Opozita e vërtetë janë ata që po ikin
Ilir Meta sot është President i Republikës dhe prej gojës së tij nuk mund të dalin më ato frazat e mënyrës dëftore me mesazhe njëdrejtimëshe. Po kështu Ilir Meta e ka të vështirë edhe gjestikulacionin e të fortit që hakërrehet me duar dhe këmbë nga ndonjë foltore duke gënjyer ndonjë të mbetur para televizorit se ai është trimi i fundit në Shqipëri; kjo sepse fati politik e paketoi në krye të shtetit. Por pas vetes, në krijesën e tij kryesore, Lëvizjen Socialiste për Integrim, Meta ka lënë një taktikë opozitare momentale që tani po shfaqet në formën e një zhgabe dykrerëshe: Kryemadhi nga njëra anë si moderatore e mesazheve politike dhe Petrit Vasili nga ana tjetër si thumbues i inatosur. Në kushtet kur të trija partitë kryesore parlamentare janë në në një farë mënyre apo tjetër në pushtet, gara për protagonizëm është komike, por edhe e vështirë.
Shumëkush që ndjek zhvillimet politike e ka të vështirë të deshifrojë hamendësime të tilla si aleanca PD-LSI për një opozitë të fortë, apo edhe të pranojë se opozitarizmi i LSI për çështjen e zjarreve ka realisht ndonjë përfundim që tejkalon ndonjë shi të papritur apo ulje temperaturash. Është e vështirë sepse në gjykimin e veprimeve apo më mirë, mosveprimeve të PD-së dhe LSI-së që sot janë në pozitë jokomode, nuk vlen aspak kriteri i analizës që konsideron interesin publik. Jo. Të gjithë duhet të nuhasin, të intuitizojnë dhe të analizojnë interesat personale të Ilir Metës dhe Lulzim Bashës. Për të parin është më e thjeshtë: ai ka nisur një luftë ndaj kryeministrit që siç e do formati i personit Ilir Meta nuk shkon më larg sesa rritja e pozitës për të bërë Pazar. Ndonjë kockë për gjyqësorin, prokurorinë speciale dhe një firmë me vlerë në reformën zgjedhore. Pa harruar se në këshillat bashkiakë ka ende plotë për të marrë. Presidenti i Republikës ka sot në dispozcion altoparlantin politik të vet, të strukturuar që do ta shërbejë ndja vetes për të krijuar, amplifikuar kriza institucionale, për të nxitur debate që i interesojnë vetëm atij dhe për të goditur ekzekutivin që po sorrollatet në Facebook me 74 mandate që nuk di çfarë t’i bëjë.
Tjetër hall është të gjykosh PD-në e Lulzim Bashës. Ky i fundit ka marrë pushimet dhe nuk ka komunikuar për një javë me ndjekësit e tij, mes të cilëve ka me siguri nga ata që e adhurojnë. Në vend të tij opozitën po e bën Rilindja Demokratike, faqja online e së cilës u rregullua pas disa ditësh me probleme dhe Sali Berisha në Facebook. RD nuk ka ndonjë gjë tjetër për çfarë të bëjë opoztë veç zjarreve, ndonjë raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ndonjë ripublikimi të ndonjë shkrimi të marrë nga portale të ndryshme.
Stekën këtu e ngre lart, ish kryeministri Berisha, i cili po aplikon opozitë për kuriozët. P.sh meqenëse tani janë zjarret dhe qeveria është kapur mat sepse si për çdo punë as që ja ka haberin sesi të veprojë, Berisha u tregon ndjekësve se ai ka blerë helikopterë shumëfunksionalë nga Eurocopter, të cilëve mund t'u instalohen edhe kova për të hedhur ujë. Edi Rama nuk e bën këtë sepse sipas tij nuk do t'ja dijë. Ndërkohë që PD ka ministrat e vet në qeveri mes të cilëve edhe ministri i Brendshëm, Demiraj, i cili jo vetëm ka dalë në terren, por ka vlerësuar punën e bërë nga ushtria. Këtë të besojmë nga gjithë këto opozita pirofobike sezonale?
Ky lloj performimi opozitar u provua i dështuar në katër vjet. Njësoj si në rastin e përmbytjeve në Myzeqe dy vjet më parë, kur kryeministri, ky talent për organizim eventesh siç quhet sot, organizoi shfaqjen e mbledhjes së ndihmave nga biznesi, do të dijë të japë një shfaqje të re për të vënë kapak ndaj kësaj zhurme që nuk ka as kuptim e as seriozitet. Nuk do shumë mend për të kuptuar se kreu i qeverisë e di tashmë se ai me të vërtetë që nuk e ka opozitën më në parlament. Aty tashmë janë disa njerëz që duan të bëjnë Pazar me të, e të cilët ai po dëshmon se është i aftë t’i menaxhojë, pavarësisht se çfarë emri i vënë skuadrës.
Puna është se këtu opozita e vetme janë ata që ikin nga ky vend, pasi ikja në çdo analizë është sa dështim personal, aq edhe zgjedhje, zgjidhje apo refuzim final për të pranuar këtë standard, në mos një dorëzim pa kushte përballë këtij realiteti. Ikja është edhe dëshmi e dështimit tonë si shoqëri dhe kjo ikje përcjell më shumë mesazhe nëse me cinizëm do t'u thoshim këtyre që largohen: Rri dhe merru me hashash apo ndonjë parti se do bësh lekë.
Mirëpo kjo opozitë lind dhe vdes në të njëtën kohë në skenën publike. Përballë pushtetit të përbërë nga të gjitha partitë, skena politike është bosh. Dhe ky është fillimi i problemeve shumë të thella që nuk do të vonojnë të shfaqen me forcë. Ata që sot kanë uzurpuar profesionin administrativ të opozitarit parlamentar, rreken të rrëmojnë se pjesëmarrja e ulët në votime është provë kundër pushtetit. Dhe "harrojnë" se ky bojkot është edhe ndaj tyre, madje ndaj tyre është edhe më domethënës.
Add new comment