Gazeta pranë Erdoganit: SHBA po përgatitet të sulmojë Turqinë. PKK-ja do të zëvendësojë ISIS

Postuar në 14 Gusht, 2017 19:19

Turqia e Erdoganit po ecën e vendosur drejt kultivimit të bindjes së SHBA janë armike e vendit dhe se amerikanët synojnë minimin e rolit të këtij vendi në Lindjen e Mesme. Si përherë në vëmendje vjen çështja kurde dhe mbështetja që SHBa jep për militantët kurdë që në finale është projekt për shkëputjen e zonave të Kurdistanit nga Turqia.

Në një editorial të sotshëm, Jusuf Kaplan, kryeredaktori i gazetës “Yeni Şafak”, mbështetës i partisë së Erdogan dhe i konsideruar si bashkëideolog i saj, u bën thirrje turqve që të shohin sesi SHBA po e minon Turqinë. Ai e nis shkrimin me problemet e krijuara në fundin e Perandorisë Osmane e cila u sfidua në qytetërimin e vet nga Perëndimi. Sipas Kaplan, sfida që Perëndimi, qytetërimi perëndimor lëshoi me zhvillimin e vet teknoogjik në fillim të shekullit të 20të, u kthye në sulm ndaj gjithë njerëzimit. Ai nuk toleron dhe nuk sugjeron ndonjë formulë të bashkëjetesës  që sipas autorit u zhvillua vetëm nga otomanët. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse ata duheshin ndalur, sepse ata ishin pengesa e vetme në dominimin e botës nga Perëndimi.

“E gjitha kjo mund të duket imagjinare, abstrakte, spekullative për disa vëzhgues. Por nuk duhet të jetë...”, shkruan Kaplan. Po pse ky synim konsistent ndaj Turqisë që kërkon shkatërrimin e saj? Kaplan këtu lëshon një apel prej mistiku:

Popujt e shtypur nuk shikojnë Perëndimin, por ne si një fanar shprese; Ballkani, Kaukazi, e gjithë bota e shtypur nuk shikon nga Perëndimi, që e ka kthyer botën në ferr me sllogane të tilla si demokracia, liria, sundimi i ligjit, duke pushtuar të tjerët kur i pëlqen, duke rrëzuar çdo lider që do, duke e deklaruar diktator...

Turqia është shpirti i botës, makthi i imperialistëve dhe fanari i shpresë së të shtypurve”, shkruan Kaplan.

Sipas tij, SHBA po përgatitet të godasë Turqinë dhe si fillim janë bërë përpjekje për të zhytur vendin në probleme të brendshme. Dhe këtu synimet amerikane shpalosen qartë:

Ka përpjekje të mëdha që të krijohet një korridor që shtrihet nga Gjiri Persik në Mesdhe me synim krijimin e një shteti të Partisë Punëtore të Kurdistanit. Nëse kjo ndodh, do të çojë në ndarjen e Turqisë apo mund të shkojë deri në Luftë Civile – Zotë mos e dhëntë! Lexojini mirë fjalët e mia: shteti që do të krijohet nuk dotë jetë një shtet kurd, por një shtet i PPK-së”, shton autori.

Sipas Kaplan plani strategjik është që rolin e ISIS-it ta marrë tani PKK-ja, por ai përjashton kurdët e Iranit, Sirisë dhe Irakut. Një rol prej Izraeli të dytë, burim problemesh në rajon dhe për kurdët vetë.

Shkrimi është një përpjekje për të kontekstualizuar problemet e Turqisë si të provokuara vetëm nga armiq të jashtëm, në mënyrë që produkti i referendumit kushtetues të duket si rrugë logjike për zgjidhjen e tyre dhe bashkimin e turqve. Duket se Erdogan po përgatitet për të dhënë një goditje të re, por se ku dhe për çfarë mbetet për t’u parë. Fakt është se Turqia e tij po i kthen kurrizin Perëndimit për arsye që janë shumë më të komplikuara sesa thjesht ngjarjet e këtyre viteve.

http://www.yenisafak.com/en/columns/yusufkaplan/beware-the-us-undermines...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.