ditë më parë online në një faqe që kishte url dhe pamjet grafike identike me gazetën “The Guardian”. E përgatitur me kujdes, intervista synonte të kontrabandonte te lexuesi perëndimor një narrativë ruse për ngjarjet e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, duke ia faturuar ato ish-shefit të shërbimit britanik. Zbulimin e këtij lajmi të rremë e ka bërë Peter Pomerantzev, por atë e ka sjellë në vëmendje Anne Applebaum. Sipas kësaj interviste që mendohet se është shkruar nga Vladislav Surkov, personi kyç i propagandës së Kremlinit, Scarlett "e shpjegon" kështu tensionin në Lindje:
Supozohej se pasi Saakashvili të vinte në pushtet, bazuar në planin tonë, do të zbatohej fragmentimi strategjik i Rusisë dhe ri-shpërbërja e saj në tre hapa. Hapi i parë ishte krijimi i bazave ushtarake dhe agjenturore në Osetinë e Jugut. Në hapin e dytë, islamikët radikalë supozohej se do të vinin në pushtet në Dagestan, Çeçeni, Osetinë e Veriut dhe te çerkezët. Kjo pjesë e pasua nga takime të përbashkëta mes CIA-s, MI6 dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë nga Turqia dhe Arabia Saudite. Nëse pushteti politik në këto rajone do të mbahej nga islamikët, NATO do të kishte praktikisht akses në malet veriore të Kaukazit.
Hapi i tretë mendohej të fillonte pas vendosjes së bazës ushtarake dhe të inteligjencës në Ukrainë. Një konfrontim fiktiv mes Ukrainës dhe Rusisë supozohej të ndodhte sipas udhëzimeve nga shërbimet sekrete amerikane dhe ato britanike dhe pas kësaj kontrolli I Kaukazit të Veriut dhe gjithë bregdetit rus në Detin e Zi do t’i kalonte NATO-s me një ndërhyrje të trupave amerikane dhe ruse. Kjo fazë e operacionit supozohej të përfundonte me pranimin formal të anëtarësimit në NATO të Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe në këtë pikë, Rusia do të përballej praktikisht me një tjetër kolaps.
Më tej intervista pasohet nga një rezume sipas të cilës Scarlett ka pranuar se planet e Perëndimit u minuan nga Putin dhe kundërveprimi i tij në Gjeorgji, në Krime dhe në Çeçeni.
Është interesant fakti se “intervista” u shpërnda në Facebook edhe nga WikiLeaks dhe për të zgjidhur problemin e përdorimit të faqes online të Guardian, ishte menduar që të blihej domain http://theguardıan.com që përdor kaarakterin “ı” në vend të ‘i”. Një hollësi që nuk krijon probleme nëse materialin e akseson nga Facebook. Pas demaskimit materiali është hequr nga faqja por ai qëndron në Google cache. Një përpjekje e hollë që u zhbë në dy orë, edhe për faktin se një intervistë e tillë nëse do të ishte reale do të bënte bujë.
Add new comment