Nga piramidat te shkëlqimi i kartelit të bankave

Postuar në 11 Gusht, 2017 11:53
Zamir Alushi

Bankat vazhdojnë të jenë të prirura të financojnë borxhin e qeverisë, ndërsa për bizneset dhe individët jepen vetëm “para xhepi” apo siç quhen, kredi për likuiditet. Këto hua janë sa për të mbajtur frymën gjallë, për të paguar rrogat dhe shpenzimet operative. Ndërsa kredia për investime shkon gjithnjë në rënie. Po ashtu, individi kreditohet vetëm me hua konsumatore duke aplikuar standarde shtrënguese, komisione të larta dhe duke rritur kostot e kredive hipotekore, me shpenzime të shpallura dhe të pashpallura. Janë mbi 250 lloje komisionesh dhe tarifash të deklaruara dhe po kaq të padeklaruara që aplikojnë bankat. (Burimi: Faqja zyrtare në internet e BSH dhe sportelet e bankave të nivelit të dytë dhe unioneve e shoqatave të licencuara nga BSH). Situata e pranuar nga Banka e Shqipërisë ka dhënë shenjat e para të lulëzimit të huamarrjeve ilegale, që ishin harruar qysh nga dekada e skemave piramidale. Kjo politikë monetare, që mban vulën e Bankës së Shqipërisë, e diktuar nga qeveria dhe aksionerët e bankave private, nuk ndihmon aspak në përmirësimin e jetës së njerëzve. (Kujtoni takimet e kryeministrit me dyer të mbyllura me drejtorët e bankave private vitin e kaluar. Qëllimi i shpallur i takimit ishte lehtësimi i kreditimit, ndërsa fshihej plani i oligarkisë për të ristrukturuar “borxhet e këqija” të 30 kompanive e grupeve të mëdha financiare. Takimet u mbyllën me një plan masash që u krijon bankave mundësinë të mbledhin borxhet pa gjyq, ndërsa u bë kompromis që borxhet e të mëdhenjve të ‘harrohen” në kohë. U ndryshuan ligjet në favor të bankave dhe u shtrëngua laku mbi qytetarët e thjeshtë që rrezikohen nga bankat, t’u shiten shtëpitë e lëna për kolateral me 30 për qind të vlerës, madje pa pasur të drejtë ankohen në gjykata). Konsumatori, pra qytetari shqiptar gjendet përballë një megakarteli financiar që ka në krye të piramidës mazhorancën qeverisësë  (juridikisht Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatori zgjidhen nga Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti). Ky kartel sjell pasoja në jetën e njerëzve dhe në shëndetin e ekonomisë shqiptare, që, nëse keni durim, mund t’i lexoni më poshtë të arsyetuara.

Nuk qëndron më argumenti i “kredive të këqija”

Prej vitesh, refreni i bankave kanë qenë “kreditë e këqija”, gjysmën e të cilave e kanë 30 grupet financiare. Por portofoli i kredisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit është ndikuar ndjeshëm nga shlyerjet e larta të kredive me probleme. Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori po mburret për rënien e nivelit të kredive me probleme (poshtë 18%). Ndërkohë, vazhdon fshirja e kredive të këqija nga bilanci i bankave me efekt mospagimin e taksave nga bankat për këto hua. Pa llogaritur çlirimin e fondeve të ngurtësuara për këto kredi të këqija. Nga ana tjetër ndodh e kundërta që pritet. Raporti i kredisë për sektorin privat ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto vlerësohet në rreth 36.5% në fund të tremujorit të dytë të vitit 2017. Zhvillimet në aktivitetin kreditues reflektojnë një përmirësim të ngadaltë të kërkesës për kredi dhe kushte të shtrënguara kreditimi për bizneset. “Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e mirë e kredive të reja të disbursuara gjatë pjesës së parë të vitit 2017, si dhe rritja e vazhdueshme e portofolit të kredisë cilësore sugjerojnë përmirësime të vazhdueshme strukturore në tregun e kredive”. Banka e Shqipërisë bën vetëm sugjerime prej vitesh dhe aplikon një politikë monetare që nuk të ngroh.

Bie kërkesa e biznesit për kredi

Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017, sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë, tregojnë për standarde kreditimi kryesisht të pandryshuara për segmentin e bizneseve, pas katër tremujorësh shtrëngimi të njëpasnjëshëm. Ndërkohë që standardet e kredisë për likuiditet kanë shfaqur lehtësim, standardet e kredisë për investime janë shtrënguar. Ndërkaq, kërkesat e rritura për kolateral kanë ndikuar negativisht.

Në vitet e fundit, zhvillimet në kredinë për biznese reflektojnë një kërkesë të dobët për kredi dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit, veçanërisht për biznesin e madh. Për më tepër, gjatë vitit 2017, ky portofol është ndikuar ndjeshëm nga shlyerjet e kredive me probleme, si dhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Sipas qëllimit të përdorimit, kredia për likuiditet shfaqet me reduktim vjetor mesatarisht prej 0.4%. Kredia për investime është ngadalësuar në 3.9% mesatarisht, përkundrejt 4.8% të shënuar në tremujorin e parë.

Financimi i sektorit publik

Huamarrja e qeverisë gjatë tremujorit të dytë ishte 3.1 miliardë lekë, duke e çuar huamarrjen totale të gjashtë muajve të parë të vitit në 14.2 miliardë lekë. Përbërja e borxhit publik sipas profilit të investitorëve mbetet pothuajse e pandryshuar. Në fund të tremujorit të parë, borxhi është formuar në masën 54.5% nga borxhi i brendshëm, raport ky i njëjtë me atë të një viti më parë. Stoku i borxhit të brendshëm nga ana tjetër, vijon të zotërohet në masën më të lartë (prej 58%), nga bankat e nivelit të dytë.

Interesat e letrave me vlerë të qeverisë

Interesat e letrave me vlerë të qeverisë janë joshëse. Yield-i mesatar për bonot e thesarit 12-mujore u rrit në 2.05% në muajin qershor, nga 1.79% që shënonte në muajin prill. Edhe në ankandin e kryer në javën e parë të muajit korrik, yield-i i bonos 12-mujore ka regjistruar sërish rritje, në 2.10%. Yield-et e obligacioneve kanë ndjekur tendencën e yield-it të bonove të thesarit 12-mujore. Yield-i i obligacionit 2-vjeçar (i cili ka emetime të rregullta mujore) ka shënuar rritje të njëpasnjëshme, duke rezultuar 2.64% në ankandin e fundit në muajin korrik, nga 2.25% që ishte në muajin prill. Yield-i i obligacionit 7-vjeçar u rrit në 5.39%, nga 5.24% që shënonte në ankandin paraardhës (mars). Përjashtim nga kjo ecuri bën obligacioni 5-vjeçar, yield-i i të cilit ra në 4.95% në muajin maj, nga 5.15% që shënonte në muajin shkurt (Burimi: Raporti i Politikës Monetare të BSH për tremujorin e tretë 2017).

Interesat e kredive

Interesat për kredinë e re në lekë kanë regjistruar ulje në tremujorin e dytë të vitit; norma mesatare e interesit rezultoi 6.42%, nga 7.23% që shënonte në tremujorin e parë. Megjithatë, normat e interesit për kreditë hipotekore mbeten mbi nivelin më të ulët të tyre të shënuar në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Interesi mesatar për kredinë e re në euro rezultoi 4.69% në tremujorin e dytë të vitit, duke qëndruar pranë mesatares së tre tremujorëve paraardhës. Normat mesatare të interesit të kredisë për bizneset private janë ulur për kreditë për likuiditet dhe janë rritur për kreditë për investime. Interesat në segmentin e individëve janë shfaqur në rënie të lehtë për kreditë hipotekore dhe kanë mbetur thuajse të pandryshuara për kreditë konsumatore.

Hetimi i tregut bankar

Sipas Raportit të Hetimit të Përgjithshëm në Sektorin Bankar, nga Autoriteti i Konkurrencës, në mars 2017, konkluzioni kryesor i monitorimit është: “Gjatë viteve të fundit tregu bankar paraqet karakteristikat e një tregu me norma relativisht të larta fitimi në kushtet e stanjacionit të kreditimit; interesa shumë të ulta të depozitave (deri në 0.55 % mbi bazë vjetore nën nivelin e inflacionit); diferenca (spread) relativisht të larta mes interesave të kredive dhe depozitave; tendencës në rritje të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, kryesisht afatgjata (obligacione) në kushtet e një politike lehtësuese monetare dhe kur norma bazë e interesit të depozitave ka tendencë në rënie; ka rritje të komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit etj.” 

Këto rrethana, (sipas dokumentit të sipërcituar) të bëjnë të mendosh që konkurrenca në sektorin bankar mund të jetë kufizuar ose shtrembëruar si rezultat ose pasojë e shkeljes së nenit 4 (marrëveshje të ndaluara) dhe nenit 9 (abuzim me pozitën dominuese) të Ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës". Çfarë ndodhi me raportin e hartuar nga Autoriteti i Konkurrencës? Ky dokument ka zënë tashmë pluhur në arkivat e dy institucioneve, ndërsa Kuvendi as që merret me këto gjetje, para të cilave, skandali i vjedhjeve të thesarit të Bankës së Shqipërisë duket një vepër ordinere e kufizuar në pasoja.

Comments

Submitted by Uns (not verified) on

Artikull profesional dhe serioz. Bravo, kjo është gazetaria qe duam, jo kto palcot qe beine copy/paste e bejne gazetati kafeneve te politikaneve!

Submitted by Mediokri (not verified) on

Mediokritet I madh!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.